Ilir Daja: Luajmë me formacionin e “vjetër”, kundërshtarin do ta njohim gjatë lojës

Gazeta Dita

Kur mbeten vetëm pak orë nga çelja e aventurës europiane, në vigjilje të ndeshjes ndaj Sant Julia, të Andorras, e vlefshme për turin e parë eliminator të UEFA Europa League, skuadra e Skënderbeut bëhet gati për rikthimin e bujshëm pas një viti pezullim nga aktivitetet në skenën europiane.

Kështu, në konferencën për mediat, të publikuar në faqen zyrtare të klubit, trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja ka folur për atë që parashikohet të paraqesë Skënderbeu në ndeshjen e nesërme, sikurse dhe për çështje të tjera në kampin korçar.

Daja a është gati pas kësaj faze përgatitore?

Sigurisht që jemi gati për vetë faktin se edhe nesër do të startojmë me një pjesë të mirë të futbollistëve që kanë përfunduar kampionatin e vjetshëm, ndeshjen e turit të parë të Europa League.

Kemi marrë ritmin e duhur në këtë fazë përgatitore dhe mendoj që në këtë ndeshje të parë grupi është në gjendje për të startuar pozitivisht turin e parë të eleminatoreve të Europa League.

Sa informacione keni për kundërshtarin Sant Julia?

Kjo është një tjetër vështirësi për ne, pasi nuk kemi informacione për ekipin kundërshtar.

Informacionin do të mundohemi ta marrim nëpërmjet lojës, pra përveç që do të kërkojmë t’i imponojmë lojën tonë kundërshtarit, në të njëjtën kohë do të mundohemi të studiojmë edhe lojën e kundërshtarit, pasi ai informacion që kemi është shumë i limituar. Me këtë dua të them se do të studiojmë dinamikën e lojës së Sant Julia gjatë ndeshjes.

Me kaq informacion sa keni ju, e kalon Skënderbeu kundërshtarin Sant Julia?

Nëse ne do ta respektojmë kundërshtarin maksimalisht, nëse do të tregojmë në fushë atë që kemi treguar në fazën e katërt, besoj që kualifikimi do të jeni i yni.

Por, në futboll gjithmonë më e rëndësishme është ajo që ekipi prodhon në fushën e lojës. I kemi kualitetet, i kemi mundësitë, e kemi eskperiencën.

Pothuajse kemi edhe grupin e plotë dhe këto na bëjnë që të jemi të favorizuar, por duhet të jemi të përqëndruar maksimalisht.

Pavarësisht fazës përgatitore dhe merkatos Skënderbeu është thuajse i njëjtë me atë të sezonit të kaluar, me përjashtim të 1-2 lojtarëve në fushë…

Unë do të thoja që pjesa më e madhe do të jetë formacioni që ka mbyllur kampionatin, pasi lojtarët e afruar nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u përshtatur me ekipin. Sigurisht që kualitetet e tyre janë të padiskutueshëm.

Kështu që përqindja më e madhe e formacionit pa përmendur emra të veçantë do të përbëhet nga lojtarë që kanë qenë pjesë e Skënderbeut edhe sezonin e kaluar.

Që nga presidenti Ardjan Takaj dhe deri te tifozët kërkojnë që ky Skënderbe të shkojë larg. Po sipas jush, sa larg shkon Skënderbeu i kësaj vere?

Natyrshëm ky ekip ka eksperiencën e vet, ka një rrugëtim të mirë në kompeticionet e Europës.

Ne duhet t’i shikojmë gjërat hap pas hapi në mënyrë që të ecim sa më larg të jetë e mundur.

Sa prej lojtarëve të rinj në këtë merkato do të shikojmë nesër në fushën e lojës?

Unë do të thoja që ç’do trajner ka filozofinë e vet përsa i përket mënyrës se si e reshton ekipin në fushë.

Ç’do lojtar më pas ka kohën e vet të ambjentimit të ekipit dhe të bërit pjesë e instrumentave funksionale të skuadrës.

Nuk mund të them që këta lojtarë nuk më bindin, sepse në merkato kam dhënë edhe unë mendimin për lojtarët e afruar, por do të duhet koha e nevojshme që këta lojtarë të jenë pjesë e unifikuar e ekipit.

Për më tepër që ky system eleminimi i Europa League, nuk lejon që të bësh gabime, sepse e gjen veten menjëherë jashtë, prandaj zgjedhjet për formacionin duhet të jenë të kujdesshme derisa të gjithë lojtarët të hyjnë në ekulibrat e duhura të ekipit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *