Finalja e Superkupës, Bayern rrezikon më shumë se kurrë

Gazeta Dita

Sa herë ndodh që tifozët të fërshëllejnë Real Madridin? Plot herë, madje edhe kur fitojnë. Po, sepse në “Santiago Bernabeu” nuk mjafton vetëm rezultati. Duhet edhe loja e bukur, marrëdhënia e mirë me tifozët dhe, pse jo, presidenti të ketë blerë një yll 100-milionësh, të paktën sa “për bukuri”.

Dakord, ky është një realitet tjetër. Më saktë, një përjashtim. Përsërisim pyetjen, kësaj here duke u shpërngulur në Mynih dhe madje në zemër të Bavarisë, “Allianz Arena”. Sa herë ndodh që tifozët të fërshëllejnë Bayern-in? …Kurrë?

Epo, ndodhi dje në miqësoren me Napolin. Bayern u mposht 2-0 në “Audi Cup” dhe gjithsej këtë verë, nga gjashtë miqësore gjithsej, skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti ka fituar vetëm një. Pesë të tjerat, vetëm humbje.

Interesant është fakti se Bayern ka tri ndeshje pa shënuar, kur është huazuar edhe James Rodriguez (për dy vite)! Çfarë po ndodh me rekordmenët? Kush është përgjegjësi? Mediet gjermane deri tani nuk ia kanë hedhur fajin hapur Don Carlo-s, por kanë theksuar faktin që skuadra është e mbingarkuar fizikisht, si rrjedhojë e turit 12-ditor në Azi.

Problemi është se pasnesër vjen finalja e Superkupës së Gjermanisë. Rivali i radhës është Dortmundi, gjithashtu me probleme, por jo aq sa Bayern. Frikë e madhe në Mynih! Po, po, frikë!

Kush do të fitojë? Kësaj here është e lehtë të parashikosh: Bayern nuk do të jetë mirë dhe as nuk do të kënaqë tifozët. Kush do të arrijë ta bëjë, kur gjysma janë ose të dëmtuar, ose të rënduar fizikisht dhe psikologjikisht? Pra, verdhezinjtë janë jo pak të avantazhuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *