Ka ndodhur gjithçka mesditën e sotme, kur Elis Bakaj kishte lënë një takim me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Një diskutim për kushtet kontraktuale, që nuk ka zgjatur shumë, dy palët që bien dakord dhe futbollisti i disa skuadrave në Shqipëri e jashtë saj është prezantuar te kampionët.
Elis Bakaj është kësisoji blerja më e re e skuadrës verilindore. Në fjalën e tij të parë si lojtar i Kukësit, Bakaj do të nënvizonte para gazetarëve: “Nuk ishte e vështirë të firmosja, pasi Kukësi është ekipi kampion në Shqipëri. Kam pasur bisedime edhe me skuadra të tjera, por ato janë pjesë e së kaluarës. Jam i lumtur si pjesë e Kukësit, sepse ky ekip pretendon gjithmonë për trofe. Mua më pëlqejnë këto gjëra, sepse si futbollist dua të fitoj.
Kam pasur edhe më parë një akord me Kukësin. Atëherë ramë dakord, por nuk më erdhi leje-kalimi nga Ukraina. Tani u bë fakt i kryer dhe jam i kënaqur. Nuk më pëlqen të flas për kohëzgjatjen e kontratës. E rëndësishme është që ramë dakord. Më pëlqejnë sfidat. Kukësi ka tifozëri të mrekullueshme dhe ata janë shtysë e madhe për ne.
Nuk mund të flas për objektiva personalë, të rëndësishëm janë objektivat e klubit. Premtoj që do jap shpirtin në fushë, sikurse kam bërë edhe në ekipet e tjera. A do të kompensoj Pejiç? Çdo lojtar ka emrin e vet. Pejiç është Pejiç, Bakaj është Bakaj. Kam emrin tim dhe do të jap maksimumin”.
