Obama në Gjermani: “Të reduktojmë 1/3 e armëve atomike”

anazapta

Presidenti amerikan u takua në Berlin me kancelaren gjermane, ku nënvizoi dobinë e programit të kontrollit të NSA-së. Më pas mbajti fjalimin e shumëpritur në Portën e Brandeburgut, thelbi i të cilit ishte propozimi për çarmatimin e 1/3-s së arsenaleve bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë

Në qytetin që vuajti i ndarë nga Muri gjatë Luftës së Ftohtë, aty ku John Fitzgerald Kennedy 50 vjet më parë i bëri për vete gjermanët me frazën e mbetur në histori “Ich bin ein Berliner” (Unë jam një berlinez), Barack Obama mbajti fjalimin e tij në Portën e Brandenburgut.

Presidenti amerikan falenderoi berlinezët për mirëpritjen që i ofruan dhe për angazhimin e tyre në të drejtat civile. “Nuk jam presidenti i parë amerikan që flas nga ky shesh, por jam shumë krenar që po qëndroj në anën e ‘Lindjes’, një haraç që i detyrohemi të kaluarës”, tha ai duke shtuar se ishte pikërisht në këtë vend që berlinezët krijuan një ishull demokracie.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi figurën e kancelares gjermane: “Nga një vajzë nga Lindja, sot ajo është liderja e Gjermanisë. Bashkë me të duam të punojmë për rritje ekonomike dhe punësim”.

Gjatë fjalimit të tij historik, Obama propozoi një nismë madhore: çarmatosjen e fuqive më të mëdha atomike në botë me 1/3 e arsenalit të tyre. “Dua të kërkoj shkurtime të negociuara me Rusinë për të shkuar përtej qëndrimeve të Luftës së Ftohtë mbi çështjen bërthamore. Duhet t’i japim vetes dhe gjithë planetit mundësinë për të jetuar në paqe, duke u përqendruar gjithnjë e më pak në rolin parandalues të armëve bërthamore ”, deklaroi ai.

Një reduktim nga 1.500 në 1.000 pjesë të armëve atomike  amerikane dhe ruse do të kishte një efekt të rëndësishëm simbolik, duke inkurajuar çarmatosjen atomike (kjo është shpresa e Uashingtonit) edhe te vendet e tjera demokratike dhe më pak të tilla që i zotërojnë këto armë. Mbretëria e Bashkuar ka të paktën 200 pjesë bërthamore në 4 nëndetëset e saj, Franca ka 300 të tilla në nëndetëset dhe bombarduesit “Mirage2000N”, Kina zotëron një sasi më të madhe se Franca dhe Britania bashkë. Pastaj vijnë Izraeli, India, Pakistani, Irani dhe Koreja e Veriut. E menjëhershme qe përgjigja e Putinit: “Nuk mund të lejojmë që të luhatet ekuilibri i sistemit të parandalimit strategjik, duke pakësuar efikasitetin e forcave tona bërthamore”.

Presidenti amerikan i këkoi një përpjekje më të madhe të Gjermanisë për ringritjen e ekonomisë evropiane dhe botërore, si dhe në luftën ndaj papunësisë. “Kur i mirëpresim emigrantët me talentin dhe ëndrrat e tyre, atëherë shoqëria përmirësohet”, tha dhe duke iu referuar komunitetit gei dhe lesbike, u shpreh se ishte “domosdoshme një hapje më e madhe e shoqërisë së ‘bashkuar e të lirë’ ndaj këtij komuniteti”.

Para fjalimit, në një konferencë për shtyp me Angela Merkel, Obama foli për çështjet e aktualitetit dhe skandalin “Datagate”. “Duhet të zhdukim ‘muret’ e tjera që janë nëpër botë”, u shpreh duke cituar fjalimin e Reganit në Portën e Branderburgut. Më pas ripërsëriti domosdoshmërinë e programeve të vëzhgimit të zbuluara nga ish-punonjësi i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden. “Është një sistem që na lejon të shpëtojmë jetë. E dimë që ka pasur të paktën 50 kërcënime që janë shmangur falë këtij programi, jo vetëm në SHBA, por edhe në Gjermani. Ai kufizohet vetëm mbi të dhënat mbi terrorizmin dhe kategori të caktuara dhe kjo ndodh gjithmonë nën kontrollin e një gjykate federale. Nuk hymë në email-et e qytetarëve të zakonshëm gjermanë, amerikanë apo britanikë: është një sistem që fokusohet te treguesit”, tha presidenti.
Obama mbërriti në Berlin mbrëmjen e së martës (pas përfundimit të samitit të G8-s), i shoqëruar nga stafi i tij, bashkëshortja Mishelë dhe të bijat, Malia dhe Sasha./ Dorina Gjuzi

 

Share This Article
1 Comment
  • I dashur Obama.
    Kur more pushtetin nga amerikanet e perlotur qe besonin se me ne fund do vendosej drejtesia tek pane fytyren tende te zeze ne podjumin madheshtor te triufatorit te zgjedhjeve, ti premtove dhe premtimet e tua besohej qe vinin nga nje shpirt i pervuajtur si shpirtrat e miljona njererzve me ngjyre te zeze ne Amerike e gjetke. Dhe ti premtove te godisje pikerisht ato qe Xhorxh Bushi, fytyre bardhe, kishte ngritur duke djegur me barot dhe me hekur popuj dhe siperfaqe te pamate te globit. Ti premtove te largoje duart nga Iraku, ti premtove ti jepje fund pushtimit te Afganistanit, ti premtove te mbyllje Guantanamon,kete simbol te pseudodemokracise amerikane , kete simbol te dhunes se paskrupull dhe te pameshirshem mbi trupat dhe psiqiken e njerezve,, qe do ta kishte zili edhe Hitleri.Dhe mire do beje ti kishe çuar ne vend keto premtime.
    Natyrisht,per ata qe besojne se ujku ndron bashke me qimen(lexo ngjyre) edhe zakonin, keto premtime e ben punen e tyre edhe pse asnje prej ketyre premtimev nuk u mbajt. Ndersa per ata qe nuk besojne se ujku e nderon qimen dhe zakonin njeheresh, dihej, keto premtime nuk ishim me shume se nje ampule per te qetesuar shpirtrat e egersuar te miliarda njerezve ane e ken globit. Dhe doli se ju nuk i mbajtet premtimet dhe skish se si ti mbanit sepse ajo qe ju bashkon me Bushi eshte shpirti i zi ndonse ngjyra e lekures eshte krejt e ndryshme.
    Jo pa qellim e parashtrova kete retorike pak me siper. Ju, edhe pse i telendisur moralish nga premtimet e pambajtura dhe kontradita mes atyre qe thoni dhe atyre qe beni, perseri, si Makiaveli leshoni nje premtim tjeter: Propozoni te shkurtoni nje te treten e armeve berthamore. Tamam shaka per ata qe qanin tek te pane per here te pare me fytyren tende te zeze ne podjumin e triumfatorit te zgjedhjeve dhe qanin nga ngasherimi. Ata te gjore te besojne rishtaz. Neriun qe vuan te zit e ullirit nga dhuna e hapur apo e kamufluar, edhe nje genjeshter e kendeshme e ben te buzeqesh dhe ti ndrit fytyra.Po ata nuk e dine qe edhe nje e dhjeta e armeve berthamore qe disponon arsenali i SHBA jane te mjaftueshme per ta kthyer globin ne nje planet te zjarte kurse ju propozoni me solemnitet qe te shkateroni nje te treten e ketij arsenali. Ata nuk e dine gjithashtu qe SHBA ben shpenzime aktuale per teknologji te reja ne fushen e armeve berthamore aq sa do te mjaftonin per ta kthyer sherbimin shendetesor te popullit amerikan nga nje sherbim privat ose pothuajse privat ne nje sherbim publik siç e kane mjafte prej vendeve te zhvilluara ne Europe.
    Dhe ti vazhdon te premtosh….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *