Pranvera Kola – DITA
Ngarkesa në orë mësimore për çdo pedagog kushtëzohet prej kategorisë në të cilën bën pjesë dhe titullit që mban.
Çka do të thotë se numri i orëve mësimore do të jetë i ndryshëm sipas kategorive ku përfshihen pedagogët me titullin “Profesor”, “Docent”, apo “Lektor”.
Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës është ndër institucionet e arsimit të lartë që ka miratuar tashmë edhe skemën dhe mënyrën e përllogaritjes së nevojave pedagogjike dhe ngarkesës mësimore që duhet të përmbushë çdo punonjës për vitin e ri akademik 2017-2018.
Autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se çdo pedagog do të angazhohet në fakultetet për tre veprimtari të ndryshme, që kanë të bëjnë: Me zhvillimin e procesit të mësimdhënies ( ku norma vjetore do jetë 200-300 orë mësimore), në kërkim zhvillim dhe transferim teknologjie me 150-300 orë mësimore, si dhe në mbështetje për institucionin e arsimit të lartë, ngarkesa e të cilit gjithashtu do të jetë deri në 300 orë mësimore.
Ngarkesa e orëve mësimore për secilën prej këtyre veprimtarive do të ndërthuret në bazë të interesave dhe nevojave konkrete që ka vetë Universiteti i Mjekësisë, të cilat do të jenë të përcaktuara edhe në kontratat e punësimit me kohë të plotë për secilin punonjës.
Ngarkesa për mësimdhënien
Në mënyrë të detajuar bëhet e ditur se mësimdhënia do të përfshijë orët e zhvillimit të leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, si dhe veprimtarive të tjera të nevojshme në mbështetjen e procesit mësimor, që mund të jenë përgatitje individuale, zhvillim të kurrikulave, përtëritje të materialeve didaktike, dhe hartim të materialeve të reja, zhvillimin e provimeve, udhëheqjen e tezave të ndryshme të ciklit të parë apo të dytë, konsultime të programuara me studentët, etj.
Mësimdhënia e normuar vjetore për personelin akademik me kohë të plotë konsideron zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programit të studimit përkatës.
Kështu, ngarkesa për personelin që gëzon titullin akademik “Profesor” do të jetë 200 orë mësimore, ndërsa për ata që janë me titullin “Profesor i asociuar” do të jetë 220 orë mësimore. Më shumë ngarkesë do të kenë punonjësit e kategorisë “Docentë”.
Për këta të fundit bëhet e ditur se duhet të zhvillojnë në procesin e mësimdhënies 300 orë mësimore. Për personelin që janë me gradën shkencore “Doktorë”, ngarkesa është 260 orë mësimore. Më tej bëhet e ditur se kategoria e lektorëve duhet që të zhvillojë deri në 260 orë mësimore.
Gjithashtu janë përcaktuar edhe ngarkesat në orët mësimore që do të kenë punonjësit akademikë që do të ushtrojnë funksione drejtuese, në fakultetet e mjekësisë, si dhe në qendra të kërkimit dhe zhvillimit mësimor, të cilën e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit.
Për personelin akademik me kohë të plotë në institut, apo qendër të kërkimit të zhvillimit, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30 për qind e orëve mësimore të përmendura më lart për kategorinë e profesorëve (përkatësisht 100-120 orë mësimore ).
Për nevoja të veçanta të kërkimit, për këtë personel akademik mund të planifikohet mësimdhënie e normuar vjetore edhe më e pakët. Mësimdhënia e normuar vjetore për punonjësit me kohë të plotë organizohet me jo më pak se sa 6 orë mësimi në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik.
Mund të përjashtohen nga ky rregull deri në 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve. Këto përjashtime do të vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit mbi bazën e propozimeve të departamenteve.
Ngarkesa për orët në kërkim, zhvillim dhe transferim teknologjie
Sa i takon kësaj veprimtarie, ngarkesa mësimore e personelit akademik me kohë të plotë të fakulteteve të profileve mjekësore duhet të planifikohet me jo më pak se 20 për qind e të gjithë fondit vjetor të punës, respektivisht, me jo më pas se rreth 300 orë pune vjetore.
Personeli akademik i ftuar
Për personelin akademik të ftuar në njësitë kryesor mësimdhënia e normuar vjetore do jetë deri në 150 orë mësimore në vit, që mund të shfrytëzohen për veprimtari të kërkimit, apo krijuese.
Ky personel thirret kur stafi më kohë të plotë nuk përmbush dot nevojat e plota të procesit të mësimdhënies. Ngarkesa me ta përcaktohet në kontratat e punësimit me afat të përcaktuar.
Tejkalimi i ngarkesës së përcaktuar
Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë duhet që të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës në 192 ditë, ose e thënë ndryshe 1536 orë vjetore, e përcaktuar kjo sipas kërkesave në Kodin e Punës.
Personeli akademik me kohë të plotë mund të tejkalojë normën vjetore të përcaktuar deri në masën 30 për qind pasi të ketë plotësuar të gjitha detyrimet e kohës vjetore të punës. Tejkalimi i paguar mbi këtë shifër bëhet vetëm për nevoja të veçanta të vete institucionit të arsimit të lartë.
Ngarkesa për personelin akademik
Kategoria “Profesorë”
Kur janë me titullin “Profesor”, do jetë 200 orë mësimore.
Kur janë me titullin akademik “Profesor i asociuar”, do jetë 220 orë mësimore.
Kategoria “Docentë”
- Kur janë me titullin akademik “Docent”, do jetë 300 orë mësimore.
- Kur janë me gradën shkencore “Doktor”, do jetë 260 orë mësimore.
- Kur personeli i përket kategorisë “Lektorë”, ngarkesa do jetë 260 orë mësimore
Ngarkesa për autoritetet drejtuese
- Rektor, ose drejtor drejtorie dhe Qendre Universitare do jetë 50 orë mësimore.
- Për kryetar të këshillit të administrimit do jetë 120 orë mësimore.
- Për zëvendësrektor, ngarkesa do të jetë 70 orë mësimore.
- Për zëvendësdrejtor qendre universitar, ngarkesa do jetë 50 orë mësimore.
- Për dekan, ngarkesa do jetë 150 orë mësimore.
- Për zëvendësdrejtor instituti, ngarkesa do jetë 60 orë mësimore.
- Për përgjegjës departamenti ngarkesa do jetë 170 orë mësimore.
- Për përgjegjës qendre kërkimi zhvillimi ngarkesa do jetë 60 orë mësimore.
Personeli akademik sipas ligjit të arsimit të lartë
- Në kategorinë “Profesorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor”, ose “Profesor i asociuar”. Në varësi të këtyre titujve për ta përcaktohet edhe ngarkesa që do të kenë në zhvillimin e orëve të mësimit për çdo vit akademik. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
- Në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në këtë kategori përfshihen anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie para ose pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
- Në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar. Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie, duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës.
Fitimi i titujve akademikë
Për fitimin e titullit “Profesor i asociuar” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon gradën shkencore “Doktor”, prej së paku pesë vitesh, është personel akademik i kategorisë “Lektor” dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit.
Për fitimin e titullit “Profesor” mund të aplikojë personeli akademik që gëzon prej së paku pesë vjetësh titullin “Profesor i asociuar”, si dhe përmbush standardet shtetërore për fitimin e titullit.
Personeli akademik i institucioneve të arsimit të lartë, të cilat nuk përmbushin kriteret për dhënien e titujve akademikë, si dhe personat, të cilët nuk janë personel akademik pranë ndonjë institucioni, por përmbushin standardet për fitimin e titujve, paraqesin kërkesën pranë një institucioni, i cili përmbush kriteret për dhënien e titujve.
Dalja në pension e pedagogëve
Personeli akademik që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur, me kërkesën e tij, largohet nga detyra.
Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
Personeli akademik, që mban titullin “Profesor i asociuar”, shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç.
Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë dhe me pëlqimin e tij, ai mund të shërbejë në detyrë edhe pas moshës së lartpërmendur, përmes kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme, sipas përcaktimeve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.
Shkëputja e përkohshme nga vendi i punës
Ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë, lejojnë që një pjesë e personelit akademik të mund të shkëputet përkohësisht nga puna në auditorë, por, pa rrezikuar humbjen e kontratës së punës në vendin përkatës.
Konkretisht në ligj përcaktohet se personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike.
Për periudhën e shkëputjes mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barasvlershëm.

Te perkthyera ne dite pune 8 oreshe, 900 ore pune do te thote qe pedagoget do te puojne 3 muaj ne vit. 300 ore mesm eshte shume mbi normen per nje profesor ne Perendim. Ndersa puna shkencore mund te matet jo me ore por me sasine e parave qe keta profesore arrijne te sjellin ne laboratorin e tyre, me shkrimin e granteve ne Shqiperi apo Europe, me numrin e botimeve, me numrin e studenteve pasuniversitare dhe postdoktoranteve qe udheheqin, me numrin e tezave te masters dhe doktoraturat qe botojne ne vit si edhe me numrine komiteteve qe i sherbejne fakultetit. Po ashtu pedagoget duhet ti sherbejne komunitetit me punen e tyre ne spitale duke i sherbyer pacienteve te semure. Fakulteti do te beje mire te studioje se si vleresohen pedagoget ne universitetet perendimore, jo me ore pune (pervec mesimit) por me prodhimtarine e tyre.