Mes lirisë sonë dhe shtinjakut të kombit

anazapta

Miliona mesazhe ka dërguar ish komunisti 24 vjet dhe 24 karat, kryeministri deri në ditë të sotit Sali Ram Berisha. Mesazhet e tij si stuhija e karkalecave pushtojnë gjithë qiellin elektronik, nuk lënë gjeth mbi faqe të dheut, e nuk është çudi që në këtë delir madhështie e drithërimë rrëzimi me votën e popullit, ti ketë dërguar një mesazh edhe vetvetes. I pangopur në pushtet, i etur deri ne çmënduri për të qënë babai i kombit kur ai është realisht Shtinjaku i Kombit. Sinonimi i makutërisë, është një përsëritje komike e të gjithë diktatorëve që kësisoj nisin e bitisin, që përshkallzojnë uzurpimin e pushtetit pa u ndalur nga arsyeja sepse logjika e tij qytetare është e lëkundur, sepse ata që aspirojnë autokracinë e pushtetin e pakufizuar nuk u konvenon liria e qytetarëve.

Por nuk është e keqja vetëm tek një njeri patalogjik në babëzinë për pushtet, më e keqja janë vemjet që i vinë nga pas dhe e mbajnë në pushtet, aparati i instaluar si një mekanizëm i metaltë, një lloj prange sociale që atrofizon mendimin qytetar. Pas tij si skotë e zezë janë urithët që nuk e duan dritën e meqë nuk kanë vetë sy ta shohin duan edhe ne të tjereve të na lënë pa dritë dhe në errësirë. Një pjesë e urithëve vinë edhe nga Kosova se ka urithëri edhe andej, vinë të votojnë në Shqipëri duke mos pas të drejtë të votojnë këtu sa kohë që ne qytetarëve të Shqipërisë nuk na lejohet të vemi të votojmë në Kosovë.

Por unë që kam shpëtuar nga diktatura e komunizmit një herë nuk e fus më kokën nën një diktaturë tjetër të një komunisti që punon me një platfomë vrastare për lirinë e demokracinë në këtë vend. Kjo pjellë tinzare e komunizmit është si një virus me imunitet nga çdo lloj antibiotiku në trupin e Shqipërisë të cilës i ka sjellë shumë mundime që nuk është vendi këtu të përmenden por koha do të vijë që të shkruhet gjithçka për të, për ta vizatuar kësisoj përfundimisht portretin e shtrigut të kombit. Mënyra më e mirë për ta vrarë lirinë qënka që të dalësh ta kërkosh me zë të lartë në rrugë e në momentin që ajo të shfaqet ta qëllosh në zemër! Këtë ka bërë dje e po bën sot Autokrati i Tiranës.

Por unë shpresoj tek populli im, tek dëshira e tij për liri e demokraci të vertetë e të pakushtëzuar, shpresoj se njerëzit do të binden më së fundi se demokracinë nuk na e solli si tortë në pjatë ky Autokrat mendje errët i qorruar nga ambicja e pushtetit, por e fituam ne vetë. Liria e demokracia paska kërkuar nga ne shumë sakrifica anipse kanë kaluar kaq vjet e duhej të ishim të plotë në lirinë tonë, në demokracinë tonë, në mirëqënien tonë, në mundësitë tona për një jetë më të qetë e më të bukur. Nuk mund populli të gënjehet pafundësisht- në këtë sens nëse lejojmë të gënjehemi sërish jemi të vrarë. Se duke u vrarë demokracia, jemi të vrarë edhe ne që e inspirojmë atë. Mund të lëndohet një brez, mund të vritet një tjetër, mund ta mbash me gënjeshtra akoma një tjetër por liria e demokracia janë si Dielli, sado të zgjatë nata, nuk ka çajre pa dalë.

 

Letër e nënshkruar: Kolec Traboini

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *