Vujoviç: Na mungoi fati, premtoj gola vendimtarë për Skënderbeun

Gazeta Dita

Pas debutimit me fanellën bardhekuqe, ku vetëm fati i mohoi golin e parë me Skënderbeun, Goran Vujoviç është totalisht i përqendruar te takimi i radhës me bardhekuqtë. Në një prononcim për mediat sulmuesi malazez bëri një përmbledhje të muajit të parë me skuadrën korçare, ndërsa duket i bindur se do ta kalojë kufirin e 13-15 golave në sezon.
Goran, ke debutuar me Skënderbeun, si ka qenë për ty ky start?
Ka qenë një ditë e veçantë për mua, pasi bëja prezantimin e parë zyrtar në “Europa League” me Skënderbeun, për më tepër para publikut korçar. Mund të them se ka qenë një debutim deri diku i mirë. Me pak më shumë fat do të kishte qenë debutimi i ëndërruar nga të gjithë, por do të provoj herës tjetër.

Në vetëm dy goditje të portës ke prekur tri herë shtyllën. Një rast unikal ky?
Sigurisht, të vjen çudi ta mendosh. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë një gjë e tillë. Duket qartë se fati nuk ka qenë në anën time këtë herë. Por kjo nuk do të thotë se kështu do të vijojë gjithmonë. Shpresoj që fati të rikthehet shpejt, pse jo që në ndeshjen e kthimit në Andorrë.

Cilat janë karakteristikat e Vujoviç për ata që iu njohin pak?
Është shumë e sikletshme kur flet për veten, por jam një sulmues që më pëlqen të lëviz edhe pa top dhe të vihem në shërbim të ekipit. Nuk jam ende plotësisht i përshtatur dhe kam pak vështirësi, por me kalimin e ditëve gjithçka do të kthehet “ok”.

Jeni një këmbë e majtë apo e djathtë?
Luaj me të djathtën dhe ajo është këmba ime, por brenda zonës së rreptësisë nuk bëj diferenca, njësoj i kam të dyja.

Si ka shkuar deri tani përshtatja me Skënderbeun? Jam bashkuar me ekipin në fazën përgatitore dhe mund të them se po ecën gjithçka mirë. Grupi më ka pritur mirë shumë. Kam një mik si Marko Radas, me të cilin jam ndjerë menjëherë si në familje.

Si ju duket Skënderbeun nga afër?
Për dy javë që jam në ekip është një grup i mirë, që luan në sulm dhe kërkon gjithmonë fitoren. Por e thashë edhe më sipër, kam vetëm dy javë dhe ende nuk njihemi mirë në ekip, pasi duhet edhe pak kohë që gjithçka të bëhet më harmonike.

Nga Buduçnost te Skënderbeu, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet?
Janë të dy ekipe shumë të mira që luftojnë gjithmonë për tituj. Buduçnost vjet lutoi për titull dhe arriti ta fitojë në fund, edhe Skëderbeu këtë vit do të luftojë për titull dhe shpresoj ta fitojmë. Luajnë të dy si ekipe në sulm dhe kundërshtarët gjithmonë mbyllen përballë tyre. Këto janë të përbashkëtat, përveçse kanë në ekip lojtarë mjaft të mirë. Skënderbeu ka diferencën që ka histori më shumë në Europë. 

Sa gola premton Vujoviç te Skënderbeu?
Është paksa pyetje e sikletshme, sepse nuk më pëlqen të bëj premtime. Por besoj se duke parë edhe cilësinë që ka ekipi i Skënderbeut, do të arrij të kaloj kufirin e 15 golave në sezon. Shpresoj të jenë të gjithë gola vendimtarë.

Shpesh do t’iu krahasojnë me Salihin apo me Pejiç. Do t’ju vijë keq?
Jo, aspak. Tifozët kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan dhe të më krahasojnë me cilindo lojtar. Unë do të përpiqem të krijoj profilin tim në Korçë. Nuk do të më vinte aspak keq, pasi Salihi ka qenë një sulmues i kombëtares tuaj dhe është një super idhull për tifozërinë. Por edhe unë do të di si t’ua fitoj zemrën tifozëve.

Ky ishte debutimi juaj më i mirë?
Besoj se nga rastet që kam krijuar është debutim i mirë, në përgjithësi, por asnjëherë nuk ka qenë kaq i pafat. Do të ishte i mirë në maksimum nëse do të shënoja edhe një gol. Por edhe kështu nuk ishte keq.

Çfarë i mungoi të enjten Skënderbeut?
Besoj se na mungoi fati. Goditëm tri shtylla, humbëm një penallti dhe shpërdoruam raste pafund, por fati ndoshta nuk ishte me ne në atë takim. Megjithatë, jam i bindur se në Andorrë gjithçka do të shkojë ndryshe.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *