Një vit që nga depozitimi i nismës nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste me qëllim studimin në mënyrë të paanshme dhe profesionale të rolit dhe kontributit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore dhe në koalicionin fitues antifashist, nuk është marrë ende asnjë hap për ta konkretizuar. Krijimi i Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore, nuk u arrit që të krijohej, anëtarët e të cilit do të kishin si detyrë që të dilnin në terren, të hulumtonin kujtimet dhe arkivat e atyre që kanë qenë të përfshirë në luftë, median dhe literaturën e huaj për të zbardhur të pathënat e kësaj lufte. Nisma u arrit që të kalohej veçse në Komisionin e Ligjeve me votat e socialistëve, ndërsa risolli në sytë e opinionit publik debatin për rolin që kanë luajtur në këtë luftë partizanët dhe ballistët. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbanin një qëndrim të unifikuar sa i përket fituesve të kësaj lufte. Propozuesja e projektligjit, Olta Xhaçka, do të theksonte se ngritja e këtij instituti do të nxirrte në pah dokumentet, studimet, vendimet e kohës. “Një çështje e margjinalizuar si kjo e kontributit të Shqipërisë është marrë dhe degraduar në një betejë të shëmtuar politike mes partizanësh dhe ballistësh. Edhe LANÇ ka degraduar sipas politikës në një gati luftë civile”, është shprehur Xhaçka. Kurse Petrit Vasili do të shprehej se instituti nuk ka asnjë të drejtë të ndryshojë rolin e fituesve dhe humbësve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “E gjithë veprimtaria antifashiste u udhëhoq nga partizanët e organizuar në mënyrën e tyre e me të cilën ata u renditën me fituesit, dhe në këtë çështje, instituti këtë raport thelbësor as nuk e ndërton dhe as nuk e zhbën dot. Ky kontribut i madh është dhënë në 45 vitet që shkuan dhe pavarësisht glorifikimet, por për çështjet kush qenë fituesit dhe kush qenë humbësit, dhe kush u ul në tavolinën e fituesve, kjo nuk lëviz”, theksoi një vit më parë Vasili.
Detyrat
Detyrat kryesore të Institutit do të jenë: objektiviteti dhe paanësia në studimin dhe trajtimin e ngjarjeve, që dëshmojnë kontributin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore; dokumentimi dhe studimi i kësaj periudhe përmes grumbullimit të të dhënave dhe dëshmive për nxjerrjen në pah të rolit të Shqipërisë dhe strukturave të kohës në koalicionin antifashist; përgatitjen për botim të studimeve historike dhe kujtimeve të atyre që kanë qenë pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore; mbajtjen e regjistrave elektronikë dhe hartimit e përpunimit të të dhënave statistikore për dokumentacionin që grumbullon; bashkëpunimin me institucionet kërkimore, kulturore e arsimore për shkëmbimin e informacionit lidhur me objektin e punës së institutit, etj. Çdo vit Instituti do të raportojë në Kuvend për veprimtarinë e kryer për zbatimin e ligjit.
DEBATI NË KOMISION
Olta Xhaçka: Instituti në të gjitha detyrat që ne si grup kemi parashikuar, parashikon dokumentimin, studimin e të gjithë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, nëpërmjet grumbullimit të të dhënave dhe dokumenteve, nxjerrjes në pah të vendimeve të kohës, jo të luftës partizane, por historisë të cilën e kemi dëgjuar gjatë gjithë tranzicionit, ku një çështje e margjinalizuar si kjo e kontributit të Shqipërisë është marrë dhe degraduar në një betejë të shëmtuar politike mes partizanësh dhe ballistësh. Edhe LANÇ ka degraduar sipas politikës në një gati luftë civile.
Petrit Vasili: E gjithë veprimtaria antifashiste u udhëhoq nga partizanët e organizuar në mënyrën e tyre e me të cilën ata u renditën me fituesit, dhe në këtë çështje instituti këtë raport thelbësore as nuk e ndërton dhe as nuk e zhbën dot. Ky kontribut i madh është dhënë në 45 vitet që shkuan dhe pavarësisht glorifikimet, por për çështjet kush qenë fituesit dhe kush qenë humbësit, dhe kush u ul në tavolinën e fituesve, kjo nuk lëviz.
Oerd Bylykbashi: Jam i sigurt që me idenë që keni ju, do vazhdoni ta mbani mitin e 28 mijë dëshmorëve. S’ka për të bërë asnjëri tentativën minimale për të thënë të vërtetën se çfarë ndodhi në Shqipëri, sa u vranë dhe kush i vrau. Ky shtet as bën përpjekjen minimale për të vënë gishtin në plagë për ata njerëz që s’kanë marrë as drejtësi, as falje.
Pandeli Majko: Ajo që po ju them, miq, është se ne nuk ju kemi ftuar të votoni ndonjë variant historie. Sinqerisht më vjen keq shumë për këtë mënyrë të foluri sot. Keni një defiçencë të theksuar për atë që quhet edhe histori e PD-së, edhe në raport me historinë e së kaluarës dhe me ato çfarë kam parë unë në televizor në datën 28 nëntor dhe çdo 5 maj. Thashë 28 se ju nuk e pranoni 29-ën, me sa di unë, ju shkoni bashkë me veteranët, dhe respektoni ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.
Nuk di ndonjë vend tjetër të Europës që kjo marrëdhënie me Luftën e Dytë dhe me angazhimin tuaj për Luftën e Dytë të jetë në këto lloj defiçencash siç e keni ju. Ne po përpiqemi dhe jua thamë që në fillim fare, ne duam një qëndrim gjakftohtë, pikërisht për të shmangur çdo lloj glorifikimi dhe kjo të shihet si e tillë. Prandaj këtu, siç e thatë ju me të drejtë, nuk ka ndonjë konkluzion.
Këtu ka Bordi, si zgjidhet, struktura administrative. Marrëdhëniet e këtij instituti me institucionet e tjera shtetërore dhe kështu me radhë. Sepse ne nuk jemi kompetentë, ne ia kemi bërë dhuratën popullit shqiptar në këta 25 vjet, jemi sjellë si kalamaj. Tjetër datë kemi në festat zyrtare, tjetër përkujtojmë. Janë të nderuar e të respektuar dhe paguhen nga shteti shqiptar si të tillë dhe fyhen në publik. Gjeni shtresën tuaj që do vendosni ta respektoni.
Oerd Bylykbashi: Ju flisni për komunistët…
Pandeli Majko: Flisni për të përndjekurit… Jam thellësisht në krahun tuaj, nëse do të vendosni të merreni me të përndjekurit. Pyeti sot të përndjekurit se si po trajtohen nga kjo qeveri. Kjo qeveri mund të ketë të metat e veta, por në pikëpamje të respektimit të të përndjekurve është pak e tepër për t’i thënë nuk është marrë me ta.
Oerd Bylykbashi: Të paktën t’i kërkoni ju falje për atë që s’e keni bërë. Thuaje kanë bërë këtë gjë…
Pandeli Majko: Nuk po ta kthej përgjigjen, se the që kam paraardhës që kanë qenë pjesë e LANÇI-t.
Oerd Bylykbashi: Sigurisht kam dhe nga ata që kanë shkuar në burg menjëherë me LANÇ-in. Kanë shkuar në burg.
Pandeli Majko: Të garantoj që edhe në krahun tonë ka njerëz që kanë qenë me LANÇ-in dhe kanë pasur probleme gjatë periudhës. Por ne po flasim për Luftën e Dytë Botërore dhe atë që meriton respekt, sepse defiçenca e marrëdhënieve me historinë ne na ka krijuar një problem. Akoma si politikë shqiptare nuk kemi përcaktuar disa standarde, çfarë do themi është në rregull dhe çfarë do themi që nuk është e tillë.
Oerd Bylykbashi: Po ç’punë ka politika këtu…
Pandeli Majko: Ne për këtë arsye ju themi dashamirësisht që ky nuk është variant historie, por variant se si ta ndriçojmë këtë periudhë pa asnjë variant glorifikimi. Dhe për t’u thënë njerëzve që ata që luftuan meritojnë respekt. Të luftosh dhe të biesh kundër okupatorit, qofsh edhe komunisti më ekstremist, meriton të të hiqet kapela.
Oerd Bylykbashi: Si Abaz Kupi…
Pandeli Majko: Më dëgjove çfarë thashë? Edhe komunisti më ekstremist po ka rënë në krye të luftës duke mbrojtur atdheun e vet, meriton t’i hiqet kapela. Kaq.
Arben Ristani: Kjo maxhoranca vazhdon t’i dhunojë shqiptarët, t’i varfërojë ata, t’i ngordhë nervin e protestës dhe banda të vazhdojë jetën e saj, mbill hashash, fito para, vidh tenderë, qejf o qejf. Edhe njerëzit vuajnë siç vuajnë përditë. Merreni votojeni, votat i keni. Rrimë tani merremi kush ishte partizan dhe kush ishte ballist, muhabet koti. / E.K

Ore Po ju paskeni qene te mbaruar . Po si kerkoni te beni komisione e vleresime me Strazimirin , Ristanin , apo Oert qoften ? Ata ç’do gje mund te bejne , Por politike harrojeni . Pd ka lindur si makineri shkaterruese . Nuk dihet nese historia pluraliste njeh ndonje ligj racional te miratuar edhe nga pd-ja. Po e keni gabim o njerez . Ç’pret te diskutoje Ristani per luften ? Ai e nis dhe e mbaron diten me alkolin perpara . Ore po pse e zgjasni kete histori ? Ne asnje rrethane fitimtari nuk gjykohet . Lanc ishte ne te drejten historike . Humbesit u vete asgjesuan , Duke marre edhe denimin e historise . Sikur te mbanim iso kenges se Saliut apo Butkes , sot s’do kishin as varreza deshmoresh . Ju e dini qe ai ( SRB ) eshte si Atila . Ku shkel , vetem djeg qe mos lere gje ne kembe . Rrine keta derdimenet e se majtes e i kendojne siper . Ore Majko ! Historia behet nje Here , dhe brezat e trashegojne ne shekuj . Jo , po te çohen tani francezet , e te ngrene komisione per Bonapartin . Se keshtu do mbledhin te dhena per ” ballistet francese “. Po kujt i plasi se nuk eshte dakort Bylyk – bashi . Qe edhe ne banje shkon me lejen e Saliut .
Sa shkurt e plot filozofi mjerane debatojne keto”fisniket” e te djathtes.
Lexoni Refleksionet e Edvin Rames se aty ka analize shteruese per LANC.
PD-ja ka lindur nga UDB-ja dhe mos u mundoni t’i ktheni ne rrugen e shqiptarizmit. E keni te kote. Sa te jete gjalle Saliu, Luli, Oerdi, Paloka, Ristani, Topalli &Co, PD-ja do mbledhe rreth vetes vetem antishqiptare