Nis sot gara tek sportet, 468 konkurrentët që kalojnë në testim

Ornela

 Pranvera Kola – DITA

Nis sot testimi praktik për maturantët dhe kandidatët e tjerë që konkurojnë gjatë këtij viti për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes të Universitetit të Sporteve.

Pas mbylljes së regjistrimeve për konkursin, autoritetet e këtij universiteti kanë zyrtarizuar gjatë pasdites së djeshme emrat e 468 kandidatëve që konkurrojnë për të fituar studimet në këtë fakultete. Konkurrimi nis sot, dhe të parat që testohen janë vajzat, përkatësisht 133 konkurrente.

Ndërsa testimi për djemtë nis përgjatë ditës së nesërme dhe do të përfundojë në datën 18 gusht. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e kandidatëve që do të hyjnë në konkurrim, si dhe datat kur secili prej tyre duhet të paraqitet për të zhvilluar testin individual.

Rreth 150 është numri i kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në këtë fakultet gjatë vitit të ri akademik 2017-2018, që nis përgjatë muajit tetor. Shpallja e fituesve do të përcaktohet nga pikët finale që kandidatë do të marrin në testet praktike, si dhe rezultatet e shkollës së mesme.

Konkretisht, raporti ndërmjet konkurrimit praktik dhe notës mesatare do të jetë në kufijtë 60 me 40 për qind, çka do të thotë se 60 për qind e rezultatit final të çdo kandidati përbëhet nga sasia e pikëve të marra gjatë konkurrimit praktik, ndërsa me 40 për qind të ndikimit vlerësohet mesatarja e shkollës së mesme. Në udhëzimin zyrtar të miratuar nga MAS, përcaktohet se lista e fituesve të parë që do të pranohen në universitete shpallet me 28 gusht.

Ndërsa një ditë më pas, përkatësisht në datën 29 gusht do të nisë edhe procesi i regjistrimit për të konfirmuar statusin e studentit nga të gjithë kandidatët që janë pjesë e listës së fituesve. Ky regjistrim do të bëhet brenda një raundi, që ndryshe nga viti i kaluar do të pasohet nga 7 minifaza regjistrimesh 48-orëshe.

Që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues dhe është shënuar me ngjyrën jeshile, ai duhet të shkojë pranë sekretarisë mësimore me dokumentacionin përkatës dhe të bëjë regjistrimin si fitues. Për të marrë statusin si student, ky kandidat duhet të respektojë afatin prej 48 orësh.

Nëse aplikanti nuk regjistrohet brenda këtij afati, ai e humbet të drejtën e regjistrimit në ato programe studimi ku ishte përzgjedhur. Çka do të thotë se vija e kuqe e fituesve do të spostohet 7 herë sipas numrit të vendeve që do të mbeten të paplotësuara nga mbyllja e secilës minifazë regjistrimesh. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në njërin nga programet, duke vendosur vetë se në cilin prej tyre do të shkojë.

Në përfundim të kësaj faze 14 ditore regjistrimesh do të bëhen edhe verifikimet përkatëse në lidhje me numrin e kandidatëve të regjistruar në secilin program studimi të universiteteve publike, duke identifikuar kështu edhe vendet e mbetura bosh, kuota të cilat do të jenë pjesë e raundit të dytë të pranimeve, aplikimet për të cilën do të zhvillohen sërish online me plotësimin e një tjetër formulari preferencash që nga data 15 shtator.

Kliko per emrat: FSHL 1

Kliko per emrat: FSHL 2

Kliko per emrat: FSHL 3

Kliko per emrat: FSHL 4

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *