Mbrëmjen e 31 korrikut u mbajt në Tiranë Kongresi i Parë i Ranger-save, Rojeve Mjedisore. Ky takim ishte finalizim i gjithë aktiviteteve të zhvilluara gjatë kësaj jave nga 12 AdZM-të e Qarqeve në vend, të organizuara në kuadër të festimeve të Ditës Botërore të Rejnxhërave, nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Shoqata e Parqeve Kombëtarë të Shqipërisë, me mbështetjen e projektit NaturAL të financuar nga Bashkimi Evropian.
Dita Boterore e Rejnxhërave 31 korrik përkujton dhe vlerëson punën e palodhur dhe rolin e rëndësishëm të rejnxherave në mbarë botën për mbrojtjen e vlerave të spikatura të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Për herë të parë kjo ditë është festuar 10 vite më parë, në vitin 2007.
Kjo ditë është një rast unik për të mbështetur punën jetike të Rangerave, të cilët shpesh janë të ekspozuar ndaj kushteve të rrezikshme mjedisore apo ndaj kafshëve të egra, dhe rrezikojnë jetën e tyre duke u përballur me personat që zhvillojnë aktivitete të paligjshme, si prerja e drurëve, peshkimi apo gjuetia e paligjshme.
Ne Shqipëri, festimet për këtë ditë u zhvilluan gjatë gjithë javës 23–31 Korrik në të 12 Administratat Rajonale të Zonave të Mbrojtura nën moton “Unë dua të jem një Rejnxhër”, duke i përqëndruar aktivitetet kryesisht tek fëmijët, pjesë e shkollave verore, si dhe me komunitetin që jeton përreth Zonave të Mbrojtura.
Përmes aktiviteteve të zhvilluara u synua afrimi dhe edukimi i tyre me dashurinë për natyrën dhe rëndësinë e ruajtjes së saj. Edukimi i brezave është investimi më i madh që mund të bëhet për një vend dhe në këtë linjë aktivitetet me në fokus fëmijët janë të një rëndësie të madhe për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Aktivtetet gjatë kësaj jave patën në fokus Rejnxhërsat si një strukturë shumë e rëndësishme e mbrojtjes së natyrës shqiptare. Rejnxhërat janë punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilët patrullojnë në terren për evidentimin e aktiviteteve të paligjshmei dhe shërbejnë si guida në park për promovimin e vlerave më të spikatura të Zonave të Mbrojtura.
Të gjitha administratat rajonale te zonave te mbrojtura sipas programit të përcaktuar, kanë zhvilluar aktivitete me fëmijët duke ju treguar atyre sesi vepron një rejnxhër në situata të ndryshme për të mbrojtur natyrën, duke i sjellë në terrenin ku rejnxhërat punojnë çdo ditë. Nga ana tjetër aktivitetet janë përqendruar gjithashtu edhe në bisedat dhe diskutimet me komunitetin e zonës rreth përfitimeve që kanë ata duke jetuar afër Zonave të Mbrojtura dhe rolin e Rejnxhërave në mbrojtjen e natyrës.
