Kryeministrja me dekolte të hapur në parlament

anazapta

Kryeministrja australiane, Julia Gillard, është vënë nën shënjestrën e një gazetareje të rrjetit “Abc”, e cila e ka akuzuar se vishet në mënyrë provokuese. Feministet revoltohen dhe nxjerrin gjokset në “Facebook” në mbështetje të Gillard

Qëkur është bërë gruaja e parë që mori detyrën e kryeministres së Australisë, ka qenë vazhdimisht viktimë e sulmeve vulgare nga ana e rivalëve politikë. Tani që Julia Gillard po zhvillon fushatën elektorale, fyerjet seksiste kundër saj janë shtuar dhe nuk kanë munguar nga seksi i dobët. Këtë herë, ajo që ngre gishtin kundër kryeministres në detyrë, ka qenë Grace Collier, gazetare radiofonike e rrjetit “Abc”, e cila është shprehur: “Moskokëçarja e shefes së qeverisë australiane në nxjerrjen në pah të gjinjve të saj gjatë seancës parlamentare më la mbresa”. Por, kritikat e saj shkaktuan menjëherë zemëratën e mbështetëseve të Gillard që postuan në një faqe në “Facebook” imazhe provokuese të gjokseve të tyre.

Kritikat

E gjitha nisi kur gazetarja Collier, gjatë programit të transmetuar në “Australian Broadcasting Corporation” lançoi një bisedë kundër kryeministres dhe mënyrës së saj të të veshurit: “Duke qenë se është edhe një konsulente industriale, më duket e papërshtatshme mënyra se si paraqitet. Tregon mungesë respekti ndaj vetes, komunitetit australian dhe natyrisht ndaj parlamentit me një prezantim kaq pak profesional. Në çdo vend pune ka norma sjelljeje që duhet të respektohen. Nuk është vetëm një çështje dukjeje, ka të bëjë edhe me shijen e mirë”.Julia Gillard

Reagimi i fanseve

Feministet dhe mbështetëset e Gillard nuk vonuan të reagojnë. Zemërimin e tyre e nxiti blogerja Jennifer Wilson, e cila iu propozoi që të postonin imazhe provokuese në rrjetet sociale. Në pak orë faqja në Facebook, “Destroy the Joint” u “përmbyt” nga imazhet me gjokse në plan të parë dhe komente indinjuese: “Ka ardhur momenti që të gjithë të pranojnë se gratë, veç të tjerave, kanë edhe një gjoks”, shkruan me ironi një nga fanset e Gillard, ndërsa zëdhënësja e protestës, Jenna Price, e cila jep mësim në Universitetin teknologjik të Sidneit, e karikon edhe më shumë dozën: “E vetmja mënyrë për të fshirë këtë tmerr të provokuar nga gjoksi femëror është të dërgojmë drejt Collier-it dhe shokëve të saj mijëra imazhe të ‘asaj gjësë’ që i tremb aq shumë”.

Zgjedhjet e 14 shtatorit

Ashtu siç vunë në dukje vëzhgues të shumtë, fushata aktuale elektorale australiane po shfaqet si më jokorrektja në historinë e vendit anglofon. Vetëm pak ditë më parë gazetari Howard Sattler, u pushua nga puna pasi zhvilloi një intervistë me kryeministren Gillard, ku e pyeste nëse burri i saj ishte “gei meqë kishte punuar si parukier”. Pastaj ishte radha e një feste të organizuar nga partia liberale, kundërshtarja kryesore e partisë laburiste së Gillard, ku ofroheshin pjata që vinin në lojë në mënyrë vulgare format e saj.

Pas gjithë këtyre, gruaja e parë australiane që u bë shefja e qeverisë, rrezikon seriozisht të humbë zgjedhjet më 14 shtator kundër liberalit Tony Abbott. Ndërkohë shumë vëzhgues politikë sigurojnë se goditjet e ulëta dhe seksiste do të vijojnë deri në ditën e fundit të fushatës elektorale./ Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *