Humbën zgjedhjet, sa lekë duhet të kthejë Partia Demokratike në KQZ. Fitojnë PS dhe LSI

Gazeta Dita

Partia Demokratike dhe Partia Republikane janë dy forcat opozitare që duhet t’i kthejnë buxhetit të shtetit fondet që morën për zgjedhjet e 25 qershorit. Shkak për këtë penalizim është bërë numri i ulët i votave që kanë marrë më 25 qershor.

Kështu Partia Demokratike duhet t’i kthejë buxhetit të shtetit 1.7 milionë lekë të rinj, ndërsa Partia Republikane 2 milionë lekë të rinj. Vendimi që pritet të miratohet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ditën e hënë, do të miratojë fondin shtesë për PS, LSI, PDIU dhe PSD-në e Skënder Gjinushit.

Në listën e partive të penalizuara nga rezultati i ulët e votave janë edhe 11 parti të vogla politike, përfshirë dhe Frymën e Re Demorkatike të Bamir Topit, të cilat kanë shënuar një rezultat dukshëm të dobët në zgjedhje dhe nuk arritën të kalonin pragun e 3 përqindëshit që i bënte ato parti parlamentare.

FRD duhet të kthejë në buxhet 1.1 milionë lekë, ndërsa Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos, duhet t’i kthejë shtetit rreth 470 mijë lekë.

Sfida, Aleanca Demokratike, Partia Aleanca Demokristiane, Partia Komuniste e Shqipërise, Partia Aleanca Popullore për Drejtësi, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar do t’i kthejnë buxhetit 325 mijë lekë, aq sa iu akordua nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve paradhënie për fushatën elektorale.

Fonde shtesë nga buxheti i shtetit do të përfitojnë vetëm 6 parti. Kështu Partia Socialiste do të marrë 2.8 milionë lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrë 1.3 milionë lekë, Partia e Shpëtim Idrizit PDIU-ja 1.4 milionë lekë shtesë, PSD-ja e Skënder Gjinushit 223 mijë lekë, ndërsa Libra e Ben Blushit 501 mijë lekë shtesë nga buxheti i shtetit.

Në total për partitë me rezultat pozitiv krahasuar me vitin 2013, do të ndajnë midis tyre fondin prej 6.3 milionë lekësh.

Në relacionin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve sqarohet qartë se një votë e krahasuar me numrin e zgjedhësve që votuan më 25 qershor vlen 42 lekë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *