Qytetarët shqiptarë kanë marrë më shumë kredi për konsum gjatë tre muajve të fundit. Në raportin e Bankës së Shqipërisë, kredia për individë ka shfaqur rritje me 2.1 miliardë lekë më shumë në krahasim kjo me një vit më parë. Rritje ndër të tjera ka pësuar edhe kredia e dhënë për blerjen e një banese. Kredia për biznesin vijon të jetë e ngurtë e ndikuar më së shumti nga kreditë e këqia.
Shqiptarët po marin gjithmonë e më shumë kredi për konsum të përditshëm.
Vetëm në tre muajt e fundit bankat e nivelit të dytë kanë dhënë 2.1 miliardë lekë më shumë vetëm për individët ku peshën kryesore e mban konsumi dhe më pas vjen blerja e një banese.
Zgjerimi i portofolit të kredisë për individë ka reflektuar njëkohësisht rritjen e kërkesës për financim nga individët dhe lehtësimin e kushteve të kreditimit të tyre nga bankat.
Rritja e konsumit e shoqëruar me lehtësimin e kushteve financiare në ekonomi dhe forcimin e besimit të individëve, kanë mbështetur kërkesën për kredi pranë bankave.
Gjithashtu në këtë trend ka ndikuar edhe performanca më cilësore e kredisë për individë.
Sipas Bankës së Shqipërisë qytetarët kanë preferuar që ti marrin kreditë në monedhën vendase duke eliminuar në këtë mënyrë edhe rreziqet e kursit të këmbimit.
Bankat e nivelit të dytë presin që standardet e kreditimit dhe kërkesa për kredi nga individët për konsum do mbeten thuajse të pandryshuar edhe në tremujorin e tretë.
Por bankat janë treguar më dorështrënguar me bizneset ku portofoli i kredisë është tkurrur me 6 miliardë lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017.
Ky reduktim ka ardhur i ndikuar nga niveli i kredive të këqia si dhe luhatjet e kursit të këmbimit.
