(Vijon nga numri i kaluar)
Pas atentatit të 4 gushtit 1999, Fatmir Haklaj u transportua me helikopterë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Njeriu më i fuqishëm i Tropojës i kishte mbijetuar dhe një herë tjetër vdekjes edhe pse këtë radhë iu afrua më shumë se kurrë. Ai nuk vdiq edhe pse i minuan gati një kilometër rrugë, duke u kthyer në një patate të nxehtë në duart e pushtetarëve të majtë. Sapo mori ndihmën e parë mjekësore, forcat speciale rrethuan Spitalin Ushtarak dhe kryen arrestimin e tij. Ministri i Brendshëm, Spartak Poçi qëndroi për 48 orë pas arrestimit të Haklajt, jashtë Tiranës, në jug të vendit. Ai u tha të afërmve të Haklajt se nuk e dinte kush kishte urdhëruar arrestimin e Fatmirit. Pavarësisht se ishte i akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit dhe deri mëngjesin e 4 gushtit, kishte qenë oficer i policisë, për Fatmir Haklajn u gjet si shkak një urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria e Mirditës dhe i miratuar nga gjykata e këtij rrethi, në lidhje me vrasjen e Shaqir Hoxhës më 9 janar 1998.
LIRIMI I HAKLAJT
Qeveritarëve të majtë në Tiranë u kishte mbetur “dopio gjashta” në dorë dhe nuk dinin çfarë të bënin me të. Nëse Fatmir Haklaj mbetej në burg, telashet ishin të mëdha. Mjekët e Spitalit Ushtarak paraqitën një kartelë shëndetësore ku thuhej se plagët që kishte marrë Haklaj në kokë mund të kuroheshin vetëm jashtë vendit, në të kundërt jeta e tij nuk kishte shpëtim. Autoritetet italiane u treguan të gatshme për të marrë përsipër transportin dhe kurimin e tij përtej detit. Por kokat e shtetit në Tiranë nuk donin që Haklaj të largohej jashtë vendit dhe t’u hapte serish telashe. Ministri Poçi deklaroi se kishte biseduar që Haklaj të çohej në Turqi, por disa ditë më vonë kjo mundësi rezultoi një blof për të penguar largimin e Fatmirit drejt Italisë. Më pas ishin diplomatët gjermanë që ofruan një mundësi mjekimi të Haklajt në vendin e tyre. Në këto kushte, pas 44 ditësh qëndrimi në arrest, Fatmir Haklaj u la i lirë, gjatë një seance të pazakontë të zhvilluar në ambientet e Spitalit të Burgut, duke vënë si garanci pasurore kullën e fortifikuar në Kërnajë. Opozita sapo mësoi për lirimin e Haklajt, u hodh dhe një herë në sulm duke akuzuar socialistët se kishin liruar nga burgu vrasësin e Azem Hajdarit. Berisha akuzoi shefin e SHIK-ut Fatos Klosi dhe Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi se kishin realizuar rikthimin e Haklajt në liri. Në të vërtetë Fatmir Haklaj u lirua për t’u eliminuar përfundimisht. Me vdekjen e tij shpëtonin nga sikleti jo vetëm politikanët e majtë që ishin në pushtet, por dhe ata të djathtë, për të cilët Tropoja ishte kthyer në një makth.
MITI I TË FORTËVE
Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani ishin jashtë radhëve të policisë. Lëvizjet e tyre u kthyen në gjysmë ilegale pasi i ruheshin jo vetëm atyre që u ishin betuar për t’i ekzekutuar, por dhe arrestimit nga policia. Pavarësisht se Fatmir Haklaj nuk shfaqej më lirisht rrugëve të Bajram Currit, askush në Tropojë nuk guxonte t’ia përmendte emrin, qoftë dhe me zë të ulët. Ai nuk ishte më në policinë e Tropojës, por fakti që u kishte shpëtuar gjashtë atentateve radhazi, tre prej të cilëve me mina të telekomanduara, e kishte kthyer gati në një mit. Hija e Fatmir Haklajt ishte dhe më e frikshme se prezenca publike e tij në rrugët e Bajram Currit. Ai nisi menjëherë hetimet për të zbuluar kush qëndronte pas atentatit me mina të telekomanduara ku mbetën të vrarë i vëllai Halili dhe Feriz Kërnaja. Vrasja në mes të Bajram Currit e Bislim Hykës, edhe pse krejt i pafajshëm në atë që po ndodhte, ishte një mesazh i qartë, se kush fshihej pas minave. Rivali kryesor i Haklajt dhe Mulosmanit, drejtori i Policisë së Kukësit, Jonuz Hyka, ishte larguar nga detyra pas ngjarjes së 4 gushtit. Ai u emërua shef kuadri në repartin special “Brisku” në kryeqytet. Por transferimi i Hykës nga Kukësi në Tiranë nuk i kishte dhënë fund historisë. Gjatë kohës që Haklaj dergjej në spitalin e burgut në kryeqytet, ndodhi një tjetër atentat, ku për fat të mirë ish-shefi i komisariatit të Tropojës në momentin që u vra Azem Hajdari, Fatmir Meta, mbeti i plagosur. Policia e Tiranës e drejtoi gishtin te Jaho Mulosmani. Motivi ishte fakti që Fatmir Meta raportoi te Ministri i Brendshëm Perikli Teta, se më 12 shtator Jaho ishte në Tiranë dhe kishte shumë mundësi që pikërisht ai ta kishte vrarë deputetin Hajdari. Ish-komisari Meta e deklaroi dhe në procesin “Hajdari”, se mbante në trup plumbat e vrasësve të deputetit demokrat.
JONUZ HYKA
Më 11 tetor 1999, kolonel Jonuz Hyka shkon në Bajram Curri për të transferuar familjen e tij drejt Tiranës. Ai u kontaktua nga komisar Gani Malushi, i cili e paralajmëroi të largohej nga Tropoja, pasi ishte në rrezik serioz për jetën. Malushi i tha Hykës se nëse lëvizte lirisht nëpër rrugët e Bajram Currit, ai nuk kishte asnjë mundësi ta mbronte prej plumbave të atyre që ishin betuar për ta vrarë. Komisari i Tropojës i premtoi Hykës se transferimin e familjes do t’ia bënte ai me mjetet e policisë, në këmbim të largimit të tij sa më parë nga Bajram Curri. Hyka nuk ia vuri veshin këshillës së Kolonel Malushit dhe qëndroi për dy ditë të tjera në Tropojë duke u ekspozuar në qytet. Kjo moskokëçarje e ish-drejtorit të Kukësit rezultoi fatale. Mbrëmjen e 13 tetorit rreth orës 19.20, Hyka po shkonte në banesën e tij në lagjen “Partizani” i shoqëruar nga daja, Muzi Qokaj. Ata nuk arritën të hynin në pallat. Një breshëri automatiku i la të dy të vdekur në vend. Kjo vrasje e dyfishtë ishte një goditje e rëndë jo vetëm për familjen e Hykës, por dhe për autoritetin që shteti po përpiqej të vendoste në Tropojë. Përveçse një titullarë i lartë i policisë, Jonuz Hyka, ishte vëllai i sekretarit të prefekturës së Tiranës dhe i përkiste një familje të lidhur fortë me të majtën.
TË DYSHUARIT
Policia e Tropojës akuzoi menjëherë për ngjarjen, Fatmir Haklajn dhe Jaho Mulosmanin, që ishin ndihmuar sipas saj dhe nga një person i tretë. Dyshimet e policisë u mbështetën dhe në faktin që të nesërmen e kësaj ngjarje, shoferi i SHIK-ut të Tropojës, Sali Mulosmani, babai i Jahos, i shpëtoi një atentati të organizuar ndaj tij. Në mëngjesin e 14 tetorit ai po udhëtonte nga banesa e vet në Bujan, drejt Bajram Currit për të shkuar në punë, kur në dalje të fshatit u bë objektiv i një atentati me minë të telekomanduar. Për fat të mirë Mulosmani shpëtoi vetëm me një plagosje të lehtë, por kjo ngjarje e orientoi policinë drejt djalit të tij, Jahos, i akuzuar për vrasjen e Jonuz Hykës. Vrasja e dyfishtë e 13 tetorit 1999 nuk është provuar kurrë nga drejtësia shqiptare nëse është kryer prej Haklajt dhe Mulosmanit. Madje dosja e saj është arkivuar për mungesë autorësh.
LETRA
Duke e ndjerë lakun që i ishte ngushtuar së tepërmi Fatmir Haklaj boton në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e regjistruar gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri. Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait të Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin “Kosova” të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi së tepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.
KASETA E MITINGUT
Gjatë fjalimit të tij pati një tjetër incident, këtë radhë me Shkëlqim Haklajn, i cili lëshoi drejt Berishës sharje dhe fyerje personale. Gjatë këtyre momenteve fjala e Berishës është ndërprerë disa herë dhe në kasetën e regjistruar dëgjohet biseda e tij me shoqëruesit. Presidenti është irrituar së tepërmi kur ka parë një reagim të tillë ndaj vizitës së tij pikërisht në vendlindje, në Tropojë. Këtë kasetë, Fatmir Haklaj e ka shtënë në dorë nga persona të stafit të presidencës gjatë kohës që erdhën në pushtet socialistët. Fatmiri bëri lidhjen mes fjalëve të Berishës në mitingun e 22 qershorit 1997, ku dëgjohet që ai kërkon patjetër arrestimin e Shkëlqim Haklajt nga Garda e Republikës si dhe vrasjes së 5 janarit 1998, në Qafë Luzhës, ku mbeti i vrarë në pritë, pikërisht Shkëlqimi. Kjo kasetë i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme nga plaku i Haklajve, Muharrem Haklaj. Madje një kopje të saj e ka marrë dhe prokurorja norvegjeze e çështjes “Hajdari”, Siri Frigard. Prokuroria nuk ka hetuar kurrë nëse kjo kasetë përbën një provë ligjore apo nëse biseda që dëgjohet në të, shërbeu më pas si zanafilla e asaj që sot quhet “Dosja Tropoja”.
KOLONEL GANI MALUSHI
Gjatë kohës që Fatmir Haklaj qëndroi në spitalin e burgut situata në Tropojë ndryshoi në disfavor të tij. Disa ditë pas minave të 4 gushtit, në krye të Komisariatit së Tropojës u vendos koloneli i hekurt, Gani Malushi, Dëshmor i Atdheut, i vetmi funksionar i policisë që pranoi të shkonte në Bajram Curri. Në krye të një batalioni forcash speciale, Malushi mori përsipër të riorganizonte komisariatin e Bajram Currit dhe të rivendoste rendin në Tropojë. Ai nisi operacionin e koduar “Ndëshkimi”, që synonte goditjen e të gjithë personave të implikuar në vrasjet e Tropojës. Deklarata e guximshme e Malushit, pak ditë pasi mori detyrën, se në Tropojë kishte vetëm një bandë dhe kjo ishte komisariati i policisë, dha një mesazh të qartë se shteti kishte vendosur të mos toleronte më askënd. Gjatë kohës që Malushi dhe stafi i tij qëndroi në Tropojë skeduan dhe plotësuan me prova pjesën dërmuese të ngjarjeve të rënda që kishin ndodhur gjatë dy viteve 1998-1999. Ai u përplas disa herë me drejtuesit e lartë të policisë dhe të SHIK-ut për shkak se zbuloi që në vrasjet e njëpasnjëshme në Tropojë ishin përfshirë dhe pjesëtarë të strukturave shtetërore. Gani Malushi kërkoi disa herë ndalimin dhe hetimin e personave të implikuar në vendosjen e minave ndaj Fatmir Haklajt dhe në vrasjen e tij. Koloneli nga Kolonja këmbëngulte se në këto ngjarje ishin përfshirë dhe pjesëtarë të forcave speciale, por askush në ministri nuk e vuri ujin në zjarr për provat që ai dhe stafi i tij zbulonte. Dosja më e plotë që është përpiluar dhe dorëzuar strukturave më të larta të shtetit për ngjarjet në Tropojë është ajo e Gani Malushit. Por nuk dihet ç’ndodhi me këtë dosje pas largimit të tij nga detyra. Ka dyshime se një nga motivet që mund të ketë çuar në ekzekutimin mafioz të Kolonel Gani Malushit, është pikërisht fakti që ai ishte futur thellë në skenarin që përgjaku Tropojën. Me eliminimin fizik të tij u zhduk një nga personat më të informuar për atentatet e njëpasnjëshme që kishin ndodhur në veri të vendit.
FAQE 2
Ylli Haklaj qëlloi me kallash altopolantët,
Berisha: S’dal nga Tropoja pa e marrë me vete
-Urdhri pas fyerjeve që bëri Shkëlqim Haklajt-
Kaseta e incizuar me fjalën që presidenti Berisha mbajti në Bajram Curri më 22 qershor 1997, ra në duart e Fatmir Haklajt në rrethana ende të pasqaruara. Në kasetë dëgjohet disa herë që presidenti u jep urdhër shoqëruesve të tij të arrestojnë patjetër një person që nuk përcaktohet me emër. Por të gjithë pjesëmarrësit në këtë miting e mbajnë mend shumë mirë se gjatë fjalës së Berishës, Shkëlqim Haklaj i është kundërpërgjigjur duke e sharë dhe fyer personalisht. Trupat e Gardës nuk mundën ta arrestonin Haklajn atë ditë, por ai u vra gjashtë muaj më vonë në një pritë të organizuar në Qafën e Luzhës, duke u kthyer në zanafilla e tragjedisë që përgjaku Tropojën. Më poshtë po botojmë të plotë transkiptimin e fjalimit të Berishës.
“Ju falënderoj dhe ju jap fjalën se më datën 29(qershor 1997) e mbrapa, bandat dhe banditët, kriminelët dhe fundërrinat do të marrin vendin që u përket. Ju jap fjalën se ju do të gëzoni rendin, do të gëzoni qetësinë, do të gëzoni dinjitetin që meritoni. S’do të mund t’ju nëpërkëmb kurrë kush, ju malësorëve trima. Do të shfarosim komunizmin, do të ç’rrënjosim komunizmin, farën e serbit, farën e përçarjes, farën e ndasive kombëtare. Do t’i them dy fjalë atij deputetit socialist. Në qoftë se mendon se do të marrë vota me kriminelë, jap fjalën para jush, se s’do ta gëzojë asnjë ditë, asnjë ditë, asnjë ditë! Ta dijë mirë fjalën time, unë mbaj mirë fjalën. Atyre, atyre që ju vranë juve nën breshëri, që ju vranë fëmijët tuaj nën breshëri me porosi të serbit dhe të Fatos Nanos, do tua tregojmë atë që meritojnë. Ju të jeni të sigurt se ne do fitojmë, se ne do rivendosim Shqipërinë atje ku është. Le të qëllojnë sot, edhe tetë ditë kanë afat, edhe tetë ditë. Pas tetë ditësh kanë fundin e turpit, fundin e historisë, fundërrina siç janë…. “Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne …”(Urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së fyeri presidentin) Vëllezër e motra… “Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë.”(Urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës). Vëllezër dhe motra, 29 qershori do të ndajë Shqipërinë nga rebelimi, do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara, do të rivendosë demokracinë, do të vendos dinjitetin, do të vendosë integritetin, do të vendosë unitetin kombëtar.
Tropojas, tropojas, Fatos Nano dhe Din Selimi ju vinë juve me horra, por ne do t’iu tregojmë vendin të gjithëve. Ju jap fjalën e nderit, do marrin vendin që meritojnë. Ata që mendojnë të marrin vota me serbin, do marrin atë që u ka dhënë gjithmonë Tropoja. Ata që duan të marrin vota me serbin, do ta paguajnë shumë shtrenjtë votën e serbit. Ju bëj thirrje vëllazërore socialistëve të Tropojës, të ndahen, të largohen nga bandat e serbit në Tropojë. Të largohen prej tyre, të bashkohemi bashkë për demokracinë, për dinjitetin, për Shqipërinë. Rroftë populli i Tropojës, rroftë Shqipëria! Vëllezër, unë kam ardhur sot te ju, të paraqes kandidat për deputet, njërin nga bijtë më të shquar të Malësisë së Gjakovës, tribunin e lëvizjes studentore për liri, zotin Azem Hajdari. Vëllezër, unë kam besim të madh te ju, asnjë votë serbit, asnjë votë serbit, votat demokracisë, votat Shqipërisë. “Nisi njerëzit ë. Nisi njerëzit që tani, se ajo është kategorike. Nuk dal nga Tropoja pa e marrë me vete atë unë” (Urdhëron serish eskortën e tij Berisha. Gjatë kësaj kohe Shkëlqim Haklajt i janë bashkuar dhe 4-5 persona të tjerë që shajnë presidentin). Vëllezër dhe motra, unë kam ardh sot te ju për të paraqit Xhevdet Mehmetin, një nga demokratët e parë të Partisë Demokratike në Tropojë. Unë jap fjalën se, unë jap fjalën se të dy deputetët tuaj do të punojnë pa u lodhur për të realizue të gjithë projektet që u ndërprenë nga rebelimi në Tropojë. Para së gjithash për të zhdukur bandat e ndyra, hajdutë e banditë, terroristë të shitur te serbi. Dhe pastaj do të sjellim te ju energjinë elektrike, shkollat dhe të gjitha. Rendin e çfarë ju nevojitet ju. Edhe njëherë, edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për këtë pritje madhështore. Ju siguroj se jam krenuar krenarë çdo herë me ju, se keni qenë dhe mbeteni krenaria ime. Dhe se përveç detyrimit ndaj jush nuk ndjej asgjë tjetër. Ju falënderoj për pritjen. Rroftë Tropoja! Rroftë Shqipëria! Rroftë uniteti kombëtar! Rroftë demokracia! Pas këtij mitingu ish-presidenti Berisha, tani kryeministër i Shqipërisë, nuk ka shkuar më në Tropojë. A.Hoxha
NESËR DO TË LEXONI
-Çfarë evidentoi kolonel Gani Malushi për përplasjet e përgjakshme në Tropojë, përpjekjet për evitimin e tyre deri në ditën e atentatit me pasojë vdekjen e tij.
-Si dhe pse u vra pas 7 pritash Fatmir Haklaj. Akuzat e familjarëve për shkakun dhe autorët e vrasjes.
-Dëshmia e Aishe Haklajt për vrasjen e të vëllait të saj Fatmirit: “Askush përveç Gani Malushit nuk hetoi për vrasësit e vëllait tim!”

nderim dhe respekt per HAKLAJT TRIMA, berisha i hengri pas shpine ne bashkpunim me shetin ,e fatos nanos e lilo metes ,keta tradhetare qe tradhtuan revolucjonin e 97 . tradhtuan dhe ata qe i sollen pushtet ne 97 ne favor te sali serbit ,qe po ja nxin jeten atij populli dhe sot.
gani malushin e kam njohur ne tirane ne vitet 80. ka punuar tek rajoni 2.
Ka qene nje tip qe kur te fuste ne dore te thynte brinjet.
por ka nje person ne kete bote qe gani malushi nuk e thyu dot. emrin nuk po ja permend.
per kete qe ka bere ne tropoje respekt per punen, si dhe u prefte ne paqe.
te vjen keq kur mendon se si ikin kuadrot kur vendi ka nevoje.
Te gjitha vrasjet ne Tropoj kane ok e qeveris Berisha .
zoti ne gjenet fatmir haklaj trim e pertej trimi te pakten ka vdek si trim e jo si tradhtar e si kurv kurva kan qen ata te cilet e vran mbas shpine respekt familjes haklaj nga s hkupi
te shkruash per qeveritart.asht.gabim sa ma shum qe ti kritikosh aq ma shum bahen te poshter mbi popull…ka djem trima e atdhetar..qe zhgatrrojn qeverin..ate qe bani shteti te haklajt..ka popull e trima ta bajn te qeveritart.te zhduken nje e nga nje aj asht popull.e atdhetar..po shajn njani tjetri dhe urrejn njani tjetrin kte don qeverija..ata nuk jan ma shum se populli qe drejtojn..po perdorin krimin mbi popull qe ti frigsojn popullin..dhe mos te shikjojn se qka bajn ata..futja njanit se tjert ikun si mizat nga qelbsira.bari ropaj usa..dhe ne se doni drejtsi.kjo loj duhet lujt..e jo me fol kot.