Beqir Skreli
Të “hapet barku” kur shikon sesi një pjesë e madhe e njerëzve të ditur e të mençur të Shqipërisë, sot, gati 30 vjet pasi është ndërruar sistemi, i kanë përqendruar energjitë e tyre të na tregojnë se si janë përndjekur, si iu është ngrënë haku, sa të zotët kanë qenë e janë. Bashkim Koçi, në librin “Njerëz me kurorë”, si edhe në të gjithë librat e tjerë të tij, i ka qëndruar larg rrugës së qaramanëve. Ai ka zgjedhur të flasë për të tjerët, për njerëzit e veprimit, për ata që kanë mbajtur e mbajnë në këmbë kombin.
Lexon “Njerëz me kurorë” dhe mbushesh me forcë e krenari për Shqipërinë. Ky libër i publicistit të mirënjohur, Bashkim Koçi, vjen si një spirancë e rëndë për anijen shqiptare që lëviz nga e çon dallga. Qëndro pak, i thotë, mendo ku ke qenë, ku do shkosh, sa karburant ke, si i ke marinarët dhe oficerët e drejtimit!

Lexon intervistat, portretet, skicat, reportazhet, kritikat letrare të Bashkimit dhe pasurohesh, bëhesh optimist për të ardhmen e vendit tonë. Shikon sa e pasur është Shqipëria me diellin, tokën, ujin, naftën, pyjet, gjuhën, historinë, traditat, pozitën gjeografike… Por pasuria më e madhe, karburanti më i fuqishëm i anijes shqiptare janë vetë “marinarët dhe oficerët e saj të drejtimit”. Bashkimi na merr dhe na çon t’i njohim vetë këta njerëz. “Në qoftë se perimetri i Shqipërisë do të ishte 1000 km, me materialin shkëmbor të përdorur për të mbushur digën e Hidrocentralit të Fierzës, mund të ndërtohej një mur 4 metra i lartë dhe 2 metra i gjerë në gjithë këtë gjatësi.” na thotë veterani i digave të larta, Emin Musliu i cili është shumë krenar për hidrocentralet gjigante me nivel botëror të projektuara e ndërtuara nga shqiptarët. Prej këtej Bashkimi na çon në fshatin e thellë malor Marikaj, në Tepelenë, ku mësuesit të ri, aktorit të ardhshëm Birçe Hasko i ka ardhur inspektori. Inspektori qëndroi atje një javë; i mori një nga një në provim të gjithë nxënësit e fillores. S’kishte shakara me edukimin! Bashkimi na takon me idealistë si Llaqi Jano, me kontribute të shquara në luftën për çlirim dhe me pozita të larta që me 7 djemtë e tij jetonte në një shtëpi të thjeshtë si gjithë populli; me dinjitozë si juristi Bashkim Caka që pranoi më mirë të dilte në rrugë si i papunë sa të bëhej pjesë e lojës së pandershme; me zemërmëdhenj si Neki Zaloshnja e Mustafa Molla; me patriotë të shquar që asgjë nuk kursyen për atdheun, si heroin e pavlerësuar të 7 Prillit 1939, Hamit Dollani; me përfaqësuesin e Skraparit në shpalljen e pavarësisë Xhelal Koprencka; me njerëz të thjeshtë por të jashtëzakonshëm si ndërlidhësi i “Zërit të Popullit” Kiço Bukaçi që shërbeu 52 vjet në gazetë, si Islam Zaimi, “njeriu që bënte gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Bashkimi shkruan me një lehtësi të habitshme si për pelikanin kaçurrel të Karavastasë ashtu edhe për “Shtëpinë” e Abas Aliut në Tomorr, si për Odhise Porodinin që filloi punë që 11 vjeç e pastaj u lidh me Lëvizjen Antifashiste, edhe për Gjolekë Zenelin që u bë viktimë e intrigave të atyre që donin të zhvatnin Shqipërinë; si për jetimin Ferhat Caka që u bë shkrimtar i njohur, edhe për mësuesen e tij të dashur të gjimnazit, Melo Dodbibën; si për profesorin linguist Xhevat Lloshi që ndjek dhe mbron me fanatizëm pastërtinë e gjuhës shqipe, ashtu edhe për njeriun e veprimit, kolonjarin Muhamet Malo, i cili “iu fut detit në këmbë” dhe me një guxim të krisur ndërtoi teleferikun Tiranë-Dajt…
Në librin “Njerëz me kurorë” Bashkim Koçi ka thënë të vërtetën. Është trimëri e madhe të thuash të vërtetën. E vërteta është viktima e parë dhe më e madhe e çdo lufte. Lufta e egër, e papërgjegjshme dhe e paprinciptë midis klaneve, bandave, grupeve dhe partive gjatë këtyre 27 vjetëve e ka masakruar të vërtetën. Si një doktor në front, me këtë libër Bashkim Koçi ka shëruar dhe shpëtuar shumë të vërteta.

I nderar Beqir Shkreli, faleminderit qe me penen
Tuaj brilante te vertetesise,me clodhe mua
gyshin
me sa keni shkruar,per “ADASHIN brilent te mirennjohurine artit te penes te rrallin
Bashkim Koci.
I keni thene te gjitha si ralle,ju faleminderit Te dy paci shendet e suksese ne krijimtarite tuaja vertet pikante.
“Trinitrina” per mua 82 vjecarin,PENAT TUAJA.
Suksese me shendet e gjithnje te TILLE.;vertetautori:
“PENE me KURORE.”per te VERTETAT.
Guri Naimit D.
Do ta lexoi me kenaqesi librin e Bashkimit, z.Beqri Skreli ! Si gazetar e kam lexuar Bashkimin qe ne vitet ’80, me vone u njohem nga afer ! Nese ka nje gazetar te ndershem ky vend, Bashkim Koçi renditet pa as me te voglin dyshim ne rreshtin e pare. Urimi per librin, urime dhe ju Beqir, me behet qefi qe po iu lexoi serish, pas shume vitesh qe nuk jemi pare.
Urime Bashkim dhe sukseset te ndjekshin! Te faleminderit Beqir!