Dy pandat gjigante mund ”të jenë përshëndetur” sot nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti kinez, Xi Jinping si simbole të miqësisë mes dy vendeve, por jo të gjithë mendojnë se paratë e paguara për ”diplomatet me gëzof” do të kenë efikasitet.
Koopshti zoologjik “Berlin Zoo”, ku çifti i pandave Jiao Qing dhe Meng Meng do të vendosen në një kafaz të ri, me vlerë 10 milion eurosh, duhet t’u paguajë autoriteteve kineze një milion dollarë në vit për dy arinjtë, të cilat i janë marrë hua Kinës për 15 vjet.
“Shoqata konservacioniste (konservacionist – person që mbron dhe ruan ambientin dhe jetën e egër) gjermane e Mbrojtjes së Kafshëve do të kishte dashur që këto para të kishin shkuar drejt modernizimit të kafazeve të felinëve, elefantëve apo arinjve polarë”, tha një zëdhënës i organizatës.
Pandat hanë rreth 40 kilogramë bambu në ditë.

Megjithatë, kopshti zoologjik “Berlin Zoo” beson se Jiao Qing dhe Meng Meng do të ndihmojnë për të siguruar ushqimin e tyre duke gjeneruar një valë vizitorësh.
Dyqani i kopshtit zoologjik tashmë është furnizuar me lodra të pandave, gota me panda dhe suvenirë të tjerë.
Gjithashtu, autoritetet kineze dhe të Berlinit shpresojnë se pandat meshkuj dhe femra do të mund të riprodhojnë pasardhës që do të kthehen në Kinë.
Çfarë është “Panda diplomacia”?
Ariu panda është një nga simbolet e Kinës. Të gjithë e dinë se atdheu i këtij ariu të rrallë tepër të pëlqyer nga të gjithë është Kina.
Diplomacia kineze hershëm ka përdorur pandat si dhuratat diplomatike për vendet e tjera. Kjo praktikë ka ekzistuar që në sundimin e dinastisë kineze Tang në vitet 625-705, kur perandori Wu Zetian i dërgoi një çift pandash perandorit japonez. Kjo praktikë diplomatike rinisi në vitet 50-të të shekullit të kaluar për të vazhduar suksesshëm deri në ditët tona.
Huazimi i pandave kineze
Një kopsht zoologjik me panda ndryshon shumë në cilësinë e tij nga një kopsht zoologjik pa ariun e adhuruar. Ndaj kopshte të ndryshëm zoologjikë marrin panda me qira nga Kina. Por Kina ka vendosur rregulla të forta për këtë.

Marrja me qira e pandave bëhet për një periudhë 10-15 vjeçare dhe qiraja vjetore është 1 milion dollarë amerikanë. Pas 10 vjetësh pandat rikthehen në atdheun e tyre Kinë. Paratë e mbledhura nga qiraja e pandave i jepen Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve të egra të Kinës.
