Arbër Beqaj zyrtarisht është futbollisti më i ri që i bashkohet skuadrës së Teutës në këtë merkato vere. Mbrojtësi i krahut të djathtë është prezuantuar sot pasdite nga drejtuesit e klubit dhe më pas i është bashkuar skuadrës që nga sot ka nisur përgatitjet për sezonin e ri sportiv 2017-18.
18-vjeçari i talentuar prej ditësh ishte lakuar si një përforcim i mundshëm i “Djemve të Detit”, por vetëm sot palët kanë gjetur akordin duke firmosur një kontratë dy vjeçare. Beqaj është një produkt i akademisë së Flamurtarit, ndërsa në dy sezonet e fundit është aktivizuar me ekipin e parë.
Në fushatën 2016-17, 18 vjeçari grumbulloi 15 ndeshje prej të cilave 12 si titullarë. Beqaj ishte një kërkesë e trajneri Gugash Magani, i cili ka punuar me të në Vlorë gjatë dy fazave të parë të Superiores.
Mbrojtësi që më 29 shtator do të mbush 19 vjeç pritet t’i besohet krahu i djathtë i mbrojtjes pas largimeve të shumta në këtë merkato.
Ky është afrimi i dytë për Teutën, teksa më parë pjesë e skuadrës është bërë qendërmbrojtësi kroati Ante Hrkac, që mund të luaj edhe si mesfushor me tipare mbrojtëse.
