Nga Jakov Solomon
Beer-Sheva, Israel
Ndërsa jeta rrjedhë dhe vitet ikin, ndodh që të kujtohen miq dhe persona që të kanë ngelur në mendje. Ndodh që disa prej tyre të kenë diçka të përbashkët edhe me ty, apo më shumë se kaq, disa prej tyre të mbeten përjetë si kujtime, jo vetëm të ndarë në vite, por edhe mes dy vendeve. Një nga këta është edhe Harun Dojaka. Z.Harun Dojaka (ndjesë pastë), erdhi në Izrael, thuajse në kohën kur edhe unë mbërrita këtu, pra në fillim të vitit 1991.
Në atë kohë ishin vite të vështira për të dy shtetet. Shqipëria çau portat e errësirës diktatoriale, ndërsa Izraeli ishte akoma nën trysninë e luftës me Irakun, ku përditë binin bomba që për fat nuk goditën asnjëherë objektivat. E shoqja e zoti Dojaka, si shumë të tjerë jehudi, me të drejtën legjitime të riatdhesimit, erdhi me familjen e saj në Izrael, duke u stabilizuar ne qytetin e Ashdodit, një nga qytetet portuale të vendit.
Në takimet e organizuara për festat tona, apo në ceremonitë e dasmave, si edhe në takimet në festen e Pavarësisë, në Ambasadën shqiptare, na jepej rasti të takoheshim jo vetëm me ata të cilët i njihnim në Shqipëri, por edhe me të panjohur. Një nga këto familje ishte dhe ajo e Dojakajve, e cila kish lidhje familjare dhe në qytetin ku banoja unë, në Beer-Sheva.
E shoqja e zotit Dojaka, gruaja e mirë sa vet mirësia, Zonja.Marlena, kishte në këtë qytet, një motër dhe një vëlla, me të cilët ne kishim marrëdhënie shumë të mira miqësore që i kemi ruajtur akoma sot. Im at, që atëherë ishte gjallë, u njohë me z.Harun, të cilin e vlerësonte shumë lart për ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij. Ai na e thoshte shpesh këtë gjë. Unë personalisht kujtohesha se e kisha dëgjuar si një trajner me emër në ekipin e volejbollit të ekipit të vajzave të Dinamos, të cilat i nxori nga kategoria e dytë në të parën dhe pas një viti i bëri kampione të vendit. Aq më tepër, mua më interesonte ai, sepse kohë më vonë, unë isha dhe arbitër volejbolli dhe merrja pjese në aktivitetet sportive të qytetit tim E vlerësoja jo vetëm në atë sport që mua më tërhiqte shumë, por edhe si gjyqtar në atletikë. Haruni i paharruar e kishte pasion volejbollin. Aty kishte pasur rezultate të jashtëzakonshme. Sa erdhi në Izrael, ai menjëherë u lidh me Bashkinë e qytetit të Ashdodit dhe u tregoi gjithë historinë e tij dhe punën si trajner.
Vet kryetari i Bashkisë së atij qyteti, tregoi mjaft interes për z.Harun dhe vendosi ta inkuadrojë atë si trajner kryesor në një ekip vajzash e djemsh shkollash. Nuk kaloi shumë kohe dhe puna e tij e pasionuar filloi të japë rezultatet e para të dukshme. Ekipi vajzave pak kohë më vonë, u bë një nga ekipet më të forta të Izraelit dhe konkurronte me sukses vazhdimisht, duke i dhuruar qytetit diploma e trofe të papara ndonjëherë në Ashdod. Si traditë në Izrael, emër ka bërë basketbolli, i cili shumë herë ka arritur të hyjë në katër ekipet më të mira evropiane dhe disa herë ka qenë edhe finalist në kupën e Evropës. Haruni bëri që edhe sporti i volejbollit të zërë një vend të dukshëm në sportet izraelite Ja kjo ishte fuqia e pasionit të një njeriu të vetëm, i cili me punë dhe shumë djersë, me talent të veçantë nxori në dritë me rezultate mahnitëse, një sport që këtu ishte i dorës së dytë.
Për të është folur edhe më parë me fjalët më të mira. Me rastisi të dëgjoja dy ditë pas largimit të tij në botën e qetësisë, një emision në TV, ku u fol për të. Në atë emision, foli edhe trajneri i mëvonshëm i vajzave kampione të Dinamos, z.Kreshnik Tartari, prej të cilit më mbeti në mendje një fjali tepër modeste, por që ngre lart dhe vlerëson maksimalisht Z.Dojaka. “Ndoshta do të ishte ekip më rezultativ Dinamo, sikur ta kishte akoma z.Haruni e jo unë”
Të gjithë vdesin në këtë botë dhe asnjë nuk është i përjetshëm. Nuk marrim gjë me vete, sepse, siç i thonë një fjalë, kostumi i fundit bëhet pa xhepa, por ne lëmë diçka pas. Dhe Haruni la pas një emër të nderuar, në dy kontinente fqinje, puna e të cilit do të mbetet në piedestalet sportive të të dy vendeve, Shqipëri dhe Izrael.

Prof.Haruni ka qene shembull i punes se palodhur dhe i modestise nder vite. Njeri i ndershem, i zgjuar dhe shume punetor.
Vlerat e ti jane shtuar dhe perforecuar nga bashkeshortja e tij e mrekullueshme, zj.Marlena Dojaka – ish mesuesja ime.
Grua e rralle, e mencur dhe racionale, serioze dhe punembaruar, mbartte me vete edukaten e jashtezakonshme te familjes se saj!