Pranvera Kola
Pas verifikimit të aplikimeve të bëra online nga maturantët dhe kandidatët që konkurojnë gjatë këtij viti për studimet e larta, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), ka zbardhur gjatë ditës së djeshme Librin e Transparencës, me rezultatet e detajuara për çdo maturant, të provimeve të maturës, mesataren e shkollës së mesme, si dhe renditjen e 10 degëve për universitetin. Në rast të konstatimit të pasaktësive në të dhënat e hedhura në librat e shpallur për të 38 drejtoritë arsimore të vendit, çdo maturant duhet të paraqitet në shkollën e tij për të bërë rregullimin e pasaktësive apo gabimeve në llogaritjen e mesatares dhe elementëve të tjerë. “Libri i Transparencës plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve dhe kandidatëve të viteve të shkuara sa i përket procesit të Maturës Shtetërore dhe aplikimit të kryer në formularin e preferencave për të fituar studimet në një nga universitetet publike, apo private të vendit për vitin e ri akademik 2017-2018. Në këtë libër çdo maturant gjen të gjithë elementet kryesorë përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, siç janë: mesatarja e gjimnazit, rezultatet e tre provimeve të detyruara, rezultatet e dy provimeve me zgjedhje, si dhe 10 preferencat e përzgjedhura prej tij në formularin e aplikimit për në universitetet për garën e raundit të parë”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA-së. Po sipas tyre, për maturantët që ndër preferencat e përzgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, siç janë degët e arteve dhe të sporteve, pikët për këto programe studimi do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve që do të zhvillohen në dy javët e fundit të muajit gusht. Nuk përfshihen në librin e transparencës, maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në njërin prej pesë provimeve të maturës, apo që kanë pasur detyrime të tjera shkollore për të shlyer. Kjo kategori duhet të presë sezonin e vjeshtës për të marrë provimet dhe vetëm më pas, mund të aplikojë për studimet e larta në garën e raundit të dytë që do të zhvillohet në muajin shtator. “Secili kandidat ka hapësirën e tij në librin e transparencës, ku në rreshtin e parë jepen: numri rendor, numri identifikues i maturantit (ID), që e ka shoqëruar gjatë gjithë procesit të Maturës Shtetërore. Në pjesën majtas, poshtë janë emërtesat dhe notat e shkallëzuara të 6 elementeve vlerësues të maturës. Më tej vijohet me preferencat e kandidatit, të renditura siç janë përzgjedhur prej tij në formularin e aplikimit për në universitet. Preferencat përmbajnë kodin (ID) e programit të studimit, emërtesën e programit të studimit”, theksojnë ekspertët e QSHA-së.
Rezultatet e detajuara për çdo rreth
Në librin e transparencës jepen të detajuara të dhënat mbi notat e marra në të 5 provimet e maturës shtetërore, mesataren e shkollës së mesme, si dhe renditjen e 10 preferencave për universitetin, të bëra nga kandidatët dhe maturantët e shkollave të mesme të Bulqizës, Beratit, Delvinës, Devollit, Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Gramshit, Hasit, Kamzës, Kavajës, Kolonjës, Korçës, Krujës, Kuçovës, Kukësit, Kurbinit, Lezhës, Librazhdit, Lushnjes, Malësisë së Madhe, Mallakastrës, Matit, Mirditës, Peqinit, Përmetit, Pogradecit, Pukës, Sarandës, Shkodrës, Skraparit, Tepelenës, Tiranës, Tiranës Qark, Tropojës, si dhe Vlorës. Çdo maturant mund të konsultohet me këto të dhëna online në www.akp.gov.al. Nëse vëren gabime duhet të shkojë në shkollën e tij, për të plotësuar formularin e korrigjimit të pasaktësive.
Afatet e korrigjimit të pasaktësive
Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant mund të kontestojë me anë të
Formularit të Korrigjimit të Pasaktësive ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tij, sa i takon mesatares së llogaritur, notave të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje, si dhe preferencave ku kërkon të fitojë studimet e larta. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore të rretheve përkatëse. Autoritetet e QSHA-së shtojnë se maturantët kanë kohë që të verifikojë të dhënat përkatëse në lidhje me llogaritjen e mesatares, apo renditjen e preferencave deri në datën 10 gusht. Brenda kësaj kohe ju duhet të keni plotësuar në mënyrë të saktë formularin e korrigjimit të pasaktësive. Pas plotësimit të këtij formulari, dhe konfirmimit zyrtar me firmë dhe vulë nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë e arsimit, këto të fundit duhet të dërgojnë të dhënat përkatëse në QSHA brenda datës së përmendur. Hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e QSHA-së. Më pas, sipas afateve të përcaktuara, QSHA brenda datës 23 gusht 2017 dërgon në të gjitha universitetet të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet vjetore të maturantëve, të cilat do të përdoren për përllogaritjen e pikëve dhe shpalljen e fituesve në secilin program studimi. “Kjo është mundësia fundit i konkurrentëve për saktësimin e të dhënave të tyre. Çdo konkurrent që ka plotësuar formularin e aplikimit në universitetet është përgjegjës për të dhënat e tij, si edhe respektimin e afateve për përcjelljen e pasaktësive nëse ka të tilla”, bën më dije QSHA
Si duhet të plotësohet “Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive”
Kur konstatohen pasaktësi, maturanti duhet të paraqitet në shkollë, të marrë këtë formular dhe ta plotësojë. Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë/komunën, shkollën dhe ID e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë, ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “Si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: “Emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim). Praktikisht këto të dhëna janë si në librin e transparencës. Ndërsa në seksionin tjetër “Si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi. Për shembull nëse kërkohet ndryshim tek emri, tek rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime, si për shembull datëlindja edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Pasi kërkesa për ndryshimet të jetë plotësuar me kujdes, maturanti shkruan më tej: “Emrin, mbiemrin dhe firmos në vendin përkatës. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga kreu i drejtorisë së arsimit të rrethit përkatës ku ndodhet shkolla e mesme që maturanti ka kryer, i cili gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular. Vëmë në dukje se të dhënat që kanë lidhje me notat si: mesatarja, D1, D2, D3, Z1, Z2 konsultohen nga ana e specialistëve të AKP-së, me bazën e të dhënave dhe më pas konfirmohen nga drejtori i AKP-së”, detajohet në udhëzimin e plotësimit të formularit të pasaktësive.
Si bëhet përllogaritja e mesatares së gjimnazit
Nota mesatare për të konkurruar për universitetin përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
- Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë;
- Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
- Kandidatët që kanë aplikuar për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare.
Konkurimi për degët e arteve
Mund të konkurojnë për degët e arteve, vetëm maturantët që kanë regjistruar këto degë në formularin e preferencave. Kështu, të gjithë kandidatët që duan të marrin pjesë në konkurset e pranimit duhet që fillimisht të kryejnë procesin e regjistrimit për dhënien e testimeve specifike. Regjistrimet për të hyrë në konkursin e pranimit për degët e arteve do të zhvillohen nga data 9-17 gusht, ku çdo kandidat duhet të paraqitet për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të kërkuara. Një ditë pas mbylljes së procesit të regjistrimit, kandidatët do t’i nënshtrohen testimeve specifike sipas degës për të cilën kanë aplikuar, testime të cilat do të zhvillohen përkatësisht në datat 18 deri në 22 gusht. Në shpalljen e fituesve që do të pranohen në këto degë, rezultatet e maturës “Rezultatet e Maturës Shtetërore përbëjnë 30 për qind të totalit të pikëve (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e maturës shtetërore). Ndërsa rezultatet e konkurseve të pranimit përbëjnë 70 për qind të totalit të pikëve.
Konkurrimi për degët e sporteve
Regjistrimi i aplikantëve për konkursin e pranimeve në degët e Universitetit të Sporteve të Tiranës për garën e vitit të ri akademik 2017-2018 do të zhvillohet në datat 9-13 gusht. Më pas në datën 14 gusht, do të bëhet shpallja e listave të aplikantëve që janë regjistruar për të dhënë konkurset e pranimit. Gjatë fazës së regjistrimit për konkursin, kandidatët që konkurojnë për sportet duhet të dorëzojnë në dosjen e kërkuar të dokumenteve “Fotokopje e dokumentit të identifikimit, 2 foto, formularin e kartelës mjekësore, si dhe mandat pagesa e paguar në çdo bankë të nivelit të dytë”. Datat e konkursit praktik në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes janë 15-19 gusht, ndërsa datat e konkursit praktik në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit janë 20-22 gusht. Shpallja e fituesve në këto degë do të përcaktohet nga pikët e testimeve individuale, si dhe pikëve të maturës. Sipas skemës së miratuar, raporti ndërmjet konkurrimit praktik dhe notës mesatare të gjimnazit do të në kufijtë 60 me 40 për qind.
