Në nderim e kujtim të të gjitha gjysheve tona, të Golëmit, të Labërisë e të gjithë Shqipërisë
Kujtesa është gjithnjë në shërbim të zemrës. Prej kohësh më ka munduar shpesh kujtimi, malli e nostalgjia për ato plakat golëmase me libade, për gjyshet tona, për mëmat tona. Dua të shkruaj e druhem, se e kam të vështirë të portretizoj, ashtu siç ishin ato, të përshkruaj tërë madhështinë e shpirtit të tyre, gjithçka ato na dhanë ne, pasardhësve, nga vetja e tyre. Gjithsesi kujtimet e fëminisë e të rinisë, për këdo që i kalon të 60-tat, apo ca më shumë, të 70-tat, vazhdimisht të ngacmojnë e bëhen gjithnjë e më të ndritshme, aq sa jeton shpesh e shpirtërisht me to. Kam parë e njohur gjithata të moshuar, me qylaf, xhamadanë e qostek, që mbaheshin në gojë për trima, bujarë, fisnikë e të mënçur. Ishin edhe luftëtarë edhe të punës, edhe të gojës, edhe të këngës, edhe të muhabetit.
Ishin edhe me ca huqe e xanxa të vjetra. Edhe ata më kanë mbetur në kujtesë. Por, sepse këto plakat, bashkëmoshataret e atyre pleq e namuzqarë, me mustaqe gjer tek veshi, më janë ngulitur e skalitur në mendje, si me daltë, më thellë, me figurat e tyre madhështore, me cilësitë dhe virtytet e tyre të rralla.
Po më dukeshin mua kështu, apo ashtu ishin me të vërtetë. Jo, Jooo! Ishin vërtetë ashtu! Ato ishin madhështore, me trupin si qeparis, me pamjen e bukur, edhe pse mbi supe kishin aq shumë vite pune e lufte, përherë fitimtare mbi vështirësitë e kohës e për të mbijetuar vetë e pasardhësit e tyre. Mbi të gjitha, ato kishin zemrën flori e shkuar floririt, me shpirtin aq të madh, të thellë e pa anë, të kaltër e të kthjellët si deti. Dhe ja, më rreshtohen para syve që nga gjyshe ime Alidi Dajkaj, e me radhë: Miro Strokaj, Imlo Godaj, Hatije Azepja, HanoLikaj, Darovi Çunaj, Këze Rroshaj, Dahate Bedaj, Bajame Hysaj, Kafaze Çoçkaj, Shabezene Korkutaj, Minushe Lazaj, Didë Mëhillaj, Salihe Hysaj, Vito Çunaj, Hatikë e Sulltanë Islamaj, Kafaze Hysaj, Zeno Takaj, Veziko Mustafaraj, Shero Qëndraj, e shumë e shumë të tjera. Dhe ti, o golëmas, mos u mërzit e do të më falësh, nëse nuk kam vënë emrin e gjyshes tënde se edhe ajo është bashkë me to, këto fjalë i takojnë dhe asaj, sepse ka qenë e mbetet gjyshe në kujtesën tuaj dhe të të tjerëve.
Kjo nuk është aspak harresë, përkundrazi. Ndoshta jo vetëm unë, por shumëkush e kanë vënë re se çfarë ndjesie të jepte shpirti i tyre, bukuria e tyre, ngrohtësia dhe mbi të gjitha dashuria e papërshkruar e tyre. Kurrë nuk i pashë veshur dosido, por përherë me sqimë: me çitjane palë-palë, qepur bukur, me një cohë prej mëndafshi të zi, blu a kafe që shndriste, me peshllinë kadife të errët, me xhupin e qëndisur, me këmishën borë të bardhë, e mbi të gjitha libadenë, prerë, qepur e stolisur me merak dhe që u jepte një bukuri të rrallë, e deri edhe te këpucët që feksnin. I kam ndër sy, me atë shtatin e gjatë e të drejtë, me ecjen e tyre që rrezatonte krenari. Kishin lezet, ishin me shtatë nure. Me siguri bashkëmoshatarëve, por dhe të tjerëve, u kujtohet që sa herë do të shkonim në shtëpitë e tyre, për një ftesë, një porosi a një kërkesë, ato do të na prisnin me buzëqeshjen karakteristike, do të na puthnin, do të na tektasnin me pyetje. Pastaj, me një seriozitet të madh e të çuditshëm, sikur të ishim persona me rëndësi, me një përkujdesje të jashtëzakonshme, do të na gostisnin edhe neve fëmijëve. Ja, na jepnin pak sheqer në pulqer të dorës, ca zarikore, sheqerkat, siç quhen sot, ca arrë a gështenjë, mollë a qershi, çfarë t’u ndodhej. E veç këtyre edhe një copë kulaç gruri a misri, lyer me gjalpë, herë të tretur e herë të freskët, të sapo nxjerrë nga dybeku.
Dhe ne gëzoheshim e kënaqeshim pa masë me këtë pritje. Do gëzonim kur prindërit na dërgonin edhe herë të tjera, se e dinim që do të burbuleteshim me diçka, kurrë nuk do të dilnim duarthatë. Jo vetëm kur ishim fëmijë, po edhe kur ishim të rinj, sa herë do t’u shkonim në shtëpi a do t’i takonim shtigjeve a udhëve të fshatit, ato do të derdheshin e të na puthin plot afsh dashurie, e do të na shtrëngonin fort, me dashuri e mall përvëlues, sikur të na kishin bij a nipërit e vet. Por, joo! Ato ashtu na deshën, njëlloj si bijtë, si nipërit e vet, sepse ashtu qenë “gatuar” nga shpirti e nga zemra: Nëna përmbi nënat. Dhe do të na bënin një breshëri pyetjesh për gjithçka, sikur të ishe në hetuesi, për vete, për punën e të tjera. Dhe i kam ndër sy, ashtu para meje, me buzëqeshjen e tyre karakteristike tërë hijeshi e ëmbëlsi, të paharruar e të papërsëritshme. Sa herë ato gjyshet tona, ne, fëmijëve, do të na jepnin proto e përpara për të shijuar të parën, a majanë e gatimeve të tyre: një copë kulaç, një çikë ëmbëlsirë, një lugë gjellë, një thelë mish a gjithçka tjetër që kishin nëpër duar. Edhe kur s’duhej, ato e gjenin mundësinë dhe fshehurazi, na plotësonin tekat tona, që të mos bënim shamatë.
Ato të parat do të na thyenin neve nepsin, dhe kur na vështronin tek mbllaçitnim, buzëqeshnin e ndjenin kënaqësi, e sikur “ngopeshin” edhe ato,duke na shikuar neve, që lëpinim thonjtë e gishtërinjve të dorës tek shijonim gjellët e tyre. Eh! Ç’të kujtojmë. Pa le kur sëmureshim. Do rrini sy zgjuar e mbi kokat tona. Do të na matnin zjarrllëkun herë me duar e herë me buzë, duke na puthur e falur vazhdimisht, ato do të na shërbenin me gjithçka, deri sa të shëroheshim. I hëngri meraku për këdo e për çdo gjë.
Dhe meraku do t’i brente përbrenda vazhdimisht: “Vallë pse nuk erdhi baba, mëma, vëllai, motra,.. pse u mbodhisën, mos çoç kanë?! “ Duke ndenjur si më gjemba, vështronin herë nga Ledhi i Stame, herë nga Buza e Dedes, herë nga Vgjolla e herë nga Qafa e Furrit, pra gjithandej nga i prisnin të vinin. Po sos dashuria e tyre, a sos mbrojtja jonë më e sigurtë. Sa herë na futën midis duarve a midis çitjanëve duke na shpëtuar nga prindërit, nga vëllezër e motra më të rritur, për të na ruajtur nga dackat, kur nuk silleshim mirë apo kur bënim ndonjë xudhi. Pa le, kur u drejtoheshin prindërve : “Po më mirë hajde më rrih mua, e jo këtë. Po ku di ky, është fëmijë… Në sy tim mos m’i rrihni kurrë fëmijët! Kur s’jam unë bëni ç’të doni me ta, janë tuajt. Kur jam unë këtu, janë të mitë … “.
Dhe këto ishin një shuplakë për të mëdhenjtë. Ja pra, ato plakat tona, ato gjyshet tona, mëmat tona ishin streha, “ bunkeri” ynë. Ato ishin shumë të këndshme në muhabete. S’mbaronin kurrë historitë e tyre. Më shumë tregonin ngjarje nga jeta e vet, e prindërve a e të afërmve. Përralla na tregonin pak, ose aspak. Dhe kur i tregonin ngjarjet, ato i shoqëronin edhe me mësime për të pasmit, si për të rriturit edhe për ne fëmijët, se si duhej e nuk duhej të silleshim e vepronim, se ç’ishte e mirë a çfarë ishte e keqe. Po ato historitë e tyre seç kishin diçka të veçantë, që neve, fëmijëve, jo vetëm na vuvoste, por na gozhdonin në vend dhe i regjistronim ato fill e për pe, gjithçka në mendje. Nuk di t’i jap shpjegim vetes, pse ato edhe sot e kësaj dite më dukeshin më të mëdha se njerëzit e zakonshëm, madje më të mëdha se burrat, bashkëmoshatarët e tyre. Më dukeshin mua a ishin të tilla: burra mbi burrat, apo graburra midis burrave. Me sjelljen, me veprën, me gjykimin e tyre ato kishin bërë sus edhe burra me namustër, që i konsideronin ato gati njëlloj, jo vetëm si motra, por heraherës si nëna, si burra. Kam parë burra, që s’tundeshin kollaj nga vendi, por me ato ishin ndryshe. I kam parë, tek do ndiznin cigaren a çibukun, më parë do nderonin ato, duke u dhënë kutinë e duhanit e duke ua ndezur cigaren a çibukun atyre më parë.
Dhe këtë respekt, me sa dukej ato e kishin fituar vetë. Por ama, të mos harrojmë, se i tillë respekt nuk fitohej kollaj, sidomos një grua e aq më tepër aty, në kohë , vend e me njerëz të sertë në anët tona, Kurvelesh e Labëri. Përherë i kam admiruar dhe i kam vrejtur me shumë kureshtje . Vërtet ato ishin plaka, por ishin gjyshet tona tepër të dhimbsura. Po shumë prej nesh atyre u flisnim MËMË. Vërtet ato nuk na kishin lindur, por kujdesi i tyre ua kish kaluar mëmave tona. Se këto mëmat tona, na lindnin, e pastaj vraponim, herë për dru, e herë për bar a gjethe, herë në mal, e herë në fushë, herë në arë, e herë në stan. Dhe ne u rritëm aty, në gjirin e në prehrin e gjysheve. Ndaj u flisnim me plot gojën, me plot shpirtin tonë të njomë e të pastër MËMËMDHE. Ato ishin trimëresha.
Kishin kaluar jo pak, por tri luftëra të mëdha, tri epope: atë të viteve 1913-1914; atë të vitit 1920, si dhe më të madhen, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dhe ato ishin edhe luftëtare në llogore, edhe luftëtare në prapavija, duke rritur fëmijë, duke mbajtur bagëtinë, e duke furnizuar edhe me bukë e municione burrat, vëllezërit e bijtë e tyre në luftë. Ato kishin përballuar vitet e rënda të sëmundjeve të gjithfarëllojshme vdekjeprurëse e të krizave shfarosëse të urisë. Ato kishin përballuar plagë e dhimbje të rënda, atë të humbjes së prindërve, burrave, vëllezërve, bijve e bijave, të kunetërve. Ato kishin lindur e rritur me njëmijë e një mundime fëmijë jetimë. Këto luftëra i kishin kalitur edhe si grua, edhe si burrë. Ndaj ishin graburra, midis burrave. Ndaj kishin respekt për to, edhe ata burrat e sertë e namusqarë. I kisha parë edhe në poganiqe, davete e dasma, tek do rrinin në krye të odave dhe hera herës do t’ua merrnin këngëve të trimërive: O Kurveleshi me derte Qysh duron për ato lezete,…Ose tjetra: O Progonatoi me vulë, Shtatë pashallarë çkulë…Do të thurnin bejte, bënin shaka, ku zakonisht do të ironizonin veten, se plaka e helbete, bëhen edhe të bezdisshme për brezat e rinj. Sa herë do ngriheshin në valle, e kishin në majë të gjuhës këngën: Kur dalin plakat në lëmë, Me çitjane nëpër këmbë, Me shoshoqe duke thënë :- Këto nuse nuk na bëjnë!
T’u themi djemë t’i lënë …Si t’i lënë, po ku t’i gjejmë?! …. Dhe pastaj shtonin:Lanet paç, o marangoz, Që s’na le dy dhoga bosh, Të binin plakat përposht!Plakat-o me kondoxhup, – Çit, moj mace, mos ja nduk!I kisha parë edhe në vaje, ku me ligjërimet e tyre bënin të qante edhe guri. Kush nuk i kujton ligjërimet e Minushe Lazaj, Hano Nikollit, Darovi Hadëraj, Dylbo Bizhgës, Këze Rroshaj, Nazikë Shoshaj, e të tjera. Kur ligjeronin këto, s’pipëtinte njeri. Dhe do qanin në heshtje burra e gra. Sa keq që nuk i kemi të hedhura në letër ato ligjërime. Një pasuri e rrallë, e dhimbjeve e ndjenjave shpirtërore. Jeta e vështirë i kish bërë këto nëna me shpirt të madh e të pa anë. Ato kurrë nuk vunë sinore në shtëpitë golëmase, apo kudo gjetke ku kishte pllakosur dhimbja, sepse e dinin se ç’është zemra e nënës, ç’është drithërima e nënës, ç’është dashuria e nënës, ç’është meraku i nënës. Kurrë s’mbajtën mëri. Ishin të parat aty ku kish rënë gjëma, ku ish dhimbja, ku ish plaga. Dhe prania e tyre ishte melhem për plagë. Ndaj kurrë nuk hezituan të çqepin edhe gjerdhe, që vinte herë zakoni, herë “burrëria”, e hera herës politika. Pengesa për to as kish e as mund të vije. Se zemra e nënës nuk njeh pengesa.
Për to këto fjalë janë pak, ose fare pak e ndoshta asgjë. Por ato edhe pse prehen në vatrën e tyre të përjetshme, janë ende gjallë. Ato janë pranë nesh, e ne jetojmë me to, me dashurinë, me mençurinë e tyre. Ato prapë na japin dritë nga drita e tyre. Na japin jetë nga jeta e tyre. Na japin dhembshuri nga dhembshuria e dashuria e tyre. Ne jetojmë ndaj edhe i kujtojmë. Kujtojmë bukurinë e gjithanshme të tyre, kujtojmë madhështinë e tyre. Dhe krenohemi me veprën e tyre. Ndaj ky shkrim le të jetë një homazh, një tufë me lule në nderim e kujtim të të gjitha gjysheve tona, të Golëmit, të Labërisë e të gjithë Shqipërisë.
ISMET ISUFI

Bukur fort! Nderime!
Urime autorit!