Një person është arrestuar nga policia e Parisit, pasi ai u përpoq të hynte me forcë në Kullën Eiffel, duke mbajtur një thikë në dorë.
Incidenti në pikën ikonike të qytetit ndodhi rreth orës 23:30 në mbrëmjen e të shtunës dhe sipas kompanisë që operon këtë kullë, agresori u arrestua me shpejtësi duke mos lënduar askënd.
I dyshuari mbante veshur një bluzë të ekipit francez të futbollit Paris Saint-German. Ai bërtiti “Allahu Akbar” – Zoti është më i madhi – teksa arriti të mposhtte forcat e sigurisë, ndërkohë që kulla ishte ndriçuar me ngjyrat e kësaj skuadre për t’i uruar mirëseardhjen në ekip futbollistit brazilian Neymar.
Prokurorët francezë tashmë kanë hapur një hetim kundër-terrorist për shkak të deklaratave të të dyshuarit për policinë franceze dhe radikalizimit të tij të dukshëm. Një burim i panjohur u shpreh se agresori është rreth 19 vjeç dhe ka një histori të problemeve psikologjike. Ai duket t’u ketë thënë hetuesve se donte të sulmonte një ushtar dhe sipas burimit, ai kishte patur kontakte me një anëtar të grupit terrorist të Shtetit Islamik.
Franca vijon të mbetet nën gjendjen e emergjencës që prej sulmeve të nëntorit 2015 në Paris, ku 130 persona humbën jetën.
