Boksieri amerikan Floyd Mayweather vazhdon të mahnisë me jetën e tij jashtë ringut dhe sot është bërë protagonist i disa “selfie” që ka bërë me disa fansa të tij, teksa ishte duke ecur me makinë.
Pas etapës së fundit të turit promovues të zhvilluar në Londër, për duelin e 26 gushtit ndaj Conor McGregor, boksieri është rikthyer në Amerikë, në “fushën” e tij ku dhe fama është më e madhe.
Mayweather ka qenë duke ecur në rrugë me makinën e tij në Harlem, kur është njohur nga disa fansa, që e kanë ndaluar dhe i kanë kërkuar të bëjnë disa foto së bashku.
Dhe boksieri nuk ka përtuar, por pa zbritur nga makina, ka ulur xhamin dhe ka dalë në foto me fansat e tij, që rrethuan makinën për foto, duke ua plotësuar dëshirën.
Pas turit 4-ditor (Los Anxhelos, Toronto, Nju Jork dhe Londër), boksieri amerikan dukej më i qeshur dhe i relaksuar, ndërkohë që vazhdon përgatitjet për duelin ndaj kampionit irlandez të arteve marciale mikse.
Sfida do të zhvillohet në Las Vegas, nga e cila pritet të mblidhet një shumë prej 600 milionë dollarësh. Boksieri 40-vjeçar pati një tur të vështirë verbal me McGregor.

