Kristiano Ronaldo ka dalë sot para Gjykatës së Shkallës së Parë të Alarkonit për të dëshmuar në lidhje me akuzat për evazion fiskal të ngritura nga Prokuroria. Ai dyshohet se ka fshehur nga shteti spanjoll një shumë prej 14.7 milionë eurosh.
Portugezi refuzoi të komentonte për mediat atë çfarë tha para gjykatësit, por prestigjiozja spanjolle AS ka zbuluar se ai ka thënë që është duke u akuzuar pa të drejtë vetëm për faktin se është një person publik shumë i njohur.
“Nëse nuk do të quhesha Kristiano Ronaldo, nuk do të isha këtu”, mësohet se i ka thënë Ronaldo gjykatësit.
Ky i fundit nuk e pëlqeu aspak këtë fjali të portugezit dhe iu përgjigj:
“Mos u gaboni, njësoj si ju këtu janë ulur shumë njerëz të tjerë të panjohur. Ju jeni këtu sepse po hetoheni dhe akuzoheni nga Prokuroria mbi disa prova për të cilat drejtësia duhet të marrë një vendim.”
Megjithatë Ronaldo vazhdoi të këmbëngulë në idenë e tij duke thënë sërish: “Jo, jo, gjithçka që po ndodh është sepse unë jam Kristiano Ronaldo.”
