Presidenti i Inter, erick Thohir, është kthyer të flasë dhe ka shpjeguar strategjitë financiare të klubit zikaltër. Jo vetëm kaq, sepse numri një i zikaltërve ka folur edhe për Milan-in e ri kinez. Këto kanë qenë fjalët e tij të dhëna gjatë një interviste për të përditshmen e Singaporit “The Straits Times”:
“Nëse e mbani mend, kur kam marrë Inter-in në 2013-ën, kemi nënshkruar paktin për Financial Fair Play. Këtë vit duhet të balancojmë blerjet dhe shitjet e lojtarëve: Inter është në një moment tranzicioni. Milan-i? Ata kanë një strategji të ndryshme për shkak të investitorit të ri. Skuadra që kishin me parë ishte një skuadër tek e cila nuk kishin besim”.
Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar nga kompania “Nielsen Group”, Inter ka 106 milionë mbështetës në Kinë, një aspekt ky që e ka bërë më të kehtë marrjen e klubit nga Suning. “Është e vërtetë, – ka konfirmuar Thohir. – Inter ka të paktën 105 milionë tifozë në Kinë dhe të gjithë e shikojnë Kinën si tregun e madh; për këtë arsye, pas tre vitesh tek Inter, kam vendosur se ishte e drejtë të kishim partnerë kinezë.
Tani të ardhurat e klubit janë më të larta falë tregut kinez dhe ndihmës së Suning, që ka trefishuar buxhetin tonë: kanë marrë Joao mario, Antonio Candreva, Gabigol dhe Roberto Gagliardini, duhet të tregohemi të zgjuar në merkato. Të shpenzosh shumë para nuk të garanton titullin në kampionat”.
