Nga Kristina Pulici
A po e zëvendëson bota virtuale botën reale?
Përgjigjen e kësaj pyetje akoma nuk mund ta japim me saktësi, se pas disa brezash librat fizikë mund të zëvendësohen nga versionet elektronike të tyre, por ama nga ana tjetër vihet re se prezenca e librave elektronikë po zbeh gjithmonë e më tepër imazhin e librave klasikë dhe se libri digjital do të dominojë, por të tjerë lexues besojnë se libri klasik do t’i rezistojë zhvillimit të teknologjisë.
Librat elektronikë, kohëve të fundit, janë shumë dominues, pothuajse çdo njëri nga ne është distancuar disi nga leximi i librave në kuptimin e plotë klasik, dhe në çdo mundësi që na jepet për të lexuar ne e shfrytëzojmë internetin, sepse është më lehtë të ulemi përpara kompjuterit, të hapim një faqe nga rrjetet sociale dhe të përqendrohemi tek libri të cilin jemi duke e lexuar.
Në këtë kuptim një pjesë e shoqërisë, veçanërisht një pjesë e rinisë, janë të mendimit se nuk është më në “mode”, leximi i librit të shkruar, apo klasik, dhe kjo e fundit është zëvendësuar me format e tjera, që na ofron teknologjia. Kënaqësia e leximit të një libri të shtypur në shtypshkronjë, që merret në dorë, lexohet, shfletohet, nuhatet, vendoset në bibliotekë apo te koka e krevatit, sigurisht që është diçka e veçantë. Nënvizimi i një libri, kthimi i një flete për ta rifilluar aty ku e le, kontakti pothuajse ndjesor që krijohet me librin e shtypur, janë tashmë pjesë e kulturës sonë. Por as nuk mundim të mos hapim sytë përballë mundësisë që na ofron teknologjia bashkëkohore në fushën e librit atë që na ofron një iPad është luks, thjeshtësi, kursim, komoditet. Një iPad mund të jetë një bibliotekë e tërë që njeriu nuk mund ta ketë në shtëpinë e tij, por e ka në kompjuter.
Në pak minuta dhe me pak para mund të kesh në një ekran veprat më të mëdha të kulturës botërore, të letërsisë, artit, religjionit, filozofisë etj. Por nga ana tjetër iPad nuk është vetëm libër, ai është edhe internet, edhe facebook, edhe tuitter, skype, lajme etj. Shpesh shumica e studentëve nuk arrin t’i sigurojë në bibliotekat e ndryshme të gjithë librat që ju duhen për materiale studimore dhe mënyra më e mirë dhe e kushtueshme njëherë të vetme është një iPad. Për këtë çështje diskutohet shumë nga studiuesit, deri tek njerëzit më të thjeshtë. Albert Ajnshtajni ka thënë: “Druhem se do vijë dita kur teknologjia do të tejkalojë ndërveprimin tonë njerëzor. Bota do ketë një gjeneratë idiotësh”.
Vlen të permendim Ted Nelson që ka nënvizuar: “Sipas kësaj perspektive, teksti elektronik shpejt do të zëvendësojë letrën dhe në një kohë të shkurtër, ne të gjithë do të jemi duke lexuar në ekrane”. Një iPad ka avantazhet e tij sepse ndihmon nxënësin, studentin dhe të gjithë njerëzit ta përvetësojnë materialin më shpejt. Një tabletë mund të mbajë qindra tekste, kuicet etj. Ajo përmban shumë karakteristika teknologjike që nuk mund të gjenden në tekstet e shkruara, dhe u jep mundësinë përdoruesve të mbajnë shënime pa e prishur tekstin për përdoruesit e tjerë. Tableta lejon të bëjnë kërkime, të lexojnë në dritë të dobët, në tabletë tekste elektronike mund të bëhen update me informacione te reja.
Ashtu siç ka avantazhet e saja bota e teknologjisë na paraqet dhe disavantazhet e saj. Pajisjet teknologjike që mbahen në dorë janë të lidhura me një sërë problemesh shëndetësore, si lodhja e syve, dhimbje koke, tendosje të muskujve si dëmtimi i muskujve të kyçit të dorës, dhimbje e qafës etj. Gjatë leximit në një tabletë lodhja e syve është e madhe dhe kjo mund te shkaktojë dhe probleme për përdoruesit te cilët do jenë të detyruar të vendosin syze. Tekstet tradicionale nuk thyhen, prishen, ngrijnë etj. Në ndryshim nga tabletat, tekstet nuk paraqesin asnjë rrezik ndaj viruseve apo vjedhjes së informacionit personal. Tableta mëson që t’i biesh shkurt duke anashkaluar leximin dhe analizën e teksteve, pasi ata mund të gjejnë informacione të ndryshme në internet me shumë lehtësi. Shumë tekste nuk janë në formatin digjital, dhe jo çdo libër klasik mund të gjendet në një iPad. Libri s’ka nevojë as për bateri e as për antena. Mund ta shfletosh, ta dhurosh apo ta flakësh tutje.
I ka rezistuar shekujve dhe nuk plaket brenda një dekade si homologët e tij elektronike. Librin mund ta prekësh, ai është i këndshëm për syrin, për dorën dhe gishtat. Janë studentë ata që më shumë preferojnë të marrin diçka nga interneti për shkak të mungesës së literaturës, por shpeshherë edhe për shkak të çmimeve të larta të librave. Mos të harrojmë se teknologjia e re që vjen nuk duhet ta shpallim si armik, po përkundrazi të kemi përfitime. Sa do që teknologjia të zhvillohet në të ardhmen, libri i shkruar do ketë vlerën e vetë, sa do që ta harrojmë nga tabletat dhe nga smartphonat përsëri do kthehemi te ajo që na bën të ndjehemi të gjallë në kulturë dhe në vlera të mirëfillta shoqërore.
