Tillerson-Koresë së Veriut: Nuk jemi armiku juaj

Gazeta Dita

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e ka bërë të qartë se ShBA nuk kërkon të rrëzojë regjimin e Kim Jong-un në Korenë e Veriut, por po përpiqet të bindë Penianin se amerikanët nuk janë armiqtë e tyre. Megjithatë, kryediplomati e bëri të qartë se Shtëpia e Bardhë mbetet kundër testimit të armëve. Edhe njëherë, Tillerson pranoi rolin e rëndësishëm të Kinës në këtë situatë, ndërsa kërkoi reagimin e Pekinit ndaj koreano-veriorëve.

Qeveria amerikane nuk po tenton që të rrëzojë regjimin e Koresë së Veriut dhe nuk është një armik i Penianit. Kjo politika zyrtare e Uashingtonit në raport me koreano-veriorët, ndërsa qëndrimin e bëri të ditur Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, në një konferencë për mediat ku u prononcua për cështjet më të ndjeshme të momentit. Gjatë fjalës së tij, kryediplomati amerikan u shpreh se presidenca mbetet e hapur për të patur një dialog konstruktiv për pika të caktuara, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

“Ne kemi rikonfirmuar qëndrimin tonë në raport me Korenë e Veriut dhe nuk kërkojmë ndryshim të regjimit. Nuk kërkojmë rrëzimin e tij dhe as nuk jemi mbështetës të një ribashkimi të menjëhershëm të gadishullit korean. Nuk kërkojmë as një pretekst për të dërguar ushtrinë në paralelin 38. Ne po përpiqemi të bindim Korenë e Veriut se nuk jemi armiqtë e tyre. Megjithatë, ata po testojnë armë. Kjo është e papranueshme për ne dhe na duhet të përgjigjemi.”

Më tej, Sekretari Tillerson sqaroi edhe pozicionin e Presidentit Trump i cili shprehu pakënaqësi me Kinën për mungesën e reagimit ndaj Koresë së Veriut. Sipas numrit një të diplomacisë amerikane, Uashingtoni nuk e bën fajtor Pekinin, por beson se ndikimi i qeverisë kineze mund të përmirësojë situatën. Në mbyllje Tillerson nënvizoi përgjegjësja e vetme për gjëndjen e tensionuar është Koreja e Veriut.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *