Daniel Godelli, rekord i Mesdheut

anazapta

 Daniel Godelli ka vendosur një rekord të ri të Lojërave të Mesdheut, duke ngritur 151 kilogramë në stilin e shkëputjes për kategorinë 69 kilogramë. Peshëngritësi shqiptar ka shkëlqyer dje në Mersin të Turqisë, ku po zhvillohen Lojërat Mesdhetare 2013. Ai ka fituar tri medalje të arta, plus rekordin e ri, duke përmirësuar me një kilogram rekordin e vjetër. Njëkohësisht, ai ka përmirësuar me 2.5 kilogramë edhe rekordin kombëtar, i cili mbahej po nga ai. Rezultat absolute për të riun nga Peqini që nderon edhe njëherë vendin si protagonist i padiskutueshëm i sportit të shtangës. Por suksesi i Godellit nuk ndalet aty, pasi 21-vjecari fitoi dhe medaljen e artë në stilin e shtytjes, ku ngriti 174 kilogram, edhe pse ky rezultat është inferior ndaj atij prej 180 kilogramësh që e shpalli kampion Evrope pak muaj më parë në Tiranë. Për Godellin mjaftoi që t’i lërë pas gjithë konkurrentët për të vulosur edhe medaljen e artë në dygarësh. E djeshmja ishte ditë e mbarë për Shqipërinë, edhe për shkak se Godelli nuk ishte medalisti i vetëm kuqezi. Bashkë me të në podium u ngjit edhe Briken Calja, duke fituar tri medalje të bronzta, në shtytje, shkëputje e dygarësh. Me këtë rezultate, peshëngritja shqiptare ka arritur sukses deri tani në Lojërat Mesdhetare, por janë të gjithë mundësitë të mos mbarojë me kaq. Për skuadrën tonë nuk ka konkurruar ende Romela Begaj, e cila konsiderohet si kandidatja kryesore për të marrë medalje ari.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *