Tragjedia, si u vra në Patok piloti Bego Hoxha, nipi i Hysni Kapos

anazapta

Ekskluzive / 81-vjeçari Skënder Dusha, ish-specialist i njohur i Aviacionit Luftarak rrëfen miqësinë e Ismail Kadaresë me aviatorët e Rinasit gjatë kohës që ai u dërgua për stazh në aviacion në vitin 1973. Si ndodhi tragjedia ajrore e 16 marsit 1974 ku humbi jetën piloti Bego Hoxha, nipi i Hysni Kapos.

 

Skënder Dusha: Në ceremoni mori pjesë dhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili u miqësua me pilotin Bego Hoxha gjatë kohës që bëri stazhin në aeroportin e Rinasit. Instruktorët refuzuan titullimin e Hoxhës pilot që në shkollë, por pasi ishte nipi i Hysni Kapos, ndërhynë eprorët dhe u pajis me diplomën e pilotimit

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Tragjedia ajrore e 16 marsit të vitit 1974 ku humbi jetën në Patok të Lezhës piloti Bego Hoxha, u vlerësua si një nga ngjarjet e rënda të aviacionit jo vetëm për shkaqet që e sollën, por dhe për faktin se viktima ishte nipi(djali i motrës) së Hysni Kapos. Specialistë të aviacionit, që kohën kur Bego ishte kursant në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, nisur nga disa karakteristika psikologjike (shpërqendrim vëmendje) kishin këmbëngulur që ai të ndërpriste studimet. Por komandanti i shkollës, nuk qe dakord… Sipas intervistës së Skënder Dushës, Bego Hoxha, titullari i Shkollës së  Aviacionit u shpreh se “e vrava unë Bego Hoxhën”, por kjo ishte thjeshtë pendesë…  Në rrëfimin e tij, Dusha flet edhe për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të pilotit dhe të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili, atë vit u dërgua për stazh në Rinas e punoi shumë kohë mes pilotëve…

 

Zoti Skënder! Në aviacion, kanë ndodhur disa tragjedi të rënda me viktima të shumta pilotësh… Si specialist, cilat ishin shkaqet kryesore të këtyre tragjedive?

Jeta dhe profesioni i pilotit janë nga më të vështirat, e ka dhe premisa për katastrofa e tragjedi… Përmenda më parë se gabimi sado i vogël i pilotit, kushton shtrenjtë… Në mos gaboj, nga tragjeditë e ndodhura ndër vite, që nga ajo e vitit 1947 kur humbi jetën piloti Ibush Vokshi e deri tek ajo e fundit, e vitit 2008 kur u vra piloti Qemal Koni, janë shënuar 39 viktima… Pjesën më të madhe të viktimave, unë i kam njohur nga afër, pasi më ka lidhur funksioni që kryeja. Përmend këtu pilotët që ranë në krye të detyrës Qemal Mërtirin në vitin 1952, Vasil Trashën në vitin 1958, Hektor Lakon në vitin 1962, Sokrat Bashën në vitin 1963, Niko Hoxhën në vitin 1965, Jovan Kaçorrin në vitin 1960, Stilian Tankun në vitin 1967, Muharrem Hidën  e Refik Jazon, Kaso Petroshatin e Shyqyri Ballën në vitin 1971, Azbi Seranin në vitin 1972, Islam Manin në vitin 1973, Bego Hoxhën, Dhimitër Robon e Veiz Kovaçin në vitin 1974, Sefedin Tomçinin në vitin 1997, Vasil Nonin në vitin 1978, Shpëtim Sulën në vitin 1979, Sabri Toçin e Armando Gjokën në vitin 1980, Luto Sadikajn në vitin 1982, Ndue Logun e Haki Skuqin në vitin 1986, Agron Galanxhin, Enver Hakën, Pandeli Zhupën, Tafil Again, Vangjel postolin e Veledin Resulin në vitin 1989, Eduart Kostëdhimën e Fluturim Mollën në vitin 1991, Idriz Hoxhën në vitin 1993, Jani Tarifën në vitin 2005, Vangjel Çondin, Demush Hebën e Qemal Konin në vitin 2008… Ata janë vlerësuar, por mendoj se asnjëherë nuk është thënë plotësisht një nga shkaqet kryesore që kanë ndodhur shumica e tragjedive ajrore…

 

Cili është ky shkak sipas jush?

Ja. Vetëm duke u nisur nga periudha kur kanë ndodhur tragjeditë e rënda ajrore, konstatohet një fakt: Shumica e tyre kanë ndodhur pas heqjes së gradave në ushtrinë shqiptare nga shteti i kohës, në kohën e vendosjes së funksionit politik në ushtri, komisarëve në të gjitha komandat e strukturave aktive e atyre rezervistëve. Për më tepër, disa nga këta, jo vetëm i shikonin e vlerësonin specialistët nëpërmjet biografisë, por zunë dhe pozita kyçe komanduese në specialitete si aviacioni, tanket, etj… Kështu, si pasojë e biografisë, shumë pilotë të talentuar iu hoq e drejta e fluturimit (pasi të ishe pilot duhej të mos kishe asnjë njollë në biografi) dhe u caktuan në funksione të tjera apo u liruan nga ushtria… Ndërsa të tjerë pilotë, ndonëse kishin biografi të mirë, por nuk dalloheshin në aftësitë profesionale, kishin përparësi në fluturime… Kjo bëri që nga kjo kategori, bëheshin incidente të rënda ajrore, ku viktima ishin edhe ata vetë…

Këtu nuk dua të shmang dhe përgjegjësinë (neglizhencën) e drejtuesve të fluturimit si dhe të vetë pilotëve…

 

Cila nga tragjeditë ajrore u ka mbetur në mendje gjatë karrierës suaj të gjatë në aviacion?

Duke qenë për një kohë të gjatë si specialist në aviacion, pothuaj pjesën më të madhe të ngjarjeve të rënda ku kanë humbur jetën pilotët, unë i kam ende në kujtesë… Kjo, pasi në disa prej tyre, kam qenë pjesë e efektivit përgatitor të avionit para nisjes… Por dhe për faktin se pilotët e specialistët ishin të paktë në numër, e në një farë mënyre, mes nesh ekzistonte një shoqëri e miqësi e veçantë, që njihet si lidhje pilotësh. Pra e njihnim njëri-tjetrin, e kur një shok vdes në tragjedi ajrore, ndjen dhimbje, dëshpërim…

Kanë ndodhur tragjedi të rënda, por jo të gjitha për gabime njerëzore, për gabime teknike, por pjesa më e madhe për pa aftësi apo neglizhencë, siç e thashë më parë, dhe të vetë pilotëve apo drejtuesve të fluturimit… Një nga tragjeditë që mund të ishte evituar, është ajo e aksidentimit të pilotit Bego Hoxha, nipi (djali i motrës) i Hysni Kapos. Ndoshta, është tragjedia e vetme ajrore ku komandanti i Shkollës së Aviacionit, Babaçe Faiku, në një moment të ceremonisë mortore të pilotit tha: “E vrava unë Begon, atë nuk duhej ta kishim titulluar pilot!” Është një histori ku pleksen disa gjëra këtu… Por autokritika pas tragjedisë, për rastin në fjalë, nuk ka vlerë më…

 

Kur ka ndodhur tragjedia?

Po. Tragjedia ka ndodhur në vitin 1974, përkatësisht më 16 mars të këtij viti… Hoxha ishte pilot në Rinas, përkatësisht pilot i avionit luftarak supersonik MIG-19. Por unë dua ta nis shumë kohë më parë, kur Bego Hoxha, ishte kursant në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, atje ku instruktorët, mbi vlerësimin e bërë, nuk ishin dakord që ai të diplomohej si pilot. Nga instruktorët, mësimdhënësit, shokët e eprorët ai dallohej si njeri inteligjent, i zgjuar, por herë-herë i shpërqendruar, faktor që është me pasoja për aviatorin…

 

Kush ishte piloti Bego Hoxha dhe karriera e tij nga diplomimi pilot deri në humbjen e jetës në tragjedinë ajrore?

Bego ishte nipi i Hysni Kapos (djali i motrës). Ai ishte një ndër kursantët që kishte dëshirë të bëhej pilot dhe iu dha bursë për të ndjekur Shkollën e Aviacionit në Vlorë. Ai, e përfundoi këtë shkollë në vitin 1972. Në atë kohë, drejtues i Shkollës së Aviacionit ishte Babaçe Faiku. Duke qenë nipi i Hysni Kapos, në një farë mënyre, Bego Hoxha kishte dhe një përkujdesje të veçantë nga titullari Babaçe Faiku. Bego ishte i zgjuar, i shkathët, i shoqërueshëm me shokët, por shfaqte në jetë dhe momente shpërqendrimi, që për pilotin janë të pa pranueshme e me pasoja…

Pra, kjo kishte rënë në sy që kur ai ishte kursant në Shkollën e  Aviacionit. Piloti i njohur Flamur Micko, që ishte njëkohësisht instruktor në këtë shkollë, i kishte thënë disa herë Babaçe Faikut: Bego Hoxha, nuk bëhet e nuk duhet të bëhet pilot! Por Babaçe Faiku, si tolerant që ishte, por dhe për faktin se Bego ishte nipi i Hysni Kapos, neglizhoi këtë këmbëngulje… Bile pati dhe debat midis tyre…

 

Çfarë debati pati?

-Po ja. Në një nga bisedat mes tyre lidhur me Bego Hoxhën, Flamuri, që kishte njohje personale me Hysni Kapon pasi kishin qenë bashkë edhe në luftë, iu drejtua Babaçes: “Unë si mik që e kam Hysni Kapon, i dua të mirën, e ndaj këmbëngul që nipi i tij, Bego, të mos bëhet pilot! Ju mund të këmbëngulni, mund ta mbani në shkollë e mund ta titulloni pilot. Por unë nuk jam dakord.” Por falë këmbënguljes së Babaçes, Bego u bë pilot dhe më pas erdhi si i tillë në aviacionin luftarak… E njihja mirë unë Begon, edhe për faktin se me vëllanë tim, Danten, pilot edhe ai, Bego ishin shokë… Që të dy, shoqëri kishin dhe me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare që qëndroi dissa kohë në Regjimentin e Aviacionit Luftarak në Rinas… Kadareja kishte shoqëri dhe me pilotë të tjerë në aviacion…

 

Vazhdoi më tej shoqëria e Begos dhe Dantes me shkrimtarin Kadare?

Unë nuk e di mirë këtë… Por Bego vdiq pak kohë pasi Kadareja mbaroi stazhin,(në mos gaboj, ndoshta ishte ende tek ne Kadareja), ndërsa Danteja, vëllai im, pas vitit 1990, ka emigruar familjarisht në Kanada ku ndodhet edhe sot…

 

Përse erdhi Ismail Kadare mes pilotëve?

Ka qenë fundi i vitit 1972 apo fillimi i vitit 1973. Kadare ishte atëherë një shkrimtar i njohur dhe i afërt me udhëheqjen e kohës. Si të tillë, si formë privilegji, atë e sollën në aviacion për stash. Por kuptohet, Ismaili ishte intelektual e respektohej nga të gjithë… Kështu që, ndonëse ai vinte për punë fizike, për të parë e punuar në bazë, siç ishte rregulli i kohës, nuk është se bënte në të vërtetë punë të normuar, me orar…

 

Çfarë pune bënte Kadareja në aviacion?

-Punë, ashtu siç bënin intelektualët në atë kohë në gjirin e  klasës punëtore… Por Kadare, “privilegjohej”, ndonëse duhej të vinte çdo ditë në punë… Kështu, ashtu si të gjithë pilotët e punonjësit e tjerë të aviacionit të Rinasit, Ismail kadareja dilte që në mëngjes tek Shtëpia e Ushtarakëve (atëherë tek Rruga e Kavajës), e me autobus shkonte në punë. Po dhe me atë autobus kthehej në Tiranë… Gjatë kësaj kohe Kadare lidhi miqësi me Bego Hoxhën…

 

Cili ishte shkaku i kësaj shoqërie?

Shoqëria mes tyre nisi nga fakti se Bego ishte një djalë kurajoz, thoshte gjëra që të tjerët, dhe pse kishin të njëjtin mendim, nguronin të hapnin gojë… Bile, Bego fliste dhe për situatën e vështirë pas prishjes me rusët, vështirësitë ekonomike, vështirësitë e problemet që shtoheshin dhe në aviacion. Atëherë, ishte e vështirë dhe ndëshkoheshe rëndë nëse në një formë apo në një tjetër shprehje pakënaqësinë më ët vogël për sistemin, problemet që ishin etj… Por Bego, nga që ishte karakter i tillë, por dhe për faktin se ishte nipi i Hysni Kapos, guxonte e bënte gjëra të tilla… Për këtë, Kadareja e admironte dhe kalonte shumë kohë me Begon dhe vëllanë tim Danten… Edhe në ceremoninë mortore të Begos pas tragjedisë së rëndë, Ismail Kadare ishte i pranishëm…

 

Të kthehemi tek tragjedia ajrore ku humbi jetën piloti Bego Hoxha?

Po. Ishte fluturim stërvitor i planëzuar që bënin pilotët e avionëve luftarak, që zakonisht zgjaste 20 minuta. Bego u nis për fluturim. Por këtu, është dhe përgjegjësia e drejtuesve të fluturimit, pasi “nuk e panë” që në kundërshtim me rregullat më të domosdoshëm, ai u la të nisej në fluturim jo me uniformë piloti, por me kapotë!!! Në fakt, si kudo në strukturat e ushtrisë, edhe në aviacion, heqja e gradave, ndikoi jo pak në rënien e disiplinës, shpesh deri dhe në shthurje… Por në aviacion, një shkelje sado më e vogël e rregullave, është me pasoja të rënda pa riparim… Kështu ndodhi dhe në rastin e fluturimit stërvitor .

 

Në çfarë rrethanash ndodhi tragjedia ajrore?

Ishte manovra e fundit, kohë në të cilën piloti Bego Hoxha shpoi retë mbi Patok të Lezhës, por duke neglizhuar avio-horizontin doli me kokë poshtë (rrotat e avionit nga sipër), në një distancë fare të afërt me tokë, duke mos pasur mundësi që të kthehej e të merrte lartësi… Pra u përplas me tokën dhe vdiq…

 

Pati të tjerë në avion së bashku me pilotin Hoxha?

Jo. Ishte i vetëm, pasi avioni luftarak MIG-19 ka vetëm një person, piloti… Të nesërmen u bë ceremonia e varrimit, ku siç thashë dhe më parë, ishte dhe Ismail Kadareja… Kuptohet, ishte dhe Hysni Kapo, daja i viktimës, shokë të tij e të afërm… Në këtë ceremoni, ndodhi dhe një “incident” mes Babaçe Faikut dhe instruktorit të pilotëve, Flamur Mickos…

 

Cili ishte incidenti që ndodhi në ceremoninë e lamtumirës për pilotin e vrarë?

Në ceremoni, përveç shokëve, pilotëve, drejtuesve të aviacionit, titullarë të Ministrisë së Mbrojtjes, merrte pjesë dhe Beqir Balluku, Ministër i Mbrojtjes Popullore, drejtues të Aviacionit, ne shokët e kolegët e Bego Hoxhës… Ju bënë të gjitha nderet, pasi piloti kishte rënë në krye të detyrës… Por më i shqetësuari gjatë kësaj ceremonie, ishte Babaçe Faiku, komandanti i Shkollës së Aviacionit në Vlorë, që në njëfarë mënyre, vetë ndjehej fajtor pasi, përkundër këmbënguljes së instruktorit Micko, kishte insistuar që Bego të bëhej pilot, në kundërshtim me këmbënguljen e inspektorit të pilotimit… Këtu ndodhi dhe ai, që po e quajmë incident…

 

Çfarë ndodhi konkretisht?

Në një moment, mes grupit ku ishin në ceremoni, Babaçe Faiku tha në formë dëshpërimi: “Çfarë t’i them unë shokut Hysni, piloti Bego Hoxha, nipi i tij, vdiq. E vrava unë me duartë e mia!” Por piloti-instruktor Flamur Micko, kurajoz si gjithmonë, edhe në këtë rast nuk ngurroi. U kthye nga Babaçe Faiku dhe i tha: “Tani i thuaj shokut Hysni Kapo atë që të thashë unë atëherë, atë që ky nuk bëhej pilot… Por tani, nuk ka më vlerë…” Në këtë debat në ceremoni, ishte dhe Kadareja… Meqë jemi tek Kadareja, mua, por besoj dhe shumë pilotëve e punonjësve të tjerë të aviacionit, na ka ngelur një peng…

 

Cili është ky peng?

Shkrimtari i madh qëndroi gjatë mes pilotëve, specialistëve, pati dhe shokë midis tyre, ndër ta dhe i ndjeri Bego Hoxha. Por deri tani, ai nuk ka shkruar diçka, apo aq sa dëshirojmë ne për aviacionin e aviatorët… Ndoshta, Kadare mund ta bëjë këtë në të ardhmen…

 

Të kthehemi tek tragjedia, tek analiza dhe përgjegjësitë për të?

Sigurisht, edhe për këtë tragjedi, u bë analiza… Por si gjithmonë, faji mbetet “jetim”, ose siç thonë, “fajet i merr me vete viktima”…

Thashë më parë, piloti gabon njëherë, e gabimi është fatal…

 

(Vijon nesër)

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Tragjedia ajrore e verës së vitit 1971 në Lushnjë ku humbën jetën dy pilotë dhe u gjymtua një i tretë për shkak të humbjes së ekuilibrit të avionit nga mjetet e pa fiksuara dhe shalqinjtë e lënë të lirë në avion.

-Si u gjend Ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku në vendin e tragjedisë dhe porositë që dha për shkaqet e përgjegjësitë e ngjarjes së rëndë.

-Si ndikuan emërimet politike dhe me miqësi në aviacion në shtimin e numrit të tragjedive ajrore me viktima e dëme të mëdha ekonomike.

Share This Article
8 Comments
  • Skender!
    Po te lexoj me kenaqesi,je i sinqerte prandaje me terheq.Me pelqeu shume qe flisje me respekt per pilotet ruse dhe je mirenjohes per ndihmen e madhe qe na kane dhene.Ti je shqipetari i vertete ndryshe nga”shoku Enver” qe pasi kalonte lumin te peshtynte kalin!
    Te pergezoj Skender Dusha!!

    • Eerreee Leme reeee ……. Po kush t’i siguroi ty avionet dhe “miqte ruse ” re Leme ? Mamaja apo Babai ! Po shoku Enver t’i siguroi re Leme ……. Apo te kane lene ndonje “amanet” ata ruset dhe te bene armik me shokun Enver ?

      Lemeeee ve bast qe ……… qe ti nuk e di fare se cfare eshte nje shqiptar i vertete ! Nje shqiptar i vertete nuk i honeps Lemet !

  • Begon e kam pasur shok te nje banke ne Shkollen “Skenderbej”Akoma ruaj letrat qe me ka derguar nga Shkolla e Aviacionit ne Vlore.Karakterin e Begos,artikullshkruesi, e ka pershkruar shume sakte.Eshte e vertete qe kishte miqesi me Ismail Kadarene sepse i pelqente letersia dhe ishte shume debatues.Diten e varrimit ka qene edhe Ismail Kadare .Kemi shkuar me veturen e Sekretarit te KQ te Rinise,I.K., meqe ishim shoke te nje mature.
    Per saktesim : Bego nuk ka mbaruar ne 1972 ,por me kursin e pare te piloteve 1965.Matura jone ka qene 1958-1962.

  • Na shpifet fare me keto kujtime, e keni kthyer gazeten ne nostalgji per “atehere”, paguani mire gazetaret qe te shkruajne si duhet e lerini keto budallalleqe. E di se nuk do ta botoni kete koment, por te pakten ju vete do ta lexoni.

  • O Lesh!
    Po pse ,more palo burre,tallesh me emrin tim?!
    Ti aludon se ruset me kane lene ndonje amanet kunder shokut Enver! Me mahnite me intelegjencen tende!!
    Nuk dua te harxhoj kohen me tyj prandaje do i bie shkurt:Enveri ishte nje bandit i veshur me kostumin komunist per te genjyer lolot si ti,ishte tradhetar i Luftes Antifashiste NCCL.
    Se patem Enverin prandaje na rrezoi Azem Hajdari dhe prandaje vajtem 1/4 shekulli me qelbesiren Sali ne krye.
    Saliistet jane enveriste te kthyer kokposhte!

  • Edhe dy fjale per Leshin dhe te tjeret si ai:
    Aty nja 80 vjet me pare BRSS ndertoi ne Turqine e Ataturkut,kombinate tekstili.Edhe sot,ne sallen-muze te kombinateve,ruhen fotografite e specialisteve sovjetike qe punuan bashke me turqit.Nuk ndihem mire qe turqit dalin me fisnike se ne arrnautet!
    Sovjetiket dhe pas tyre kinezet na konsideronin vellezer dhe na ndihmonin si vellezer,keta popuj
    halle-shume e hiqnin nga goja e tyre dhe na e jepnin neve,jo Enverit tend.Enveret vene e vine,populli mbetet.Njeriu qe e ka skllaverine ne mendje e ne shpirt nuk e kupton kete;per te beu,agai,bajraktari jane gjitheshka,te tjeret jane kope;ai qe mendon ndryshe eshte agjent i rekrutuar.Une kam dhene per Shqiperine me shume se Enveri e Nexhi te marre bashke…..!

  • o skender dusha
    ky dante dusha mos ka fituar strehimin ne kanada si lgbt i diskriminuar ne shqiperi

  • Ishte djali i dajos se Hysni Kapos, jo djali i motres.
    Djali i Isa Hoxhes. dhe dhendi i Andrae Micit kryetar i deges brendeshme Vlore.Perpara se te shkruani merrni te dhena te sakta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *