Hoffenheim do të debutojë në fazën paraeliminatore të Champions League, por shorti i ka vënë përballë kundërshtarin më të fortë të mundshëm, siç është Liverpool. Skuadra gjermane zhvilloi sezonin më të mirë vitin e kaluar në Bundesliga nën drejtimin e trajnerit më të ri të kampionatit gjerman, Julian Nagelsmann.
Presioni do të jetë më i madh në këtë sezon për 30-vjeçarin, sepse të gjithë do të presin që ai të zhvillojë një tjetër vit të suksesshëm si ai i kaluar. Lëvizja e parë e suksesshme e Nagelsmann ka qenë mbajtja e lojtarëve kyç në ekip. Megjithatë, largimi i Niklas Sule do të ndihet në zemrën e mbrojtjes së skuadrës.
17 FITORE
Bilanci i Liverpool në 36 ndeshje të luajtura kundër ekipeve gjermane në Europë është: 17 fitore, 13 barazime dhe 3 humbje
Skuadra e Jurgen Klopp e nisi sezonin e kaluar si një nga skuadrat favorite për të fituar titullin në Premier League, por ata u transformuan në fazën e dytë dhe e mbyllën kampionatin në vendin e katërt. “Të Kuqtë” e nisën këtë sezon me një barazim zhgënjyes 3-3 kundër Watford në transfertë.
Klopp duket se po përballet me një problem të ngjashëm si në sezonin e kaluar, me shumë prej lojtarëve të tij që janë të dëmtuar. Për më tepër, Philippe Coutinho pritet të transferohet te Barcelona para fundit të merkatos. Pa asnjë blerje të madhe, me përjashtim të Mohamed Salah, anglezët duket se do të kenë një tjetër sezon të vështirë.
15 NDESHJE
Jurgen Klopp është ndeshur 15 herë kundër Hoffenheim dhe ka një bilanc: 5 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje
Kjo do të jetë ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave. Ecuria e Liverpool kundër klubeve gjermane në kompeticionet e UEFA-s është 17 fitore, 13 barazime dhe 6 humbje në 36 takime. Ata janë të pamposhtur në “Anfield” me 11 fitore dhe 3 barazime nga 14 ndeshje.
Ndërkohë, ata kanë marrë vetëm 2 fitore në 14 takimet që kanë luajtur në Gjermani, kanë barazuar 8 dhe kanë humbur 4. Si trajner, Jurgen Klopp është përballur 15 herë me Hoffenheim, duke marrë 5 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.
Formacionet e mundshme
Hoffenheim (3-5-2): Baumann, Bicakcic, Vogt, Hubner, Zuber, Amiri, Nordtveit, Demirbay, Toljan, Gnabry, Kramaric.
Liverpool (4-3-3): Mignolet, Alexander-Arnold, Matip, Lovren, Moreno, E.Can, Henderson, Wijnaldum, Sane, Firmino, Mane.
