Trump: Racizmi është një e keqe, shkelësit e ligjit do jenë përgjegjës

Gazeta Dita

Presidenti Donald Trump tha se “racizmi është një e keqe”, duke dënuar Ku Klux Klan, neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë si “kriminelë dhe banditë”.

Ai i bëri komentet në sallën e pritjeve diplomatike të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray në lidhje me dhunën me motive raciste në Sharlotsvill të Virxhinias.

Presidenti Trump ka qenë në shënjestër të kritikave për komentet e bëra të shtunën, kur u shpreh se për dhunën në Sharlotsvill duhet të fajësohen “shumë palë”. Në komentet e së shtunës ai nuk veçoi supremacistët e bardhë apo ndonjë grup tjetër urrejtjeje, edhe pse disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë në Shtëpinë e Bardhë i dënuan ata me emër.

“Kushdo që ka shkelur ligjin në dhunën raciste këtë fundjavë, do të jetë përgjegjës,” tha zoti Trump gjatë komenteve të shkurtra që bëri në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata erdhi dy ditë pasi ai nuk arriti të dënojë në mënyrë konkrete tubimin e supremacistëve ku u vra 32-vjeçarja Heather Heyer dhe u plagosën rreth 19 të tjerë nga një person, që sipas njoftimeve kishte prirje raciste dhe pro-naziste.

Në komentet e tij, Presidenti Trump bëri thirrje gjithashtu për unitet.

“Duhet ta duam njëri-tjetrin, të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe të bashkohemi në dënimin e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës. Ne duhet të rizbulojmë lidhjet e dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë si amerikanë,” tha ai./VOA/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *