Situata politike në Shqipëri, korrik-shtator 1943

Ornela

Nga Alketa Luari

Attenzione attenzione, sua maesta il Re Imperatore… – Vini re, vini re, Lartësia e tij, Mbreti Perandor… Nga altoparlanti i radios shtetërore italiane po jepej një lajm që do të ndryshonte fatet e një shteti. Një njoftim që do hynte në historinë botërore në rënien e një diktature, një sistemi totalitar që kishte mbizotëruar në një vend ku mbretëria dhe ekzekutivi i kishin shpallur një luftë në heshtje njëra-tjetrës. Më në fund kishte fituar e para.

Bëhej fjalë për rënien e Benito Musolinit, kryeministrin dhe diktatorin fashist që për 22 vjet kishte udhëhequr vendin në një diktat të egër. Rënia e tij do të thoshte rënia e Partisë Fashiste. Një natë më parë ishte mbledhur Këshilli i Lartë Fashist i thirrur nga Dino Grandi. Kujtojmë këtu që Dino Grandi ishte një nga miqtë personal të Duçes dhe emisari i parë politik i regjimit fashist që vizitoi Shqipërinë në 1924.

Pas një mbledhjeje të gjatë, ku Musolini u kryqëzua me plotë kuptimin e fjalës nga të gjitha anët, shkarkohet plotësisht nga funksionet e ekzekutivit. Të nesërmen Ai do t’i paraqiste mbretit Viktor Emanuelit dorëheqjen dhe po atë ditë do të arrestohej dhe do të dërgohej në një burg të sigurisë së lartë.

Alketa Luari – Historiane

Ishte kjo një panoramë e përmbledhur e një episodi historik por që në thelbin e saj do të bënte një rrotullim total 360 grade të timonit drejt ndryshimit historik të sistemeve.

Po si paraqitej gjendja në Shqipëri? Nëse do të shikohen faktet historike duke i parë ato më në thellësi, le të bëjmë një retrospektivë të tyre.

“Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pati ngjashmëri me skemën politike që u krijua në arenën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike opozitare në shkallë planetare. Nga njëra anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët aspironin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme.”

Kristo Frashëri, intervistë 21/4/2014

Pushtimi i Shqipërisë në 7 prill 1939 nga Italia fashiste do të thoshte kapitullim i mbretit Zog. Tashmë historia dihet, dorëzimi i kurorës mbretërore Mbretit Perandor Viktor Emanuelit nga qeveria e kryeministrit Shefqet Vërlacit, themelimi i Partisë Fashiste Shqiptare nën drejtimin e Tefik Mborjes, të gjitha këto bënë qe në sytë e popullit shqiptar të krijohej një urrejtje dhe mosbesim. Për ta përligjur sa më shumë këtë demonstrim ndjenjash, në fillim të vitit 1940 krijohet një çetë e parë luftarake, që do të emërtohej Çeta e Pezës. Do të ishte kjo çete që do të ndizte fitilin e një lufte që më vonë do të merrte përmasat e një beteje të pashmangshme midis frontit çlirimtar dhe Italisë fashiste.

Dhe frytet do të jepeshin në datën 8 nëntor të vitit 1941. Themelimi i PKSH! Themelimi i kësaj lëvizjeje politike ishte i papritur për këdo. Nëse imagjinata por mbi të gjitha dokumentet e institucioneve shtetërore të asaj kohe do të flisnin (e shprehur në mënyre metaforike: shënim i autorit) kryefjala do të ishte: “Luftë ose kapitullim”.

“Hapin e parë e kryen komunistët shqiptarë, me themelimin më 8 nëntor 1941 të partisë së tyre marksiste-leniniste (PKSH). Që ditën e themelimit, PKSH-ja hoqi dorë nga programi i saj politik me karakter ideologjik: nga organizimi i revolucionit socialist dhe nga vendosja e diktaturës së proletariatit. Me porosi të Kominternit, ajo vuri në themel të programit të saj të ri luftën patriotike për të çliruar atdheun nga okupatori fashist italian, për të rimëkëmbur pavarësinë kombëtare të mohuar dhe për të vendosur në Shqipëri demokracinë popullore. Ajo e linte të hapur derën e bashkëpunimit me të gjitha rrymat patriotike që lëvrinin në Shqipëri, të djathta apo të majta, kapitaliste apo punëtore, fetare apo laike”, Kristo Frashëri.

Kjo e fundit po fillonte të merrte përmasa më të mëdha muaj pas muaji si rezultat zgjerimit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Sistemi fashist në Shqipëri po tkurrej çdo ditë.

Ishin pa dyshim dhe ngjarjet e mëdha politike që u zhvilluan brenda një harku kohor 2 vjeçar si Konferenca e Pezës, Konferenca e Labinotit, Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm.

Konferenca e Pezës

Konferenca e Pezës ishte i pari miting politik në rang kombëtar që u mbajt në 16 shtator 1942.

“Përkrah trajtimeve historike shqiptare edhe në atë botërore vërehen mendime te ndryshme në lidhje me organizimin e kësaj konference, vendimet e së cilës duhej të viheshin në funksion të krijimit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare”. Gjithashtu autori Marenglen Kasmi në librin e tij “Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944” vazhdon me një citat po të historianit Bern Fischer nga libri i tij “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945” ku jepet një panoramë me e qartë e pjesëmarrësve në këtë konferencë.

“Në shtator të 1942 Hoxha ftoi gjithë bajraktarët e veriut, çifligarët bejlerët e jugut dhe liberalët e republikanët që kishin kundërshtuar Zogun në një Konferencë në Pezë”.

Platforma e Luftës Nacional Çlirimtare, pa dallim feje krahine dhe ideje, pa kompromis me pushtuesin u bë lajtmotivi i konferencës në fjalë.

Balli Kombëtar

Nuk ka një datë saktë të krijimit të lëvizjes se Ballit Kombëtar.

“Për herë të parë emri i Ballit Kombëtar përmendet në një shkresë të administratës italiane në gjysmën e parë të vitit 1942”, Marenglen Kasmi, “Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944”.

“Balli Kombëtar ndiqte një kurs i cili lëvizte ndërmjet tentative për qëndresë dhe bashkëpunim. Si Fischer ashtu edhe Neuwirth theksojnë se kishte ballistë të cilët kishin luftuar kundra pushtuesve italianë, por që gjithsesi këto sulme të veçuara luftarake nuk përbënin një direktivë të përgjithshme e të unifikuar të drejtuesve të Ballit Kombëtar.”

“Në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet BK dhe LNÇ përpara kapitullimit të Italisë në verën e vitit 1943, ishin armiqësore por të kufizuara në një luftë të ashpër ideologjike që tregonte për shqetësimin që secila palë kishte për ekzistencën e tjetrës”, Bernd Fischer “Shqipëria gjatë viteve 1943-1945, fq. 187”. Hoxha argumentonte në mënyrë më bindëse se programi oportunist i BK i jepte kujtdo mundësinë të vinte në diskutim patriotizmin e tij”, Marenglen Kasmi, po aty fq. 45.

Përveç kësaj dobësimi kishte ardhur dhe si pasojë e lëvizjeve çlirimtare në Abisini, por dhe nga faktori i brendshëm politik në Itali, rezistenca antifashiste, lëvizjet sindikaliste, madje dhe vetë përbrenda partisë fashiste. Pra të gjitha këto çuan në dobësimin e regjimit fashist.

“Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 1943 partizanët ishin tepër aktivë kundra Boshtit (italianëve dhe gjermanëve) ku bënin pjesë pesë divizione italiane dhe 2 divizione e gjysmë gjermane… Çlironin zonat e caktuara vunë nën kontroll disa qytete të vogla duke i shtyrë pushtuesit në qytete më të mëdha dhe nëpër rrugët kryesore. Misioni amerikan në Shq. P. Lucas, fq. 85.

Nga ana tjetër pushtuesit italianë kishin ndërmarrë që nga marsi i vitit 1943 operacione të ndryshme ndëshkimore kundrejt popullsisë vendase. Vlen për t’u përmendur burgosjet, internimet jo vetëm të elementëve komunistë por mbi të gjitha nacionalistë.

Po si paraqitej panorama e përgjithshme e situatës politike në vend në verën e po atij viti?

Në qershor zhvillohet lufta e Shpiragut, pasi italianët donin të ndërmerrnin një operacion ushtarak të gjerë kundra forcave partizane për të dalë në Ballsh. Një çetë e Ballit në bashkëpunim me ushtrinë italiane u bie nga prapa forcave partizane.

Fakti është se më 10 korrik 1943 LANÇ-i krijoi ushtrinë nacionalçlirimtare me batalione dhe brigada me në krye një shtab të rregullt ushtarak, ndërsa njësitet e armatosura të Ballit Kombëtar ngelën në stadin e çetave të vogla fshatare.

Momentet politike të sipërpërmendura do ishin vendimtare në realizimin e qëllimeve të PKSH.

Hendeku i madh i krijuar mes dy forcave më të mëdha politike PKSH-BK do të çonte në një përplasje pa rrugëdalje për këtë të fundit. Bashkëpunimin me gjermanët!

Duke u mbështetur edhe në tezën e prof. Kristo Frashërit dhe në dokumentacionin e AQSH dhe të arkivave të huaja ato amerikane dhe angleze, del më se e qartë që kjo forcë që në thelbin e saj ngeli e plogësht duke e ulur kredibilitetin në sytë e popullit për më tepër më sytë e aleatëve.

Zbarkimi i misioneve anglo-amerikane në prill ishte një tjetër hap i rëndësishëm në njohjen e luftës antifashiste në arenën ndërkombëtare pasi u njoh në të gjitha këndvështrimet.

Duke i bashkuar të gjitha këto element nxirret konkluzioni se të gjitha faktet flasin për LANÇ-in si forca e vetme në luftë kundër okupatorit italian. Madje këto do të dokumentohen dhe nga dokumentet dhe ditaret e shtatmadhorisë së ushtrisë së Wermahtit.

Por çfarë ndodhi natën e 25 korrikut? A pritej dorëheqja e Benito Musolinit? A pritej rënia e fashizmit?

***

Viti 1943, është viti vendimtar për fatet e Luftës së II Botërore dhe për ato të regjimeve fashiste dhe vihet re një formim i lëvizjeve, organizatave, politike dhe ushtarake, që marrin emrin Rezistenca kudo në Europë. Humbja në frontin Lindor Rus, dhe dështimet në Afrikën Qendrore El Alamein, zbarkimi u fuqive aleate amerikane në Marok dhe Algjeri dhe ndërmarrja e kontrollit mbi Mesdhe përcaktuan një përmbysje në operacionet e Boshtit të së Keqes, iniciativa i kalon në fakt forcave aleate kundër diktaturës nazi-fashiste.

“Një natë më parë – il Grand Consiglio del Fascismo – Këshilli i Lartë Fashist, i kishte kërkuar Benito Musolinit dorëheqjen e tij si Kryetar i Shtetit dhe Sekretar i Partisë Fashiste. Tratativat që Musolini të rrëzohej, kishin filluar në fakt që në fillim të vitit 1943, ku në fshehtësi, një pjesë e mirë e oficerëve të Shtatmadhorisë së ushtrisë italiane, ishin lidhur më shtëpinë mbretërore Savoia, me Mbretin Viktor Emanuelin, duke përgatitur një prapaskenë ndaj Musolinit”. (Alketa Luari – Ishte koha e idealit. Rinia shkollore gjatë okupacionit italian 1939-1943. Shënim i autorit, fq. 180).

Pakënaqësitë gjithashtu ishin dhe në Partinë Fashiste, në Këshillin e Lartë Fashist ku fryma e vjetër, kishte falimentuar në misionin e saj të të qeverisurit. Fryma liberale, konsistonte në një tjetër rrugë, kërkohej që gjithçka ishte shkruar në ligjet e mëparshme të anulohej. Vetë Konti Ciano, ishte nga të parët që kërkoi dorëheqjen e vjehrrit të tij, Musolinit.

Në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, Enver Hoxha do ta kujtonte kështu ngjarjen në fjalë:

“Më 25 korrik, ne mbrëmje, nga një radio me bateri që nuk e ndaja kurrë nga vetja, dëgjuam lajmin e grushtit të shtetit që kishte sjellë në fuqi badolion e arrestimit të Musolinit. Kjo ishte një ngjarje që fliste për krizën e thellë politike, ekonomike e ushtarake të regjimit fashist, i cili duke sakrifikuar Duçen e tij kërkonte të shpëtonte veten. Sidoqoftë, kjo ngjarje do të kishte reperkusione edhe në vendin tonë dhe për këtë duhej të ishim të përgatitur”. Fq. 281.

Lajmi i rënies së Duçes do të pritej me një entuziazëm të jashtëzakonshëm edhe në Shqipëri. Por përpara kësaj, vlen të përmendim një ngjarje që bëri jehonë në popull: në 21, pra vetëm 4 ditë para rënies së fashizmit, u organizua rrëmbimi i arkivit sekret të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Italia po përjetonte makthin e disfatës, turpin dhe hakmarrjen për atë çfarë kishte ngelur. Situatën në dorë e merr SIMI, që e shton akoma më shumë terrorin në popull. Arrestimet, torturat, zhdukjet pa lënë gjurmë të njerëzve, sidomos komunistëve u bënë më të shpeshta.

Në qytete në të cilat lufta ndaj fashizmit ishte më e madhe, forcat fashiste vepruan sistematikisht me arrestimet, hetuesitë, torturat dhe varjet publike të kundërshtarëve. Kështu në Vlorë, u bë shumë i njohur Marshalli i SIMIT, (Shërbimi Informativ Ushtarak) Logotito, i cili shpesh, viktimat e tij, të burgosurit politikë, i torturonte në kazermat ushtarake, ndërsa në Tiranë, kazerma – burg e rrugës Mbretëresha Elena (sot rruga e Barrikadave) u bë veçanërisht e njohur jo vetëm për shkak të torturave tepër të dhunshme që u nënshtroheshin të burgosurit, por edhe për rastet e vdekjeve që u verifikuan në brendësi të saj. Vlen të përmendim rastet e dy të rinjve shkollorë, Sabaudin Gabrani, Xhezmi Delli, Tomor Sinani, të cilët u arrestuan nga SIMI dhe zhdukën pa lënë gjurmë.

“Pas deklaratave të ministrave të Jashtëm të tre aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist, disa segmente të organizatës balliste, në kundërshtim me krerët e tyre, vendosën t’i jepnin fund pritmërisë dhe të ndërmerrnin veprime të armatosura kundër okupatorit të huaj. Pavarësisht se pesha e tyre në frontin e rezistencës ishte e pakët, veprimet e tyre të armatosura kundër okupatorit nuk mund të injorohen.” Kristo Frashëri, po aty.

Vetëm 5 ditë më vonë dy forcat politike shqiptare do të gjendeshin përballë njëra-tjetrës në fshatin Tapizë, afër Krujës në një përballje “miqësore”.

“Kur më 25 korrik 1943 pas shkarkimit të Musolinit si diktator, u duk i afërt kapitullimi i Italisë, Balli Kombëtar pranoi të hynte në koalicion me LANÇ-in në luftë kundër okupatorit fashist, i cili po jepte grahmat e fundit. Kështu, në fillim të gushtit 1943 Balli Kombëtar lidhi në Kuvendin e Mukjes aleancë me PKSH-në, për luftë të përbashkët kundër okupatorit. Por aleanca dështoi. Mollë sherri u bë çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i Ballit Kombëtar në luftë kundër okupatorit të ri hitlerian”, Kristo Frasheri 2014.

Ishte kjo një përpjekje e fundit e PK për të tërhequr në luftë Ballin, por siç dihet nga të gjithë, ngjarjet rrodhën në kahe të kundërt.

Vetëm pas disa javësh, në 8 shtator Italia fashiste kapitullon.

Merr fund kështu epoka e një Perandorie, ajo për të cilën Musolini mburrej me aq pompozitet në fjalimet e tij që nga ballkoni i Pallatit Venecia.

Por një tjetër epokë po fillonte për Shqipërinë, epoka e instalimit të regjimit komunist!

 

Share This Article
3 Comments
  • Sado e vaket dhe e percipet dhe duke ju referuaruar me paragrafe te veçuar studiuesve te njohur te kesaj periudhe, artikulli percjell njohuri realiste.
    Por fraza e mbylljes se artikullit, nga historiane Alketa,
    ” Por një tjetër epokë po fillonte për Shqipërinë, epoka e instalimit të regjimit komunist! ” – nuk perben vertetesi.
    Regjimi fashist, si dhe e nxjerr historia dhe historiania, shkaterroi dhe ate çike ekonomi dhe ndertime qe kishte trasheguar Shqiperia deri atehere.
    Kurse vendosja e Regjimit Popullor solli ndryshime RRENJESORE ne jeten dhe zhvillimin e gjithanshem te shqiptarit ne çdo cep te Shqiperise..
    Pjesa tjeter , lufta e klasave dhe kufizimi i popullit brenda kufijve, eshte teme shume komplekse e cila mund te analizohet shume me lehte sot, pas 27 viteve te tranzicionit . Historianeve, filozofeve dhe sociologeve profesioniste te sotem, u vijne ne ndihme te gjithe keto vite qe kane nxjerre ne shesh “te mejdanit” fenomene te shumellojshme, rrethana nga me te ndryshmet, te cilat pere nje profesionist jo oportunist , japin te dhena te rendesishme per zgjidhjen e shume enigmave dhe problemeve te veshtira , ne vitet e para te “Demokracise”.

  • Jo rrotullim 360° moj zonja historiane, por rrotullim 180°. Sepse po e bere rrotullimin 360°, del perseri aty ku ishe, sepse behet rrotullim i plote.

  • Kjo mender historiane nuk ka haber fare nga shkenca! Zonja Laje trute i ka te shkalur komplet! Ka shkruar nje palo liber, pa krye e pa fund! Ka nxënë italisht me zor! U plak dhe ende vazhdon ta shkruaj me gabime gjuhen e Dantes!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *