Ushtria ringjall legjendën Steaua Bucuresti

Gazeta Dita

Steaua Bucuresti po vjen. Një copë futbolli dhe historie po rikthehet në krye. Nuk është thjeshtë një fjalë goje, ka ndërhyrë ushtria. Kësaj here jo më me armë dhe artilieri, pa deklarata lufte.

Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë do të ristartojë Steaua e Bucaresti, ndonëse nga kategoria e katërt inferior. Një luftë në fushë të tjera, të fituar tashmë kundër Gigi Becali, bosit të futbollit rumun, ish-pronar i markës Steaua Bucuresti.

Prej vitesh Gigi, bashkë me familjarët e tij Giovanni dhe Victor, menaxhon futbollistë dhe trajnerë të përfaqësueses. Futboll, pushtet, pasuri dhe kërkesa absurde, kështu ai u ndesh me ushtrinë.

Ministria e Mbrojtjes ka rikthyer stemën e vjetër dhe e ka prezantuar, pasi ka formuar edhe skuadrën. Dëshiron të ringjallë Steaua e Bucuresti, ekipin që ka dominuar Rumaninë për gati 50 vite.

Në të gjitha mënyrat, legjitime dhe jo legjitime. Thuhet se gjysma e Rumanisë bën tifo për Steaua, por gjithashtu është e lidhur në mënyrë dramatike me regjimin e Ceausescut.

Djali i ish-diktatorit, Valentin, menaxhonte parabolën sportive, Steaua ishte ekipi i ushtrisë, në luftë të përjetshme me Dinamon, që përfaqësonte policinë. Dy dikasteret e merrnin futbollin si një luftë pushteti.

Në vitin 1986 Steaua Bucuresti fitoi Champions League, që asaj kohe quhej ende Kupa e Kampionëve, në finale kundër Barcelonës, ndërkohë që vetëm tre vite më vonë, në 1989 humbi në finale, kundër Milanit të Sacchi.

Fama dhe fyerjet udhëtojnë gjithmonë bashkë për Steaua. Skuadra blihet më vonë nga Gigi Becali, nr.1 i futbollit rumun. Politikan i përfshirë në afera antiligjore, procese dhe histori të denja për një histori spiunazhi.

Në vitin 2011 ushtria kërkoi të merrte sërish stemën e klubit, trofetë dhe gjithçka. Në vitin 2014 gjykata fillimisht i jep të drejtë. Steaua Bucuresti mbuloi stemën në stadium, në fanella, kudo, madje ndryshoi edhe stadiumin ku zhvillonte ndeshjet në shtëpi.

Më pas u desh të ndryshojë emrin në FC FCSB, vazhdon të dominojë kampionatin rumun, por tashmë është zyrtarisht një tjetër skuadër. Steaua e vërtetë po rilind nga hiri i letrave të djegura në përballjet me Gigi Becali, njëri që zakonisht nuk preferon të humbasë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *