Paris Saint-Germain do të marrë një ndëshkim nga UEFA për shkeljen e rregullave të “Fair Play”-it Financiar (FFP), por jo këtë vit. Gjigantët e futbollit francez kanë shpenzuar shifon rekord 222 milionë euro për të siguruar shërbimet e brazilianit Neymar.
Por duket se pariseinët nuk do të ndalen me brazilianin, me Kylian Mbappe që pritet të kalojë edhe ai nën urdhrat e trajnerit Unai Emery dhe të kushtojë akoma më shumë se “O Ney”. Një sjellje e tillë i ka shtuar pyetjet në lidhje me mënyrën se si klubi mund të vazhdojë të shpenzojë kaq shumë dhe të mos bëjë asnjë shkelje të rregullave të “FFP”.
Këto rregulla kanë hyrë në fuqi në 2013-ën për të ndalur borxhet e mëdha që akumuloheshin nga klubet e futbollit. Rregullat thonë se gjatë një periudhe 3-vjeçare, një klub si PSG, në pronësi të shtetit të Katarit, mund të shpenzojë 30 milionë euro më shumë nga sa fiton. “Thë Times” ka shkruar se ndëshkimi do të vijë, por jo para vjeshtës së 2018-ës, kur do të bëhet dhe bilanci i ardhshëm i financave të klubit për shkak se “FFP” mbulon humbjet dhe të ardhurat gjatë një periudhe trevjeçare.
Kështu, drejtuesit e Parisit janë optimistë se mund të marrin edhe yllin e Monaco, Mbappe, për 178 milionë euro. Kapiteni i skuadrës, Thiago Silva, ka thënë: “Unë mendoj se për një skuadër si Paris, ai mund të jetë një lojtarë shumë i rëndësishëm”.
