Autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Cythira, për shkak të zjarreve që po vazhdojnë aty prej tri ditësh dhe rrezikojnë qendra të banuara.
Dy prej këtyre qendrave janë evakuuar nga banorët, teksa flakët mbërritën para shtëpive të tyre.
Për tri ditë janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme me pemë, ndërsa disa prej zonave ishin të pyllëzuara sërish pas zjarreve shkatërrimtare në ishull, para 10 viteve.
Të dielën, në vatrat e zjarrit po vepronin më shumë se 80 zjarrfikës dhe 30 mjete, një numër i madh vullnetarësh, si dhe tre aviona e një helikopter.
Ishulli Cythira, në juglindje të Peloponezit, është një nga zonat më turistike të vendit.
