“Sulmuesi? Kur të kthehemi nga Kina”. Turneu në Kinë ka përfunduar dhe, tani, Marco Fassone do të vihet në punë për t’i dhuruar qendërsulmuesin Vincenzo Montella-s. Administratori i deleguar i Milan, pasi ka zbarkuar në Milano, ka dashur të frenojë vrapin e kuqezinjve në merkato, por në ditët e ardhshme do të merret Nikola Kalinic.
Numri 9 i Fiorentina-s është larguar për herë të dytë nga grumbullimi me ekipin dhe ka shprehur qartë dëshirën e tij për të kaluar te Milan. Menaxheri i ish-sulmuesit të Dnipro, Erceg, është akoma në Itali dhe do të takohet me dyshen Fassone-Mirabelli për të folur për detajet e fundit të operacionit: 26 milionë euro për të kënaqur Fiorentina-n dhe për të bërë të lumtur Vincenzo Montella-n.
Por nuk mbaron me kaq. Kuqezinjtë janë gati të bëjnë një ofertë të re për Belotti, më të lartë se 50 milionë euro, duke përfshirë edhe kartonët e Niang dhe Paletta. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë të bindet Torino, që do 80 milionë euro në dorë dhe që është gati të rinovojë kontratën e “Gjelit”.
Fassone dhe Mirabelli nuk heqin dorë dhe do të hidhen në sulm për numrin 9 të “Demave”, në mënyrë që të mbyllin përfundimisht çështjen e sulmit dhe për të pasur 3 titullarë të mundshëm, bashkë me Andre Silva, në dispozicion. Po Cutrone? Ronovimi është gati, do të jetë titullar kundër Craiova-s në Europa League, por ideja e Milan është që ta huazojë, në mënyrë që lojtari të rritet në qetësi.
