VARGJE PËR KËNGË

Dita

1. Magjia…

Shpesh më thua ti:
“S’ke nga të më luash,
do të bëj magji,
mua të më duash!”

S’të bën punë magjia,
po ti nuk e di,
se vetë dashuria,
është një magji!

Gjithë jetën tok,
s’të mban dot magjia,
po s’të ra në kokë,
nuk ndodh mrekullia!

Po të ra në kokë,
xhinde dashuria,
ajo s’të del kurrë,
siç të del rakia!

2. Ëndërr…

Ëndërr-o moj-ëndërr,
gjumin se ç’ma prishe,
m’i përplase krahët,
si një dallandyshe.

Si një dallandyshe,
drejt në zemrën time,
o-bo-bo ç’u tretën,
ato ëndërrime.

Tani që u zgjova,
s’heq aspak me zëmër,
e ndjej veten time,
më mirë se në ëndërr.

Nektari i jetës,
më rrjedh nëpër deje,
ëndrra më e bukur,
nuk vlen para teje.

Nuk vlejnë sa ti,
gjithë lulet e njoma,
se ti je e gjitha,
fllade dhe aroma.

O-po ç’më verbove,
me dritë rrufeje,
s’ka më ëndërrime,
kush jeton pranë teje.

Ëndërr-o moj ëndërr,
o shkumë sapuni,
tani që më zgjove,
nuk më zë më gjumi.

Kush jeton pranë teje,
s’i di kurrë përgjigjet,
o do rrojë gjithë jetën,
o në çast do digjet.

Nuk i di përgjigjet,
ç’do të ndodhi vallë,
po unë të paktën,
jam akoma gjallë!

Shënim: Ndalohet kategorikisht muzikimi i këtyre vargjeve pa lejen e autorit.

A. Duka

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *