Variçet (ose siç njihen në gjuhën mjekësore venat varikoze), janë ndër problematikat më të shpeshta shëndetësore që shfaqen edhe në popullatën shqiptare, ku ndër kategoritë më të rrezikuara prej tyre janë gratë, e veçanërisht ato në moshë.
Megjithatë, krijimi i variçeve ndodh edhe tek meshkujt, dhe tek moshat më të reja.
Të prekurit nga venat varikoze në përgjithësi ndjejnë rëndim, djegie, lodhje dhe ngërçe të shpeshta në këmbët e tyre, apo dhe në pjesë të tjera të trupit, ku mund të jenë shfaqur këto vena.
Ngërçet bëhen edhe më të shpeshta gjatë natës.
Bluzat e bardha theksojnë se qëndrimi ulur, apo në këmbë për një kohë të gjatë çon në përkeqësimin e simptomave dhe shfaqjen e dhimbjeve të forta.
Kjo pasi në rastet kur qëndrojmë për një kohë të gjatë duke punuar ulur, apo edhe kur rrimë në këmbë, ngadalësohet qarkullimi nëpër vena, çka çon në rritjen e sasisë së gjakut që rrjedh në gjymtyrët e poshtme, por që nuk kthehet lart drejt zemrës, ku bëhet dhe pastrimi dhe riciklimi i tij më pas sërish nëpër organizëm.
Ndërkohë që faktorë të tjerë risku që ndikojnë në shfaqjen e variçeve janë edhe të qënit mbipeshë.
Gjithashtu njihen si faktorë të tjerë risku edhe stili sedentar i jetesës, kequshqyerja dhe duhani, si dhe traumat, paralizat dhe ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale. Venat mund të shfaqen edhe gjatë shtatzanisë.
Në përgjithësi sëmundja është progresive dhe nuk mund të parandalohet, por me ndjekjen e këshillave të rekomanduara nga mjeku specialist, mund të bëhet i mundur lehtësimi i pasojave dhe ndërlikimeve që mund të sjellin.
Konkretisht, në shumë raste mbajtja e çorapeve të posaçme, ruajtja e një peshe normale, ndryshimi i stilit të jetesës dhe ushtrimet e rregullta fizike rezultojnë të jenë mjaft të dobishme në parandalimin e shfaqjes së variçeve, si dhe në mbajtjen e tyre nën kontroll në rastet kur janë krijuar.
Këshillat që duhet të ndiqni
- Aktualisht ekzistojnë trajtime të ndryshme në dispozicion të venave varikoze (variçet) , të cilat varen nga madhësia e tyre, vendndodhja, si edhe prania e simptomave klinike. Në radhë të parë rekomandohet që personat që vuajnë nga variçet t’i mbajnë këmbët pak të ngritura (me një jastëk) edhe kur janë duke fjetur. Kjo ndihmon në kthimin e gjakut, duke mos e lejuar të pellgëzohet në zonat e zgjeruara.
- Gjithashtu duhet të evitohen qëndrimet e gjata në këmbë për të evituar fryrjen dhe ënjtjen e tyre. Kur kemi udhëtime të gjata për të bërë, duhet të bëhen më pushime duke mundësuar shtrirjen e këmbëve.
- Po ashtu, mjaft pozitiv rezulton edhe përdorimi i çorapeve kompresuese, të cilat porositen në farmaci sipas porosisë së mjekut. Është shumë e rëndësishme që këto çorape të jenë në numrin e duhur për të mos marrë efektin e kundërt të tyre.
- Mjaft e avancuar për këtë problem prezantohet edhe kirurgjia apo edhe terapia me lazer, të cilat kryhen sipas këshillimit të mjekut.
- Shumë e dobishme për kontrollin e venave varikoze rezulton lëvizja e rregullt dhe kontrolli i peshës. Këto masa mund të parandalojnë, ose të ngadalësojnë përparimin e venave varikoze.
Faktorët që nxisin shfaqjen e variçeve
- Mosha dhe faktori genetik.
- Qëndrimi ulur, ose në këmbë për një kohë të gjatë.
- Mbipesha dhe stili sedentar i jetesës.
- Venat mund të shfaqen edhe gjatë shtatzanisë.
- Kequshqyerja dhe duhani njihen si faktorë risku.
- Traumat, paralizat dhe ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale.
