Shqipëria nuk ka shënuar përmirësime në luftën kundër korrupsionit, madje është kthyer mbrapa, në nivele të krahasueshme me ato të vitit 2004, kur vendi qeverisej nga Fatos Nano. Ky është një ndër përfundimet e raportit “Vendet në tranzicion” të Freedom House. Sipas raportit, arsyeja është mungesa e vullnetit politik dhe përforcimit të institucioneve. Sipas këtij raporti, vendet në Evropën Qendrore dhe Azinë Qendrore janë gjithnjë e më shumë duke u sunduar nga qeveri autokratike, të cilat kanë pak konsideratë për demokracinë.
Në pjesën për Ballkanin thuhet se korrupsioni në këtë rajon ka vazhduar të thellohet, pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian dhe institucionet ndërkombëtare për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të sjellë vendime për rastet e profilit të lartë.
“Gazetarët, sidomos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presion politik, kërcënime dhe sulme. Si dëshmi të këtyre vendeve numërohen Shqipëria, Bosnja dhe Kosova”, thuhet në raport.
Në Shqipëri, një tjetër aspekt ku është shënuar rënie është qeverisja qendrore. Që nga viti 2004, procesi zgjedhor ka njohur vetëm rënie, kurse demokracia në total është më keq se në vitin 2004.
Gjyqësori është më keq se në vitin 2004, kurse qeverisja është shumë më keq se në vitin kur qeverisnin socialistët.
Në raport thuhet se Shqipëria është një regjim hibrid.

