Ronaldo e Messi duhet të dorëzohen, tani fillon epoka e Neymar

Gazeta Dita

Duart në rrjetë dhe kokën të ulur poshtë, për ta parë botën të përmbysur. Aty, pikërisht aty, në atë fotografi të bërë në “MetLife Stadium” të New Jersey, gjatë ndeshjes me Juventus, është Neymar i ri. Versioni përfundimtar.

Braziliani duket se mbahet te rrjeta, pothuajse për të frenuar veten, për shkak të shpejtësisë së madhe në këmbë dhe në mendje, që ka trullosur lojtarët e Allegri-t; dëshpërohet, si të mos ishte kurrë i lumtur për golat e shënuar, se ka ndihmuar Barçën të fitojë dhe tifozët të buzëqeshin; ul kokën poshtë, si të donte të përmbyste hierarkitë e futbollit botëror, gati të ulë nga froni rivalin Cristiano Ronaldo dhe mikun Lionel Messi. Po, sepse ka filluar epoka Neymar.

Shenjat janë dhënë që në sezonin e kaluar, me Barcelona-n që ka qenë në vështirësi më shumë se kurrë. Ai ka marrë për dore ekipin duke realizuar përmbysjen e shekullit, para syve në ekstazë të “Camp Nou” dhe atyre të trishtuar të Verratti-t me shokë. Edhe në disfatën europiane kundër Juventus ai ka qenë i fundit që është dorëzuar.

Në fund të sezonit ka pushuar në jahtin e tij, duke dëgjuar zërat e merkatos. PSG është gati të investojë 222 milionë euro për t’ia marrë Barcelona-s, duke e mbuluar atë vetë në ar me 40 milionë euro në sezon. Edhe këtu, në merkato, ka pasur një përmbysje: rinovimi i Messi-t është harruar, pakënaqësitë e Ronaldo-s as që mund të krahasohen. Gjithçka rrotullohet rreth O’Ney.

Tani ka ardhur momenti i zgjedhjes. Paris Saint-Germain apo Barcelona? Të bëhet Mbreti Diell (Luigji XIV) i ri i Parisit apo të bëhet shkronja më e shndritshme e “MSN”? Po, sepse nëse do të qëndrojë te Barcelona, do të bëhet ekipi i Messi dhe Neymar, jo më skuadra e “Pleshtit”: ta bindësh të qëndrojë do të thotë se ai është e tashmja dhe e ardhmja, me Leon që do të jetë i detyruar të mënjanohet pak.

Nga ana tjetër, Paris Saint-Germain do ta kthente në lojtarin simbol të klubit në botë, me pronarët nga Katari që do të ishin të gatshëm të bënin gjithçka për të dhe jo për CR7, që në dhjetor do të ngrejë Topin e Artë për herë të pestë. Në fund, zgjedhja e tij (dhe e babait) nuk ka rëndësi. Por është e qartë se epoka Neymar ka filluar. Gati të driblojë, ashtu si vetëm ai di të bëjë, Ronaldo-n dhe mikun Leo.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *