Morina e Tirana, dështon seanca e paqes

anazapta

Nuk ka paqe midis klubit të Tiranës dhe Mario Morinës. Seanca e pajtimit midis tyre u mbyll pa sukses. Sulmuesi 20-vjeçar nuk pranoi të rikthehet në klubin që i detyrohet disa rroga të prapambetura nga sezoni i fundit. Takimi që u zhvillua në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbolli, ku ishin të pranishëm përfaqësuesi juridik i Tiranës, lojtari dhe avokati tij, nuk solli asnjë rezultat, pasi qëndrimet e palëve nuk afroheshin në asnjë pikë. Morina ka qenë i vendosur për të mos bërë prapakthehu, pavarësisht premtimeve për shlyerjen e detyrimeve financiare. Nga ana tjetër, Tirana jo vetëm që nuk pranon ta lërë të lirë futbollistin, por ka vendosur që ta ndëshkojë për thyerje të disiplinës së klubit. Në mungesa të një akordi mes palëve kjo çështje i kalon Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, që pritet të mblidhet javën e ardhshme për të shqyrtuar edhe probleme të tjera.

Mario Morina arriti pak ditë më parë një marrëveshje me Skënderbeun, madje zhvilloi edhe një seancë stërvitore në Korçë, para se skuadra të udhëtonte drejt Austrisë për fazën përgatitore. Mirëpo reagimi i menjëhershëm i Tiranës, e detyroi që të ndërpriste stërvitjen me skuadrën e Mirel Josës. Pas Morinës, të tjerë ish-futbollistë të Tiranës pritet t’i drejtohen FSHF-së për rrogat e prapambetura, pasi koha e pritjes ka kaluar çdo limit. Mungesa e financave te skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë pritet të ketë ndikim edhe në merkato, pasi objektivat e trajnerit Nevil Dede si Jetmir Sefa apo Gjelbrim Taipi kanë preferuar vijimin e karrierës me skuadra të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *