INTERVISTA / Gjebrea: PS fitoi e vetme, s’ka nevojë për koalicion

redaktor

Entela Resuli

Elona Gjebrea, për tre vite e gjysmë mbajti postin e zëvendësministres së Brendshme. Në zgjedhjet e 25 Qershorit ajo kryesonte listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës.

Kur duhen më shumë se një muaj që ajo të ulet zyrtarisht në karriget e parlamentit ne biseduam me Gjebrean, për ta njohur më shumë këtë zonjë e cila duket se më shumë ka dëshirë të punojë se sa të bjerë në sy. Me një profil jo shumë mediatik ajo të shtyn për të gërmuar më tepër rreth saj dhe sfidave që ka ndërmend të ndërmarrë katër vitet e ardhshme.

Që në minutat e para të bisedës mësuam se dëshira e parë e Elonës ka qenë të bëhej doktoreshë. Si mund të ndodhte ndryshe për një vajzë që ishte rritur nga dy prindër mjekë.

Por përpara viteve ’90, kur Gjebrea ka ndjekur studimet e larta, jo çdo kërkesë e jotja mund të realizohej, ndaj, në atë kohë i ra shorti për t’u arsimuar në degën e Biologjisë.

“Unë i kam të dy prindërit mjekë. Kam shumë mjekë në familjen time, përfshirë edhe gjyshin. Por kur konkurrova, e pashë veten në listën e degës së Biologjisë. Jam mërzitur shumë kur kam parë emrin në listë. Asokohe doli një rregull, që i kufizonte fëmijët e mjekëve të aplikonin për Mjekësi. Fusha më afër mjekësisë ishte gjenetika, kështu u promovua Biologjia 5-vjeçare dhe u detyrova jo me shumë dëshirë të pranoja të studioja në këtë fushë të Shkencave të Natyrës dhe që në fakt u bë pasioni im. Nuk jam penduar asnjë moment që kam zgjedhur këtë profesion, ndoshta ishte edhe më mirë se të bëhesha mjeke.

Kam lindur në një familje do të thosha të privilegjuar, me disa mundësi pak më të mira se të tjerët, por prindërit na kanë mësuar se çdo gjë arrihet me punë. Unë bashkë me motrën kemi punuar dhe jemi shkolluar, kemi bërë më të mirën në kushte të vështira, pasi nuk kishte mundësi financiare. Vetëm duke kërkuar edhe gjëra që na dukeshin të pamundura, kemi arritur të shkollohemi. Unë kam bërë një specializim në Suedi e më pas doktoraturë në Angli; motra ime në Uashington etj. Bashkë me bashkëshortin, këtë frymë u kemi edukuar edhe vajzave. Çdo gjë arrihet me punë. Nëse ti dëshiron të prekësh disa objektiva që i ke vënë vetes, ia arrin qëllimit. Me punë dhe me pak fat, çdo gjë është e mundur”.

Në fushën e saj, edhe në këto kohë Elona Gjebrea, vazhdon të mbetet ende e vetmja aerobiologe në Shqipëri, disiplinë për të cilën është doktoruar në vitin 2008, Universitetin e Worcester-it, në Britaninë e Madhe. Edhe pse aerobiologjia nuk ka qenë dashuria e parë e saj, ajo duke investuar kohë dhe mund për këtë degë, arriti që ta donte dhe të kërkonte të thellohej në këtë shkencë jo shumë të njohur në vendin tonë.

“Falë këmbënguljes arrita të anëtarësohem që herët në organizata ndërkombëtare që merreshin me punë kërkimore dhe arrita të isha e vetmja aerobiologe në Shqipëri, një fushë shumë e veçantë dhe e bukur, që lidh biologjinë me mjekësinë dhe merret me analizimin e grimcave të ajrit, të cilat mund të bëhen shkak të fenomeneve alergjike. Kam marrë bursën “Chevening scholar” që jepet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar dhe ndihem e vlerësuar që arrita ta fitoja dhe e kam shpërblyer me punën time dhe i kam shërbyer më mirë vendit tim”- tregon Gjebrea për Dita-n.

Një eksperiencë e vyer për Elonën ka qenë dhe angazhimi në shoqërinë civile. Për 8 vite ka shërbyer si drejtore ekzekutive në Qendrën për Popullsi dhe Zhvillim, ku është marrë me çështje të shëndetit dhe barazisë gjinore.

“Angazhimi im në çështje të ndryshme si lobimi për kuotën gjinore, probleme të shëndetit riprodhues si p.sh: HIV/AIDS, trafikimi i qenieve njerëzore, më kanë plotësuar më mirë në formimin tim. Ka qenë një etapë e bukur e karrierës time, nga e cila kam mësuar shumë”.

Politika

Politika nuk ka qenë qëllimi i saj në jetë. Madje është habitur kur në vitin 2013 kryeministri Edi Rama e thirri dhe i ofroi postin e zëvendësministres së Brendshme.

E mban mend si sot dilemën që e pushtoi për pak minuta duke i bërë pyetje vetes: po unë, ç’duhem në këtë institucion, të cilin e mendonte me peshë të rëndë për shpatullat e saj. Nuk gaboi aspak kur tha Po! I dha vetes një tjetër mundësi, duke ofruar kontributin e saj sidomos si Koordinatore Kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Koha e fushatës i ka shërbyer për t’u njohur nga afër me problematikat e njerëzve.

“Politika dhe të qenit deputete? Mendoj se vendi i parlamentit është vendi i duhur për të ngritur zërin për përmirësim të politikave dhe shërbimeve, duke qenë sa me afër problemeve të njerëzve. Gjatë fushatës, kam parë shumë nevoja për ndërhyrje për të cilat po nuk u ngrit zëri nuk u vjen radha”- tregon ajo, duke na pohuar faktin se gjatë fushatës është njohur edhe më nga afër me shqetësimet e njerëzve në të përditshmen e tyre.

-Ishit e para në listë Elona, çfarë menduat kur patë emrin tuaj në krye?

“Të them të drejtën, e pashë veten si pjesë e grupit që do të luftonte për të arritur atë fitore të madhe për Tiranën. Ndaj mendoj se nuk ka rëndësi radha ku isha e vendosur, por puna në grup dhe rezultati që arritëm”.

Të punosh nga zyra dhe të dalësh në terren e të flasësh me njerëzit, të dëgjosh hallet e tyre, është ndryshe, ndaj edhe për Elonën, kjo fazë ka qenë interesante duke njohur nga afër realitetin e për më tepër problematiket e banorëve të njësisë Nr.1 në kryeqytet që ajo përfaqëson.

“Ka problematika nga më të ndryshmet, por ajo që është më kryesorja, ka të bëjë me legalizimet. Zona ku unë kandidova, është një zonë kryesisht informale, duke filluar nga lagja “Ali Demi” e deri në Shkozë, në kufi me Dajtin, me Farkën, e cila është zgjeruar së fundmi me banorë të ardhur. Pjesa më e madhe kanë ndërtuar pa leje dhe vend e pa vend, duke krijuar vështirësi për ofrim shërbimesh dhe përmirësim infrastrukture. Unë kam dëgjuar e mbajtur shënim çdo problem të banorëve, së bashku me strukturat përkatëse. Ashtu si ka bërë të ditur edhe kryeministri në dëgjesa me popullin, ky do të jetë viti i reformave edhe në lidhje me legalizimet dhe çështjet e pronave, që çdo qytetar të marrë certifikatën siç i takon. Për disa probleme të tjera, edhe personat vetë nuk janë të orientuar dhe nuk kanë ku ta kërkojnë nevojën që kanë. Puna ime nuk përfundon tani që mora mandatin, por tani fillon. Do të hartojmë një strategji informuese për banorët e zonës rreth mundësive që atyre mund t’u jepen për punësim, shkollim, informim”.

Këto ditë të nxehta po i shërbejnë asaj për të bërë një analizë edhe të kapërcimeve që ka bërë në jetë. Brenda një kohë të shkurtër, ka kaluar nga bota akademike, nga e cila nuk ka hequr dorë përfundimisht, në terrenin e vrazhdë të politikës…

“Nuk e kisha menduar në fakt. Politika është një ambient ndryshe. Më i ftohtë por dinamik; pavarësisht, për mua është një sfidë e bukur. Kam një lloj emocioni. Jam mësuar me punë dhe këto ditë nuk po ndjej një periudhë boshllëku, pavarësisht se mendoj se çdo person e ka të nevojshëm pushimin. Edhe pse kam një mungesë adrenaline për momentin dhe mezi pres të filloj nga puna”- shprehet Elona për Dita.

-Eksperienca si zëvendësministre e Brendshme, ia vlejti?

Kur e dëgjova dhe m’u ofrua ky post pata një lloj hezitimi: çlidhje kam unë me këtë punë?! Megjithatë do të kisha bërë gabimin e jetës time nëse nuk do e kisha pranuar si post. Mendoj se nëse punohet me seriozitet, në çdo punë, nuk ka gjë që nuk arrihet. Në fakt kur e shikon nga jashtë, duket një post i vështirë. Për mua ka qenë një eksperiencë e vlefshme, ku kam marr dhe kam dhënë shumë.

E mira ka qenë se kam pasur një punë specifike, një target që kishte të bënte shumë me luftën ndaj trafikimit ë personave dhe kur e mora detyrën Shqipëria ishte vendosur në listën e zezë të vendeve trafikimit të personave; ajo që njihej si kategoria dy e vendeve në vëzhgim.

Nëse Shqipëria, në vitin 2014, nuk do të dilte nga ajo listë, rrezikoheshim që SHBA të ndërmerrnin sanksione financiare kundrejt vendit tonë. Nuk ishin të lidhura detyrimisht vetëm me fushën e trafikimit, por edhe më gjerë. Edhe pse fenomeni nuk mund të eliminohej krejtësisht, ishte vullneti për ta luftuar dhe për të treguar se dimë të funksionojmë e të ngremë mekanizma për të bërë këtë luftë.

-Keni njohur një botë tjetër aty, besoj?

Komplet tjetër! Aty kam gjetur disa persona shumë të dedikuar, që ndoshta nuk i njeh askush, por që janë njerëz profesionistë të cilët punojnë në kushte të vështira dhe mendoj që ne nëse duam të kemi rezultate duhet të investojmë shumë edhe në infrastrukturë, paralelisht me kapacitetet njerëzore, që Shqipërisë nuk i mungojnë.

-Bashkëqeverisja me LSI ka qenë e vlefshme, sipas jush?

Ka qenë e vlefshme mendoj unë, por nga ana tjetër nuk më kanë pëlqyer artikulimet e disa përfaqësuesve të kësaj force politike brenda qeverisë, pasi nëse vërtet je i prirur për të zgjidhur një situatë të caktuar mund të gjesh vendin e duhur për t’i diskutuar çështjet dhe për t’i zgjidhur ato. Në këtë këndvështrim mendoj se ka patur ngacmime dhe tension të cilat gjatë fushatës u acaruan edhe më tepër.

-Në dijeninë tuaj ka një marrëveshje Rama -Basha për të bashkëqeverisur?

Duhen pyetur z. Rama dhe z. Basha, por unë mendoj që kemi marr votat e mjaftueshme për të qeverisur të vetëm. Gjithashtu kemi kaluar në një stad tjetër me një pjekuri politike që e tregoi edhe marrëveshja, e cila u përshëndet nga shumë persona dhe që krijoi një lloj ç’tensionim të situatës politike në vend. Kur partitë politike bashkohen së bashku për reformat politike mendoj se është një arritje.

-Ka një “frikë” në terren që qeveria e ardhshme mund të jetë shumë arrogante…mund të ndodh kjo?

Nuk besoj, ne kemi një kryeministër që është…

-Shumë arrogant…?

Nuk është arrogant, është shumë komunikues dhe kërkues dhe nuk të lë të futesh në atë botën euforike të petkut të një ministri apo qeverie. Nuk besoj se kemi arsye të bëhemi arrogant, përkundrazi kemi shumë përgjegjësi dhe njerëzit presin shumë nga ne, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm për të përmbushur pritshmëritë e njerëzve.

-Je penduar që i je futur politikës?

Jo. Ndryshe nga bota akademike dhe e shoqërisë civile ku bëja pjesë, kjo e politikës është ndryshe. Vjen një moment kur ke kaluar disa faza në jetë që do të kalosh në një stad tjetër, të kontribuosh për vendin, unë e dua këtë gjë, ndaj me shumë dëshirë do e bëj.

Familja

Familja i ka dhënë bekimin që Elona t’i përkushtohet karrierës duke sakrifikuar edhe nga koha që duhet ta kalonte me fëmijët dhe bashkëshortin. Ajo është nënë e dy vajzave binjake, që tani janë 20 vjeçe. Ka qenë me fat në jetë. Ka bërë gjerat që ka menduar dhe dëshiruar. Por nëse nuk e dinit, Elona dhe moderatori e këngëtari i njohur Ardit Gjebrea janë fëmijë xhaxhallarësh.

“Më Arditin kemi marrëdhënie shumë të mira. Ai është një njeri fantastik të cilin e dua shumë. Jemi rritur bashkë dhe gjatë gjithë kohës i kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit. Punët na kanë ndarë këto kohë dhe nuk takohemi aq shpesh, por e gjejmë mundësinë. Fundjavën e kaluar ishim për rafting, u bëmë një grup nga fisi dhe udhëtuam për në Përmet. Zgjedhim këto periudha për të kaluar pak kohë së bashku”- tregon Elona për kushëririn e parë, Arditin.

Por një dorë të rëndësishme i ka dhënë edhe familja e bashkëshortit.

“Kam qenë me fat, sepse kam pasur mbështetje nga familja ime dhe e bashkëshortit, si edhe nga vetë bashkëshorti dhe kurrë nuk janë bërë pengesë në rrugëtimin tim të vështirë, për të realizuar detyrat që ka një grua dhe një nënë. Më vjen keq që nuk kam qenë shumë e pranishme për vajzat dhe familjen time gjatë pesë viteve që shkoja dhe vija për doktoraturën në Angli, por mendoj se ishte mundësi e jashtëzakonshme për të më formuar dhe ndihmuar në vizionin më të hapur për t’iu qasur gjërave. Mendoj se familja është shtylla kryesore për t’ia dalë. Por në këto raste mendoj se nuk ka sekrete. Sigurisht mënyra si prindërit më kanë rritur mua dhe motrën, se me punë fitohet gjithçka, por edhe pikëtakimet me bashkëshortin, Arianin…Ndaj nuk ka qenë surprizë për mua mbështetja e tij. E kam ditur qysh në fillim se do ishte në krah, ai dhe familja e tij”.

 

Jeta

Elona Gjebrea është lindur më 18 maj 1968 në Tiranë. Shkollën e Mesme e kreu në gjimnazin “Sami Frashëri”, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës, për Biologji 5-vjeçare, diplomuar në vitin 1991. Në vitin 2002 përfundon studimet Master të Shkencave të Natyrës, në po të njëjtin fakultet dhe më 2008 merr titullin Doktore e Shkencave nga Universiteti Uorcester dhe Conventry, Mbretëri e Bashkuar në vitin 2008.

Prej vitit 1992 e deri në vitin 2002 ka punuar si biologe, pranë klinikës së Alergologjisë, Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza. Prej 2004-ës është Pedagoge në Universitetin e New York, në Tiranë. Ka qenë Drejtore Ekzekutive e Qendrës shqiptare për popullsinë dhe zhvillimin, Tiranë nga tetori 2005 deri në shtator 2013 dhe dy muaj më vonë, në nëntor të vitit 2013 emërohet Zëvendësministre e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare kundër Trafikimit të Personave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjate kësaj periudhe ka qenë dhe Koordinatore Kombëtare e MARRI ( Iniciativë globale për migrimin, azilin dhe refugjatët.

Në fushën profesionale ka kryer një sërë studimesh dhe kërkimesh shkencore si edhe është autore e publikimeve në fushën e aerobiologjisë. Gjate periudhës 1994-1995 ka kryer specializim shkencor në Stokholm, Suedi. Është vlerësuar me disa çmime si p.sh në Berlin në vitin 2001 nga Shoqata Europiane e Alergologjisë dhe Imunologjisë. Në 2011 është vlerësuar për kërkimin shkencor më të mirë të vitit, nga Universitetit i New York Tirana.

Angazhimet e saj shoqërore nisin herët me anëtarësimin në disa organizata dhe shoqata ndërkombëtare dhe shkencore. Që nga viti 1997 është anëtare e disa shoqatave ndërkombëtare, si edhe ka marrë pjesë në shumë takime e konferenca ndërkombëtare. Është Aktiviste e shoqërisë civile për promovimin e të drejtave dhe shëndetit të grave, si dhe barazisë gjinore.

Në vitin 2017 është fituese e bursës për Leadership nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Gjebrea ka qenë gjithashtu dhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nga viti 2015-2017, ndërsa në vitin 2016 është bërë pjesë e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Share This Article
2 Comments
  • Moj shoqja-zonjushe Elone, PS-ja “filloje”e vetme ne zgjedhjet per deputet ne parlamentin shqiptare,por ama nje “fitore”ku shumica me te drejte vote i bojkotoje ato palo parti ku ben pjese dhe PS-ja juaj ,.Te drejtosh nje vend qe nuke te votoje as 25%e popullit,dhe te krenohesh per kete “fitore”,duhesh te jeshe o cmendur pas pushteteve,ose handikape e lindur. Mjaft me, me te berit mizekali,gase ishit ju dhe soi juaj qe montuat sititucionin e pandeshkueshmerise per uqerit e cakejte e Tiranes zyrtare ne dite e vite deri me: sot, SOVRANI ngriti zerin aqe lart sa USA,dhe BE-ja kerkuan me force reformen ne Drejtesi dhe zbatimin e ligjit te dekriminalizmit qe ju dhe sozite tuaja ne pozite e opozite e pshurret fare, duke rikandiduar po figura politike te akuzuara si pjese e botes se krim-korrupsionit-imoralo-politik ne te tre pushtetet, me ze,figure,dhe deshmi te gjalla sa istitucionale,aqe dhe popullore e medjatike.Ne moralin tuaj dhe te padroneve tuaj bashke me sozite tuaja.me e pakta eshte te kerkosh falje dhe te distancohesh nese vertet nuke je e perlyer ne paudhesi,VETTINGU dhe SOVRANI shume shpejt do te vendosin pikat mbi I-ne, besoni nuke ka pushtete qe te pengojne pastrimin e te tre pushteteve nga riciklimi i botes se krim-korrupsionit-imoralo-politik ne to. Ora bie,tik-tak-tik-tak-tik-tak-tik-tak ate nuke ka pushtete e leke te piset qe ta ndale,se kohen e ka bekuar ZOTI.Besoni,bindu dhe denonco marrite korruptive e kriminale, se vetem keshtu do te nderosh vetem,famljen dhe Shqiperine.

  • Pune te mbare dhe sukses ,deputets Elona Gjebrea.
    Entela Resuli me te lumte ajo dore komanduar nga ajo mendie atdheare sa profesionale,per kete interviste marre se mires Elona Gjebrea, Deputete per Tiranen, ne kete legjslature te fundit(2017).
    Pata fatin te jem ne atdhe muajt e fushates zgjedhore,ku mora pjese ne takimet e bera nga ajo zonje e nderuar me votuesit e lagjes “Ali Demi” .Mbiemrii saj Gjebrea, me beri ta ndjek takimet dhe nuk u zhgennjeva.Si te kisha takuar mikun tim te dikurdhem sa Kolegun ,te ndierin Pellumb Gjebrea,xhaxhai i kesaj zonje te nderuar une njohur buzequmesht..atje ne plazhin e kampit te pionierve “Qemal Stafa “ne Durres, Pellumbi, veteran drejtues ne ata muajt e pushimit te Pionireve.
    E mira Elona Gjebrea, jo vetem mua, tashme gjysh kaluar te 80vite jete, po gjithe votuesit e lagjes i kenaqi me thjeshtesine sa fjalet bindese te saj per misionin vene vetes qe te ishte perfaqesuese e zgjedhesve ne legjislaturen e ketij viti.Me te drejte ajo mori votat maksimale te lagjes me emer te njohur ne Tirane.
    I uroj gjithe te mirat dhe realizofte gjithsa u zotua para votuesve.
    Dashamireset e saj deri ketu ne Toronto, shprehen mbeshtetien e tyre per kete figure dinjitoze per DEPUTETE,figure qe u be e njohur dhe ne vitete saj si Zv /ministre e brendeshme me koalicionin socialist.
    I uroj gjithe te mirat,me objektiva te realizuara.

    Pasues i gjyshit vetrean, Jano P Xhoga,rene me 1913-te ne mbrojtie te PV.sapo shpallur,krye cetes qe komandonte ne Dangelli-Shqeri te rrethit Permet.

    Toronto 06-08-2017 Nipi Dhimiter M.Xhoga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *