Te Bayern sot u gëzuan të gjithë për rikthimin në stërvitje të mesfushorit Arjen Robben, i cili ka qenë i dëmtuar që nga mesi i muajit korrik gjatë pushimeve, por trajneri Carlo Ancelotti mori edhe një lajm të keq.
Mbrojtësi Javier Martinez duket se do të mungojë më gjatë nga sa ishte raportuar në medie. Spanjolli dëmtoi kofshën në finalen e Superkupës së Gjermanisë kundër Borussia Dortmund-it, aty ku u desh ta ndërpriste lojën. Fillimisht thuhej se 28-vjeçari kishte marrë një goditje të vogël dhe se shumë shpejt do të rikthehej në fushë, por “Sport1” e bën të sigurt që ai minimumi nuk do të jetë gati për ndeshjen e parë të Bundesligës me Bayer Leverkusen-in.
Me gjermanin Jerome Boateng gjithashtu të dëmtuar, dy alternativat e Don Carlo-s për qendrën e mbrojtjes tani janë Mats Hummels dhe Niklas Süle. Ky i fundit është blerë për 20 milionë euro nga Hoffenheim dhe… fati i erdhi te dera.
