Mjekja Ilda Xhelili thekson vw nw dukje se janë më tepër të rrezikuar personat që shtresat dhjamore i kanë të përqendruara në zonën përreth barkut, në krahasim më zona të tjera të trupit. Konkretisht, meshkujt që kanë një masë beli më të madhe se 90 cm janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga ky sindrom, kurse për femrat llogaritet masa e belit mbi 80 cm. Për ta zbuluar në kohë duhet të kontrolloni vlerat e tensionit, nivelet e sheqerit në gjak, si dhe yndyrat
Pranvera Kola -DITA
Sindromi metabolik rezulton të jetë ndër kërcënuesit potencial të shëndetit, pasi shton rrezikun për zhvillimin e shpejtë të sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe ndërlikimeve të tjera prej obezitetit.
Megjithatë, shumë pak e dinë në të vërtetë se ç’është ky sindrom dhe rrezikshmërinë që ai paraqet. Mjekja Ilda Xhelili tregon se nga pasojat e këtij sindromi mund të rrezikojmë të gjithë, por shqetësimet fillojnë e bëhen më të shpeshta në moshat e mëdha.
Kryerja e kontrolleve rutinë për matjen e vlerave të tensionit, kolesterolit dhe vlerësimit të mbipeshës, ndihmojnë për kapjen në kohë të rrezikut për praninë e këtij sindromi, si dhe masave që duhet të merren për të parandaluar dëmtimet në shëndet.
Pjesa më e madhe e sëmundjeve të zemrës, ndërlikimeve të diabetit, etj, mund të parandalohen duke bërë disa ndryshime të thjeshta në jetën e përditshme, që kanë të bëjnë me ngrënien, pirjen në mënyrë të shëndetshme, kryerjen e aktivitetit fizik dhe lënien e duhanit, si dhe monitorimin e kolesterolit, peshës trupore dhe glukozës në gjak.
Këshillat e detajuara në lidhje me njohjen e kësaj patologjie dhe masave që duhet të merrni i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
Çfarë është sindromi metabolik dhe sa rrezikojmë prej tij?
Sindromi metabolik përfshin një grup faktorësh rreziku që kërcënojnë shëndetin e organizmit tonë. Në mënyrë të veçantë, sindromi metabolik përfshin presionin e lartë arterial (tensioni i gjakut), nivelin e lartë të sheqerit në gjak, nivelet e larta të kolesterolit në gjak (yndyrat e larta) si edhe obezitetin, të gjithë këta janë faktorë rreziku që kërcënojnë organizmin e njeriut për sëmundje të zemrës dhe të diabetit.
Edhe kur është i pranishëm njëri nga faktorët e rrezikut, situata nuk është në favorin tonë, por kur kombinohen dy, ose tre nga faktorët e mësipërm, dyfishohet rreziku për sëmundjet e enëve të gjakut dhe të zemrës, të cilat mund të përfundojnë në sulme ndaj zemrës (infarkte të rënda, arrest kardiak, etj). Ndërsa rreziku i diabetit mund të pesëfishohet nga kombinimi i këtyre faktorëve të rrezikut.
Kush rrezikon më shumë nga pasojat e këtij sindromi?
Shumica e njerëzve që janë të prekur nga sindromi metabolik janë mbipeshë (obezë). Ky sindrom ka gjithashtu karakter familjar (predispozicion familjar) dhe është më tepër i shprehur te afrikano-amerikanët, aziatikët dhe amerikanët vendas.
Më tej, rreziku i sindromit metabolik rritet me rritjen e moshës. Studimet raportojnë se ky problem po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për shkak të rritjes së nivelit të obezitetit. Por, më tepër janë të rrezikuar ata individë që shtresat dhjamore i kanë të përqendruara në zonën përreth barkut (në krahasim më zona të tjera të trupit).
Por jo vetëm obezët janë të rrezikuar, edhe personat e tjerë, të cilët mund të kenë trashëguar një, ose disa faktorë rreziku nga familjarët e tyre të shkallës së parë (prindër, motër, ose vëlla). Lidhur me përhapjen e sindromit metabolik, rreth 47 milionë njerëz janë të prekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të thotë një në gjashtë persona rezulton i prekur. Meksikanët kanë prevalencën më të lartë të sindromës metabolike.
Po ashtu rezultojnë të prekur rreth 25 për qind e të rriturve në Evropë dhe në Amerikën Latine. Vlerat kanë tendencë të rriten edhe në vendet e Azisë Lindore me rritjen e ritmin të zhvillimit të këtyre vendeve. Prevalenca e sindromit metabolik rritet me rritjen e moshës dhe rreth 40 për qind e njerëzve mbi 60 vjeç preken.
Po shqiptarët sa rrezikojnë nga sindromi metabolik?
Ky fenomen po merr përmasa të mëdha edhe në vendin tonë. Sëmundjet e zemrës dhe të diabetit përbëjnë grupin e parë të sëmundjeve, të cilat rrezikojnë seriozisht shëndetin tonë.
Në varësi edhe të rreziqeve që ky sindrom presupozon, ai mund të njihet ndryshe edhe me emrat: sindromi dysmetabolik, sindromi i rezistencës ndaj insulinës, apo edhe sindromi i obezitetit.
Nëse do të shtronim pyetjen se cilët persona duhet të jenë të shqetësuar për faktorët e rrezikut të sindromit metabolik, përgjigja do të ishte: “Të gjithë”.
Duke pasur parasysh faktin se sa i shpeshtë dhe i zakonshëm është ky problem, të gjithë duhet të kujdesemi për parandalimin e faktorëve të rrezikut.
Sindromi metabolik, siç e theksuam edhe më lart mund të rrisë ndjeshëm rrezikun ndaj problemeve serioze shëndetësore, por në shumicën e rasteve njerëzit nuk e dinë se çfarë përfaqëson sindromi metabolik, ndaj është e domosdoshme që të njihen faktorët e përmendur të rrezikut. .
Cilat janë shenjat klinike më të zakonshme të sindromit metabolik?
Shumica e faktorëve të rrezikut të sindromës metabolike nuk kanë ndonjë simptomë. Shpesh, e vetmja shenjë e dukshme është mbipesha dhe kryesisht e lokalizuar në zonën e barkut. E vetmja mënyrë për të kuptuar nëse jemi të prekur nga sindromi metabolik, është të kryejmë kontrollet rutinë sipas protokolleve shëndetësore të përcaktuara nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit).
Gjatë këtyre ekzaminimeve, mjeku kontrollon presionin e gjakut, sheqerin në gjak dhe kolesterolin (yndyrat). Pra kontrollet e rregullta mjekësore edhe pa pasur shqetësime, janë çelësi për të jetuar një jetë të shëndetshme. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, meshkujt që kanë një masë beli më të madhe se 90 cm janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga ky sindrom, kurse për gratë llogaritet masa e belit mbi 80 cm.
Duhet theksuar se për t’u diagnostikuar me sindromin metabolik, duhet të paktën të përfshihen tre faktorë rreziku. Pesha ka një rol të rëndësishëm në shfaqjen e këtij sindromi, pasi është e pranishme në rreth 22 për qind të individëve që konsiderohen obezë, por edhe në 60 për qind të njerëzve që nuk janë obezë, por prapë nuk kanë peshën e duhur.
Po ashtu, është e pranishme në rreth 5 për qind të njerëzve të cilët kanë peshë normale të trupit, por që në këto raste luajnë rol të madh faktorë të tjerë predispozues.
Cilët janë masat parandaluese që duhet të kemi parasysh?
Modifikimi i stilit të jetesës është trajtimi i preferuar për të shmangur pasojat e sindromit metabolik. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë veçanërisht personat të cilët në pemën e tyre gjenealogjike, kanë familjarë të afërt të prekur nga ky sindrom.
Natyrisht që sfida më e madhe e parandalimit të këtij sindromi mbetet reduktimi i peshës, e cila kërkon një program të përshtatshëm individualisht për dietën dhe ushtrimet fizike. Ndonjëherë medikamente specifike mund të jenë të dobishme, por gjithmonë me këshillimin e mjekut.
Luan rol të rëndësishëm edhe lënia e duhanit, pasi janë të njohura tashmë efektet negative të tij në shëndetin e njeriut. Një program i qëndrueshëm ushtrimesh fizike qoftë edhe 30 minuta për pesë ditë në javë është mjaft i arsyeshëm për reduktimin e obezitetit.
Megjithatë, kjo duhet të jetë gjithmonë në përputhje të plotë me kushtet shëndetësore të organizmit. Pra duhet bërë me këshillimin e mjekut. Në thelb, çdo lëvizje luan rol pozitiv në reduktimin e faktorëve të rrezikut, të cilët çojnë në shfaqjen e sindromit metabolik.

10 këshilla se si duhet të ndryshoni stilin e jetesës
- Mbani një peshë të shëndetshme, vetëm duke vepruar në këtë mënyrë ju do të ulni presionin e lartë të gjakut.
- Kryeni aktivitet fizik rreth 150 minuta në javë, të shpërndarë në ditët e javës. Në mënyrë që stërvitja të jetë e vlefshme, ju duhet të ndiheni më të ngrohtë, me frymëmarrje më të shpeshtë, dhe zemra duhet t’ju rrahë më fort se normalisht.
- Ushqehuni me sa më shumë fruta dhe zarzavate çdo ditë, konsumojini ato më mirë të gjalla ose lehtësisht të pjekura sesa të ziera, për të marrë maksimumin e lëndëve ushqyese; shmangni ushqimet e skuqura.
- Përdorni sa më pak kripë në ushqimet tuaja mos harroni sasinë e madhe të kripës që ndodhet në ushqimet e përpunuara, bukë dhe drithëra, prandaj lexoni gjithmonë etiketat.
- Përdorni sa më pak yndyrë dhe sheqer, kontrolloni gjithmonë etiketën dhe jini veçanërisht të kujdesshëm ndaj yndyrave të hidrogjenizuara dhe sheqernave “të fshehura”, si: saharoza, dekstroza, fruktoza dhe glukoza.
- Mos pini duhan, ai bllokon arteriet më shpejt, dhe shkakton shumë probleme të tjera shëndetësore.
- Reduktoni sasinë e kafeinës që konsumoni , mbani mend, kafeina gjendet në pijet e gazuara si Red Bull, si dhe në kafe dhe çaj.
- Mos pini shumë alkool, respektoni rekomandimet e konsumit ditor të alkoolit.
- Shtoni sa më shumë panxhar dhe lëng panxhari në dietën tuaj, ata janë veçanërisht të dobishëm për uljen e presionit të gjakut.
- Përpiquni të rehatoheni nga stresi, pasi ky i fundit kontribuon në ngritjen e presionit të gjakut, prandaj përpiquni ta shmangni atë nëse është e mundur.
