Ish-portieri i Bayern Munich, Oliver Kahn, ka thënë se Ancelotti “do të jetë nën vëzhgim” këtë sezon dhe ka ftuar klubin të shpenzojë më shumë në merkato për të qëndruar në elitën e futbollit europian.
Bayern fitoi titullin e pestë radhazi në Bundesliga në sezonin e parë të Ancelotti-t në drejtim të ekipit, por u eliminuar në Champions League në çerekfinale, ku u mundën me rezultatin e përgjithshëm 6-3 nga Real Madrid, kampionët në fuqi të Europës.
Bavarezët kanë zhvilluar një fazë përgatitore zhgënjyese dhe i janë dashur penalltitë për të mundur Borussia Dortmund në Superkupën e Gjermanisë, me kohën e rregullt që u mbyll 2-2.
Pavarësisht fitores 5-0 të marrë kundër Chemnitzer në Kupën e Gjermanisë, Kahn e di se Ancelotti nuk e ka treguar akoma atë që mund të bëjë në Gjermani, pavarësisht suksesve të arritura me Milan, Chelsea, Paris Saint-Germain dhe Real Madrid.
“Natyrisht që Ancelotti është në vëzhgim”, ka thënë Kahn për “Kicker”. “Objektivi është Champions League, ashtu siç ishte edhe për paraardhësin e tij, por edhe integrimi i lojtarëve të rinj në ekip”. Për sa i takon rezultateve negative në miqësore:
“Sipas eksperiencës sime, nëse përgatitja fizike nuk ka qenë e mirë, ky fakt do të ndikojë edhe gjatë sezonit”.
