Skënderbeu siguroi mbrëmjen e djeshme kalimin në raundin e dytë të “Europa League”, pas fitoren 5-0 ndaj ekipit nga Andorra, Sant Julia.
Në turin tjetër të këtij kompeticioni europian, të besuarit e trajnerit Ilir Daja do të përballen me kazakët e Kairat Almaty. Rivalët e ardhshëm të kuqebardhëve e siguruan kalimin më tej pas fitores së përgjithshme 8-1 ndaj lituanezëve të Atlantas. Skuadra nga Almaty vjen në përfaqësimin europian pasi e mbylli sezonin e shkuar në vendin e 2-të, 7 pikë pas Astanës së vendit të parë.
Kjo nuk është hera e parë që Kairat përballet me skuadra shqiptare në Kupat e Europës. Në të kaluarën, rivalët e raundit të 2-të të Skënderbeut janë ndeshur me Kukësin dhe Teutën, në të dyja rastet është kualifikuar për më tej.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 13 korrik në “Almaty Central Stadium”, ndërsa ajo e kthimit pas një jave, në Korçë. Vlen të theksohet se pas fitores ndaj Sant Juliá, Skënderbeu është nisur drejt Stambollit, ku do të zhvillojë 5 ditë përgatitje në kuadër të ndeshjes së parë në Kazakistan.
