Starova i mbyll derën Milinkoviçit: Jo ai person tek Partizani!

Gazeta Dita

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova doli në një konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Botev Plovdiv, e vlefshme për turin e parë paraeliminator të Europa League.

“Bobi” foli për gjithçka, duke filluar nga merkato, trajneri i ri i të kuqve deri te kundërshtari i radhës të cilin e cilësoi si tepër të vështirë: “Që pas hedhjes së shortit u mblodh informacioni i nevojshëm dhe ky informacion nëpërmjet videove iu bë i qartë edhe skuadrës. Atë informacion që kam unë e ka edhe e gjithë skuadra, është një kundërshtar i fortë për ne.

Objektivi ynë për t’u kualifikuar sigurisht që është i vështirë. Shpresojmë që me dëshirën dhe mundin, si dhe përgatitjen dyjavore të skuadrës, të bëjmë më të mirën në mënyrë që edhe pse kundërshtari është i fortë të realizojmë objektivin që kemi për të kaluar turin”.

“Botev? Duhet të jenë të durueshëm se është një skuadër e cila si karakteristikë kryesore është e gjitha që kur gjendet në zotërim të topit, merr pjesë në aspektin mbrojtës dhe janë shumë të shpejtë dhe të aftë në drejtim të kundërsulmit.

E dini që në sfidat me dy takime, skuadra nuk duhet të pësojë gol dhe të bëjë më shumë gola. Sigurisht, pas takimit të parë mund të flitet edhe më ndryshe pastaj, por janë të lidhura bashkë, janë dy ndeshje që përcaktojnë kush vazhdon rrugën”.

I pyetur për krahasimin mes Partizanit dhe Botev, “Bobi” tha: “Kur them se kundërshtari është i fortë, nuk presupozon që Partizani është i dobët. Bëra konstatim se kush është kundërshtari, ne dihet që jemi të fortë. Nëse doni përgjigje më konkrete, le të themi se kualifikimi është 50 me 50”.

Starova zbuloi se mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, teksa shtoi se do të ketë një merkato cilësore. “Realiteti është që ne jemi pa 4-5 lojtarë titullarë duke përfshire edhe Malotën e dëmtuar pas operacionit. Janë gjëra që dihen, skuadra ka dy objektiva, të bëjë të pamundur për të përballuar këtë tur të parë të Europa Ligës. Pastaj njëkohësisht koha është e bollshëm për të plotësuar skuadrën me mungesat që kemi pasur. Nga data 1 fillon edhe merkato më e gjerë e cila zgjat shumë”.

“E shihni, sa iku De Biasi, pa u bërë thirrje, erdhën 1 mijë vetë përnjëherë. E kuptoni, ky është realiteti në botë”.

Së fundmi në media ka qarkulluar lajmi se Milinkovic mund të jetë pasuesi i “Bobit”, 61-vjeçari flet me vlerësim për serbin por theksoi se ka trajner që “luten” për t’u bërë pjesë e Partizanit. “Me gjithë respektin për Milinkovic, që ka bërë një punë të mirë te Luftëtari, e kam cilësuar si një trajner të mirë, që la një gjurmë. Sigurisht që e humbi shkëlqimin në fund fare. Këshilla ime ka qenë ‘jo ai person’ pasi përderisa çelësat i ka marrë Moggi, drejtori i përgjithshëm është ai. Ka trajnerë sa të duash bota. E shihni, sa iku De Biasi, pa u bërë thirrje, erdhën 1 mijë vetë përnjëherë. E kuptoni, ky është realiteti në botë. Trajnerë ka me shumicë, përgatitës ka me shumicë, me një vërshëllimë vijnë të gjithë, Tiranën e Shqipërinë e duan të gjithë. Puna është kë do të zgjedhësh, nuk mungojnë trajnerët”.

I pyetur nëse është më mirë një trajner shqiptar apo i huaj, “Bobi” tha: “Historia flet që asnjë i huaj nuk ka bërë mirë, qoftë edhe ata që mbas dështimit në Shqipëri kanë bërë rrugë le të themi jashtë. Shembujt jua kam thënë, kanë ikur prej këtu nja tre trajnerë të Partizanit, janë mundur me nga 3-0 apo 4-0 këtu dhe pastaj kanë marrë oferta me nga 1 milion dollarë në Dubai apo andej rrotull. Mbani mend historitë e vjetra. Në kombëtare ju e dini që De Biasi mori shumë më tepër nga ne, mori shumë më tepër nga Shqipëria sesa dha, mori sodisfaksion më tepër se të gjithë. Por duhet të dini që trajnerët shqiptarë nëse vihen në drejtim atje jashtë, të jeni të sigurt që e bëjnë punën si ata. Nuk po e them më tepër, them me modesti që me siguroi e bëjnë njëlloj punën”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *