Vrasja e dy vëllezërve në Tropojë, Fatmir Haklaj akuzon liderin e opozitës Sali Berisha

redaktor

(Vijon nga numri i kaluar)

Situata në Tropojë përkeqësohet nga ora në orë, ndërkohë që popullsia tradicionalisht e qetë, ndjek me ankth vrasjet zinxhir që pasojnë njëra-tjetrën, në bazë të një kodi të lashtë hakmarrje mes dy kampeve tashmë të evidentuara plotësisht. Shteti dhe ligji nuk ndjehen.

VRASJA E MULOSMANIT

Është 12 qershor 2000. Salih Mulosmani u vra me breshëri Kallashnikovi përpara karburantit të Bujanit. Vrasësit dyshohet se ishin tre persona dhe udhëtonin me një veturë tip “Opel” me ngjyrë të kuqe, që e dogjën pak orë më vonë. Në vendngjarje u plagos dhe një i ri, kushëri i viktimës, që punonte në karburant.

SULMOHET KULLA E HAKLAJVE

Është 13 shtator i vitit 2000. Një komando me njerëz të armatosur sulmon për herë të parë kullën e fortifikuar të Haklajve në Kërnajë. Objektivi ishte goditja me snajper e Hamdi Haklajt, por atentati dështoi për shkak se qitësi nuk mund t’i afrohej shumë kullës, në të kundërt mund të vritej nga rojet e saj gjatë tërheqjes.

HAKLAJT AKUZOJNË BERISHËN

Duke e ndjerë lakun që i ishte ngushtuar së tepërmi Fatmir Haklaj boton në një të përditshme një letër të hapur për

akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj erisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e rregjistruar gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri. Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait i Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin “Kosova” të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi së tepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Beri – sha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.

KASETA FILMIKE

Gjatë fjalimit të tij pati një tjetër incident,

këtë radhë me Shkëlqim Haklajn, i cili lëshoi drejt Berishës sharje dhe fyerje personale. Gjatë këtyre momenteve fjala e Berishës është ndërprerë disa herë dhe në kasetën e regjistruar dëgjohet biseda e tij me shoqëruesit. Presidenti është irrituar së tepërmi kur ka parë një reagim të tillë ndaj vizitës së tij pikërisht në vendlindje, në Tropojë. Këtë kasetë, Fatmir Haklaj e ka shtënë në dorë nga persona të stafit të presidencës gjatë kohës që erdhën në pushtet socialistët. Fatmiri bëri lidhjen mes fjalëve të Berishës në mitingun e 22 qershorit 1997, ku dëgjohet që ai kërkon patjetër arrestimin e Shkëlqim Haklajt nga Garda e Republikës si dhe vrasjes së 5 janarit 1998, në Qafë Luzhë, ku mbeti i vrarë në pritë, pikërisht Shkëlqimi. Kjo kasetë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme nga plaku i Haklajve, Muharrem Haklaj. Madje një kopje të saj e ka marrë dhe prokurorja norvegjeze e çështjes “Hajdari”, Siri Frigard. Prokuroria nuk ka hetuar kurrë nëse kjo kasetë përbën një provë ligjore apo nëse biseda që dëgjohet në të, shërbeu më pas si zanafilla e asaj që sot quhet “Dosja Tropoja”.

 

BERISHA: BENGASIN E VRAU SHIK-u

Më 1 nëntor 2000 ndodh një tjetër ngjarje që e vendos në qendër të vëmendjes Tropojën. Dy furgonë tip Iveko të repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë “Brisku”, që po kryenin një patrullim rutinë në aksin Bajram Curri-Dragobi, u sulmuan me armë zjarri nga një grup personash të armatosur në fshatin Shoshan. Si rezultat i këtij sulmi mbeti i vrarë, komandanti grupit, Major Ylvi Bengasi, ndërsa dy mjetet e policisë pësuan dëmtime të mëdha. Ngjarja krijoi rritim në gjithë vendin. Policia akuzoi strukturat e PD-së se kishin inskenuar këtë akt kriminal. Në të vërtetë, ky sulm ishte një lajthitje e rëndë e personave të armatosur që ndodheshin në fshatin Shoshan.  Ata ishin njoftuar se dy furgonat e Briskut po u dilnin pas shpine, për t’u marrë krahët. Por trupat e Briskut po bënin thjeshtë një vizitë për të parë bukuritë e Grykës së Dragobisë edhe pse kishin lëvizur pa urdhër nga komisariati i Bajram Currit. Kjo ngjarje që vazhdon të jetë e pazbuluar edhe pas 7 vitesh, ishte vetëm një testim për provën gjenerale që do të bëhej katër javë më vonë mbi komisariatin e Tropojës.

 

PASOJAT e konfliktit BERISHA-HAKLAJ

Dega lokale e Partisë Demokratike në Tropojë, gati u shpërbë krejtësisht pas incidentit të Presidentit Berisha me Haklajt në 22 qershor 1997. Në dy vitet e mëvonshme që u kaluan nën thundrën e Fatmir Haklajt, kjo degë ekzistoi vetëm formalisht. Me vendosjen e forcave speciale në Tropojë pas atentatit të 4 gushtit 1999 dhe vrasjes së Fatmirit më 4 nëntor të po atij viti, opozita kishte nevojë të rindërtonte strukturat e saj për të mos lënë vakuum një nga bastionet më të fuqishme që kishte në vend. Demokratët në Tropojë nuk mund të drejtoheshin nga persona të ngujuar në kulla, apo që lëviznin ilegalisht për shkak të hakmarrjes nga Haklajt dhe njerëzit e tyre. Në këto rrethana, lideri i PD-së Sali Berisha, për të fituar terrenin e humbur vendosi t’u kundërpërgjigjet të majtëve në Tropojë duke përzgjedhur një tjetër Haklaj, kushëri dhe i afërt me kundërshtarët e tij të betuar. Misioni i tij ishte rindërtimi i opozitës në Tropojë për t’ia rikthyer sërish këtë zonë të djathtës. Azgan Haklaj ishte futur që më parë në radhët e PD-së së Tropojës së bashku me Shkëlqimin, që u vra në pritën e 5 janarit 1998 në Qafën e Luzhës. Ai e pa vdekjen me sy, kur u plagos në mes të Bajram Currit më 9 prill 1998, vepër për të cilën u arrestua dhe u dënua me 13 vite burg Idajet Gjeçi, dënim i cili iu minimizua më pas në Gjykatën e Apelit.

 

ILIR META

Hileja e liderit të opozitës nisi të funksiononte. Ai u nxori përballë Haklajve, një tjetër Haklaj, gjak i tyre, i cili ishte rritur me ta dhe kullat i ndanin nga njëra-tjetra vetëm 4-5 metra distancë. Pavarësisht ashpërsisë së akuzave që merrnin prej Azganit, Haklajt nuk mund të ekzekutonin djalin e vetëm të kushëririt të afërt. Energjia e Azganit për t’i bërë presion strukturave të qeverisë në Tropojë dhe devotshmëria e tij ndaj liderit të opozitës Berisha, mblodhi rreth PD-së një numër të madh mbështetësish që pak nga pak nisi t’u dalë frika. Rimëkëmbja e strukturave të PD-së në Tropojë pas vitit 1999, u dëshmua qartë në protestën e organizuar gjatë vizitës së  kryeministrit Ilir Meta në Bajram Curri në 26 shtator 2000. Militantët e PD-së u përpoqën ta sabotonin vizitën e kryeministrit socialist duke dashur t’i kthejnë reston për atë që ngjau në qershorin e 1997 me presidentin Berisha. Protesta e dhunshme e militantëve të PD-së rrezikoi të kthehej në një tragjedi, nëse trupat speciale të ardhura nga Tirana dhe eskorta e kryeministrit Meta nuk do të ruanin gjakftohtësinë duke mos iu kundërpërgjigjur turmës me armë. Kryeministri Meta akuzoi liderin e opozitës, Berisha se ishte ai organizatori i kësaj ngjarjeje që mund të kishte sjellë pasoja të rënda.

 

(Vijon nesër)

 

-Vrasja e paralajmëruar e Kolonel Jonuz Hykës dhe akuzat zyrtare të policisë ndaj Haklajt dhe Mulosmanit.

• -Letra e Haklajt dhe akuzat kundër Berishës si urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e regjistruargjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në BajramCurri.

• -Si ndikoi zinxhiri i vrasjeve në Tropojë në vrasjen e kolonelit Gani Malushi.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *