NDJESI

redaktor

Thuaj të vërtetën, thuaje gjithnjë,  pavarësisht çmimit që do të ketë.” –  G. Washington.                                                                       

Që të jem krejt i sinqertë, më duhet të pranoj, se në Shqipëri zëri i komentatorëve dhe analistëve politikë dëgjohet. Këta njerëz të mësuar, i sheh për ditë në shumë studio televizive dhe në shumë gazeta të vendit. Bisedat dhe artikujt e tyre i lexojmë ne njerëzit e thjeshtë, i lexon edhe qeveria, madje, shumë prej tyre e pinë edhe ndonjë kafe, në mos më shumë, me përfaqësues të qeverisë. Por, unë nuk besoj se ka dialog produktiv midis pushtetit dhe këtyre të paguarve prej tij, ndryshe, do të kishte rezultate.

Unë kujtoj fare mirë përkrahjen e këtyre intelektualëve  të shquar partiakë, për nismat qeveritare dhe në mbështetje të personave të veçantë, sic ishte rasti i Bashës dhe Nanos. Unë kujtoj përkrahjen që i dhanë ata  ndërtimit të Parlamentit luksoz, të stadiumit të ri, prishjes së piramidës, vetëm, sa për të numëruar pak prej tyre. Ishin disa prej tyre pro këtyre investimeve luksoze pa fund, në një vend ku populli nuk ngop barkun me bukë, ku njerëzit nuk kanë ku të futin kokën  dhe ku shkollat e spitalet janë pa ngrohje,  pa libra, pa ilaçe, ku siç kam lexuar në shtyp, studentët e mjekësisë nuk kanë libra, por përdorin librat me të cilat ka mësuar gjenerata ime. Për të kuptuar se sa jashtë realitetit janë këto peticione të këtyre analistëve në përkrahje të shpenzimeve luksoze, do t’u kujtoj ndërtimin e Urës Hutson, në vitet e njëzeta në Sh.B.A. Kjo ishte ura më e madhe në Botë që ndërtohej. Thuhet se kur përfundoi ndërtimi i urës, projektuesi i saj u akuzua për shpenzime luksi dhe e dënuan me vdekje (dënimi nuk u ekzekutua).

A nuk janë bërë shpenzime të pajustifikuara dhe a nuk janë projekte luksoze këto që janë bërë e duan të bëjnë në Shqipëri? Sa kushtoi rruga Durrës-Kukës dhe cili është efektiviteti ekonomik i saj? Po ngritja e kirurgjisë për transplantin e veshkave sa kushtoi dhe sa transplante janë kryer atje që të justifikojnë shpenzimin? Po një milion investim për telemedicinën, kush mund të thotë efektivitetin e këtij investimi?  Këto janë vetëm pak nga ato që mund të thuhen. Kush u ndëshkua? Ata që janë përgjegjës për këtë batërdi, e që kanë futur në xhepat e tyre shumë para nga këto investime e tendera të majme,  kanë, akoma, paturpësinë të kërkojnë që populli t’i votojë. Po analistët çfarë bëjnë?. Ata janë të ndarë sipas partive politike dhe interesave të ngushta familjare. Është mjerim kur sheh këta analistë duke u munduar të na bindin se Shqipëria ka përparuar, ndërsa, më rrufjanët prej tyre, duan të tulatin njerëzit duke u thënë në mënyra të ndryshme se “Në luftën midis gjarpërinjve, përsëri gjarpërinjtë do fitojnë.”. Këtë kuptim ka thirrja e tyre për të mos shkuar në votime, për t’i vënë një kryq të madh fletës së votimit, ose për të votuar në favor të pushtetit ekzistues.

Pas këtyre njëzet vjetëve të mundimshëm, që përpiqemi të dalim nga kthetrat e totalitarizmit dhe të kthehemi në një shoqëri normale, kur më shumë se kurrë kërkohet të vlerësohet puna, krijueshmëria, mendja dhe mendimi i vërtetë kritik, për çudi, në marrëdhëniet e pushtetit me inteligjencën, vetëm, pak gjëra kanë ndryshuar.

Çfarë ka ndryshuar?

a-Ka ndryshuar për keq, përfytyrimi i përgjithshëm për inteligjencën. Në qofte se para luftës së dytë botërore, tek ne, inteligjenca përcaktohej si “grupi shoqëror i njerëzve, që mendonin në mënyrë kritike”, gjatë diktaturës dhe sot, me fjalën “inteligjenca”, më shumë nga çdo gjë kuptohet thjesht njeriu që ka shkuar në shkollë, më saktë ka blerë një diplomë. Unë besoj, se vetëm fare pak shqiptarë mendojnë, se këta analistë janë njerëz me ndërgjegje. Por, janë akoma më pak ata që mendojnë, se ky grup i lakejve do të jetë i aftë të kritikojë ndonjëherë pushtetin.

b-Tek ne niveli i ndërgjegjes shoqërore ka rënë aq poshtë, sa populli për kulturë pranon teleshowt  dhe serialet e fëlliqura. Pranon inteligjencën e popit, ku njerëzit lëvizin nëpër  skenë si papagaj dhe vetëm llomotisin e këndojnë me vithet e zbuluara. Qofsha i gabuar dhe të  më gjykojnë specialistët, por unë them, se psikika e fëmijës nuk është në gjendje të përballojë presionin e jashtëzakonshëm psikologjik, që ushtron mënyra si organizohen, për përfitime,  konkurrimet e fëmijëve në të ashtuquajturat talent-show.

Pavarësia e gjykimit, që ishte karakteri dallues parësor i inteligjencës së kohës para-diktatoriale, sot, është zëvendësuar me kompromisin me pushtetin dhe për më keq, janë bërë bashkëpunëtorë me të .

c-Sot, në Shqipëri,  të mefshtit, indiferentët dhe ata që janë blerë, e kanë mbyllur gojën dhe nuk flasin për krizën e kulturës. Njerëzit janë bërë si pulat, atyre nuk u kërkohet mendim për asgjë. Zgjedhja e Presidentit, garantit të Kushtetutës dhe vullnetit të popullit, u bë pa dëgjuar asnjë opinion. Po bëhen reforma si ajo në shëndetësi, pa iu nënshtruar asnjë diskutimi të gjerë intelektual e popullor, ndonëse me to lidhet jeta dhe mirëqenia e njerëzve. Si mund të quhet reformë shëndetësore, ajo që kujdeset për paratë dhe jo për shëndetin e njerëzve. Si mund të lihen këto probleme të mëdha në dorë të disa zyrtarëve, ose deputetëve që kanë interesa të drejtpërdrejta.  Kush nuk e di se në Shqipëri deputetët nuk përfaqësojnë popullin, por vullnetin e kryetarit të partisë, që i vendos në lista.

“Të mos humbim trenin e Europës”, kjo parullë dëgjohet ngado dhe kjo justifikon gjithçka sot në Shqipëri. Madje, si suksese më të mëdha të qeverisë trumbetohen ato që në mënyrë fiktive na afrojnë me Europën. Çfarë fitohet në qoftë se në Europë shkohet i pangrënë, i palarë, i pa edukuar e i pa mësuar, i pakulturuar? Asgjë. Ne do jemi të përbuzurit, të nëpërkëmburit, qytetarë e saj me më pak dinjitet. Nga hyrja në Europë, në gjendjen që jemi, do të fitojë elita dhe fëmijët e saj.

Është koha të shpëtojmë kulturën. Por, a do pushteti ta shpëtojë kulturën? Natyrisht, qeveria mund të japë para për të aromatizuar korridoret e saj, por jo për zhvillimin e kulturës. Para pak muajsh u festua 100 vjetori i shtetit shqiptar. Me cilat këngë, valle, filma, teatro, festivale u prit ky njëqind vjetor? Me ato të Diktaturës? Në këto njëzet vjet është bërë shumë pak. Por, problemi nuk është vetëm mos financimi i kulturës, i shkencës,  dhe arsimimit. Kriza e kulturës nuk zhvillohet vetëm brenda saj, ajo zhvillohet si krizë morale e pushtetit, si rritje e mosbesimit shoqëror ndaj tij dhe si pasojë e gjithë kësaj lulëzon negativizmi, skepticizmi, cinizmi dhe tronditjet e mëdha shoqërore.

Që të shmanget  “shndërrimi i gjithë shoqërisë në një tufë”, nuk mjaftojnë vetëm paratë dhe xixëllimi i propagandës elektorale. Duhet të shmanget gënjeshtra, falsiteti, vjedhjet, krimet dhe më me rëndësi nga të gjitha, të evitohen thirrjet në kor e në përmasa të mëdha për pushtetin dhe sukseset e tij. Duhet të kthehemi në fillesat e inteligjencës shqiptare, në mundësinë për të menduar dhe folur lirisht. Një shembull i qartë që tregon se pushteti nuk e do inteligjencën është mos thirrja e Profesor Rexhep Qoses, në punimet përkujtimore të Akademisë së shkencave, për arsye të qëndrimit të tij intelektual, kundërshtues me pushtetin. Kriza jonë më shumë se krizë e inteligjencës, është krizë e pushtetit. Nuk mund të ndërtohet e forcohet demokracia, kur ajo nga pushteti konceptohet në mënyrë cinike si “përpjekje e pleshtave për të mbytur luanët”.

 

Share This Article
1 Comment
  • Mire i ke thene dr. Per pak nuk te lexova, por aty per aty mendja me tha: ka dallim midis Seksit dhe Ndjesit, ta shoh njehere.
    Pac shendet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *