Rrëfimi i menaxherit: Klubet shqiptare nuk kanë negociatorë të aftë, punojnë pa buxhete afatgjatë

Gazeta Dita

Elton Marini, një ish-sulmues i Partizanit dhe Apolonisë, punon si menaxher futbolli prej 10 vitesh. Lojtarë të huaj si: Mlladen Bërkiç, Pero Pejiç, Brus Inkango dhe së fundmi Kaleb Ekuban, janë transferuar në kampionatin shqiptar falë ndërmjetësimit të agjentit fierak. Edhe sulmuesit e talentuar shqiptar, Kristal Abazaj, Realdo Fili dhe Sindrit Guri, gjithashtu menaxhohen nga Marini.

“Panorama Sport” kontaktoi dje me 42-vjeçarin, i cili analizoi problematikën e klubeve shqiptare në merkato. Sipas tij, ekipet e Superiores nuk kanë strategji dhe buxhete për të funksionuar si biznese të mirëfillta. Një problem që, sipas Marinit, ndikon jo pak në gafat që klubet bëjnë gjatë merkatos, kryesisht me largimet e lojtarëve, është edhe fakti që në organikën e tyre nuk ka njerëz të aftë që të negociojnë për kontrata.

Elton, ju keni vite që punoni si menaxher futbolli dhe më së shumti bashkëpunoni me klubet e Superiores. A ka diçka që ju ka bërë përshtypje në këtë merkato verore?
Të jem i sinqertë, ky sesion i merkatos ka filluar me të njëjtat problematika si të viteve të kaluara. Programimi dhe organizimi vazhdon të jetë mangësi e klubeve shqiptare ndër vite.

Si e shpjegoni faktin që thuajse të gjitha largimet zyrtare nga klubet e Superiores janë me parametra zero dhe vetëm Partizani ka bërë një shitje deri më tani?
Në momentin që klubet shqiptare nuk kanë strategji dhe buxhete afatgjata për ta trajtuar si biznes të mirëfilltë këtë aspekt, edhe kontratat nënshkruhen afatshkurtra. Në këto kushte, pas evidentimit të lojtarëve me potencialë, duke pasur avantazhin e të qenit në fund të kontratës, këtu përfitojnë operatorët e këtij sistemi, që janë klubet ose ndërmjetësit profesionistë.

Në këtë kaos, çfarë mund të përmirësojnë klubet?
Mendoj që duhet të besojnë më shumë te potenciali i lojtarëve dhe t’i përgatisin ata me programe afatmesme ose afatgjata, për të arritur në përfitime të konsiderueshme në arkat e tyre.

Ju jeni në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e klubeve. Cila është gjëja që ju pengon më shumë kur bëhet fjalë për transferime të lojtarëve vendës në klube jashtë Shqipërisë?
Në këto 10 vite që unë ushtroj këtë profesion, ajo që kam hasur është fakti se disa gjëra në klubet tona stonojnë për shkak të mospasjes në organikë të tyre njerëz që dinë të negociojnë për ta bërë të kryer një kalim. Por, një problem tjetër është edhe fakti që lojtarët shqiptarë kanë vështirësi, sepse kanë mangësi në përgatitjen e përgjithshme.

Gjithashtu, ata kanë disavantazh për sa i përket rregullave në lidhje me të qenit jashtë zonës europiane, ku çdo kampionat favorizon tregjet, pikërisht brenda Bashkimit Europian.

Skënderbeu bëri disa shitje të bujshme pak kohë më parë. Sa e vështirë është që të binden klubet europiane për të blerë një lojtar të kampionatit shqiptar me shifra që i kalojnë 1 milion eurot?
Skënderbeu ka filluar risinë që para dy vitesh, kur pasi u bë pjesë e vitrinës së rëndësishme të Ligës së Europës, kuptoi që të ardhurat e majme vijnë gjithashtu nga shitjet e lojtarëve. Vështirësia qëndron që edhe pse mund të kesh nivel të lartë për kampionatin tonë, prapë nuk është e mjaftueshme për t’u vëzhguar nëse klubet e Superiores mungojnë në kompeticionet e rëndësishme europiane.

Unë i bashkohem mendimit të një kolegut tim, që para disa ditësh theksoi se nga Shqipëria është shumë e vështirë të shiten lojtarë me një milion euro.

Shikoni ndonjë klub tjetër shqiptar që mund të bëjë atë që bëri Skënderbeu sa u përket shitjeve?
Pas Skënderbeut, që ka kryer disa operacione të rëndësishme në dalje, shoh Partizanin. Ky klub ka filluar që nga viti i kaluar ndërtimin e strategjisë për të shitur lojtarë. Me ardhjen e Moxhit dhe krijimit të strukturave të reja në klub, do të fillojë të marrë jetë edhe te Partizani politika e shitjes në tregje që sigurojnë të ardhura./panoramasport/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *