Nga Flamur Kuçi
Me shqetësimin e natyrshëm , të ngjashëm me të secilit mbështetës të djathtë për situatën në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike, nuk mund të mos shpreh një reflektim mbi atë çka po ngjet sot brenda kësaj partie. Fatmirësisht kam një distancë të shëndetshme me udhëheqjen degraduese të Bashës, duke qenë një kritik konstant i tij në vitet e fundit, madje edhe kur shumë nga zërat kritikë të ditëve të fundit ishin më shumë sesa entuziast rreth Bashës edhe duke reaguar ndaj kritikave të mia. Nga ana tjetër jam larg interesit të drejtpërdrejt të zhvillimeve të brendshme në PD. Kjo ndoshta më bën më distant, më të qetë, dhe për rrjedhojë ndoshta edhe më të qartë për këto zhvillime dhe atë që duhet të presim nga këto zhvillime.
Partia Demokratike ndodhet ndoshta në udhëkryqin më problematik të 27 viteve të fundit dhe nuk e ka luksin të shpërqendrohet nga debate të pavlera, por me vendosmëri të rindërtojë aksionin politik për ringritje.
Axhenda e Bashës nuk ka qenë kurrë në përputhje me axhendën e PD. Përkundrazi, interesi i Bashkës ka qenë sundimi i partisë duke larguar mbështetës jo komodë, interesi i PD është zgjerimi i radhëve të saj edhe me mbështetës që nuk e mendojnë si kryetari. Interesi i Bashës ka qenë promovimi i profileve mediokre pa domethënje politike, interesi i PD është afrimi i profileve inspiruese, interesi i Bashës ka qenë eradikimi i trashëgimisë së PD (edhe deri në pothuaj eliminimin e simboleve të saj), interesi i PD është evokimi i vlerave më të mira të saj, interesi i Bashës ka qenë flirtimi herë me LSI-në e Metës e herë me PS-në e Ramës, ndërkohë që interesi i PD-së ka qenë identifikimi dhe konsolidimi si një opozitë serioze me çdo fenomen negativ që korrupsioni i Rilindjes përfaqëson.
Për më tepër sot, axhenda e Bashës është që të sigurojë sundimin apo pengmarrjen e PD nga ai dhe familja e tij edhe duke e shtyrë PD-në drejt proceseve të rreme, formale dhe degraduese, ndërkohë që interesi i PD është fillimi i proceseve analizuese dhe reflektuese që mund të hapin në PD një dritare me ajër të pastër që të kthjellojë mendjen e të gjithë lidershipit demokrat dhe të inspirojë shpirtin e mbështetësve të djathtë.
Edhe debati statutor mbi ligjishmërinë e procesit është tashmë i superuar. Veç një teveqel politik a ndonjë bedel i tij mund të thqipëtojë pa i bërë syri tërr budallalleqe mbi ligjishmërinë e zgjedhjeve me një Lul të ngrirë. Nëse në PD proceset nuk ndodhin vertet, dëmtohet PD dhe jo Luli. Luli në të rremën është në terrenin e vet.
Gjithashtu çdo debat tjetër mbi të ardhmen e Lulit, ngrirjen apo qoftë edhe mumifikimin e kësaj figure politike pa asnjë përmbajtje nuk çon ujë në mullirin e PD. Çdo njeri me mend e sheh si drita e diellit që Luli përmes ngutjes për të futur PD-në në një gjasmë proces zgjedhor, duke u gjasmë-ngrirë, me gjasmë rregulla gare, synon shmangien e debatit mbi të ardhmen e PD për të siguruar të tashmen e tij.
Pas katastrofës së rezultatit zgjedhor të 2017, Lulzim Basha është një figurë politikisht e vdekur. Ai ia doli të thyente çdo rekord të paftësisë dhe papërgjegjshmërisë politike. Mbajtja e kësaj kufome në ngrirje nuk e shpëton shtëpinë (lexo PD-në) nga kundërmimi, thjesht e sposton atë në kohë. Tashmë Lulzim Basha është e kaluara. Solidarizimi me të pavërtetën dhe me të kaluarën, do ishte ose naivitet politik, ose shprehje e interesave private në dëm të interesit politik të PD.
Partisë Demokratike sot i duhet të shohë nga e ardhmja, jo nga individi, por nga proceset, jo nga personi por nga vlerat. Me qetësinë e duhur, me seriozitetin e duhur por edhe me koshiencën e duhur politike Partisë Demokratike i duhet të angazhohet në një proces të gjatë reflektues mbi shkaqet që e cuan atë në këtë situatë, mbi mesazhet e gabuara që e larguan nga mbështetësit e saj, mbi aksionin politik që i hoqi shpresën kundërshtarëve të rilindjes. Ne duhet ta lejmë individin Basha sot në fatin e tij dhe të na shqetësojë fati i Partisë Demokratike sepse ai është më i rendesishëm se fati i Lulit.
Këtë reflektim PD ka nevojë ta bëjë në publik hapatazi që ta dëgjojnë, marrin vesh gjithë shqiptaret, jo vetëm demokratët. Nëse do ringritjen PD duhet të bindë shqiptarët, jo kryesinë e vogël, as opinionistet. Asnjë frikë nuk duhet të kemi se mos i japim pikë kundërshtarit. Përkundrazi, me debatin e hapur e parimor, i trembim dhe i zbrapsim ato. Mos kini frike se mos vrasim te vdekurin, gezohuni se do ringjallim shpresën.

Sa ma shume ta shajme ,aq ma shume Argita edhe Berisha do ta mbajne aty,se bashen eshte argita .berisha.